Hetimet për tërmetin në Tiranë/ Shënjestrohen zyrtarët abuzues! Banorët kallëzojnë pronarët e lokaleve që gërryen muret mbajtës

7 Janar 2020, 15:08| Përditesimi: 7 Janar 2020, 16:15

  • Share

TIRANE- Dëmtimet e pallateve dhe banesave të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit në vitin 2019 në Tiranë, shumë shpejt do sjellin arrestime të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të ish-komunës Kashar dhe komunave të tjera në kryeqytet. Një muaj hetime të prokurorisë së Tiranës, kanë mjaftuar për të orientuar përgjegjësinë mbi zyrtarët që kanë abuzuar me ndërtimet pa leje dhe me lejë, kryesisht në zonën e Freskut, Astirit, Kasharit dhe zonën e Ndroqit. Gjatë kësaj kohe prokuroria ka konstatuar shkelje të rëndë të ndryshimit të planimetrisë së objektit, ku ndryshe ishte paracaktuar në letra dhe ndryshe është vepruar në terren, gjatë ndërtimit të pallatit.

Shumë objekte që kanë pësuar dëmtime, kanë një ose dy kate shtesë pa lejë, mbi kapacitetin që ishte planifikuar në lejen e ndërtimit. Një fenomen i tillë, thonë burime pranë prokurorisë së Tiranës, ka ndodhur më së shumti në zonën e ish-komunës së Dajtit, ish-komunës së Kasharit dhe ish-komunës së Ndroqit. Zyrtarë të këtyre institucioneve, topografë dhe inxhinierë ndërtimi janë në "lupën" e prokurorëve të Tiranës, dhe që në javën e ardhshme pritet disa prej këtyre personazheve shtetërorë që kanë abuzuar me ligjin e urbanistikës dhe ndërtues të arrestohen.

Ndërkohë në vijueshmëri të këtij hetimi, gjatë kësaj kohe në prokurorinë e Tiranës kanë mbërritur dhjetëra kallëzime penale, ku banorë të ndryshëm denoncojnë në prokurori dhe polici, pronarët e bizneseve të kateve të para, të cilat i kanë kthyer apartamentet e pallateve të kateve të para në lokale. Në shumë kallëzime, banorët e pallatit janë bashkuar dhe kanë kryer një kallëzim të vetëm ndaj këtyre biznesmenëve, duke i akuzuar ata se kanë gërryer muret e brendshme kateve të parave, dhe kanë zëvendësuar me vetrata xhami, disa prej mureve kryesorë mbajtës.

Kjo skemë është e ngjashme me rastin e pallatit të shembur në Durrës ku pronari i një lokali holloi muret, bazamentin mbajtës të pallatit, me qëllim përfitimin e hapësirave të mjaftueshme për lokalin e tij. Banorët pretendojnë se pikërisht nga ky lokal erdhi dhe shembja e komplet pallatit, pasi godina kishte humbur ndjeshëm bazamentin e saj në katin e parë. Nga rrënojat e këtij pallati u nxor trupi i Nafije Rexhepit, 74-vjeç dhe i Xhuljeta Gjonajt.

Të gjitha këto kallëzime po administrohen dhe po kryhen verifikime të njëpasnjëshme në terren dhe me ekspertë të fushës. Ky hetim në Tiranë, është një nga dosjet e shumta që ka hapur prokuroria shqiptare pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, i cili në qarkun e Durrësit dhe Krujës shënoi 51 viktima dhe shumë dëme materiale në Durrës, Tiranë, Krujë, Lezhë, dhe Thumanë. Vetëm në Durrës prokuroria e këtij qyteti urdhëroi arrestimin e 18 personave, ku në pranga ranë vetëm 9 , ndërsa në Krujë hetimet janë ende në vijim e sipër dhe pritet që shumë shpejt dhe aty të ketë arrestime.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kasem gahinji: 07/01/2020 18:36

    Edhe pse akti i kryer nga shba eshte akt agresioni nndaj nje shteti te pavarur(situata ne irak nuk justifikon kete akt terorrist shteteror)nuk do te kete lufte ne kuptimin e mirefillte te fjales.do te kete mbase veprime guerile,akte teroriste .nese do te kete agresor do te jete shba.qellimi eshte te mos shkarkohet tramp si president duke krijuar situata te nxehta.mendoj qe selia e okb duhet te spostohet nga nju jorku ne nje shtet asnjanes.per faktin qe shba po e perdor qenien ne nju jork per te penguar perfaqsuesit e ligjshem te nje shteti antar te okb per te marre pjese ne veprimtarite ligjore te okb dhe keshillit te sigurimit.ky eshte nje akt tjeter i rende i shba.q

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?