HIMARE- Deti i kaltër i Himarës, po pret me dhjetëra pushues prej javësh.Turistët janë kryesisht të huaj, që nga Gjermania, Anglia e deri nga Zelanda e Re.
“Që në fund të muajit mars ka pasur lëvizje të theksuara. 90% e subjekteve janë gati për ta përballuar fluksin që do të vijë. Na janë rritur shumë pritshmëritë, turistët janë shumica të huaj, gjerman, nordik, italian apo anglez”, thotë n/kryetari i Bashkisë së Himarës Pervin Gjikuria.
Pushuesit e huaj, e konsiderojnë bregdetin e Himarës një surprizë të bukur, ndërsa shprehen të impresionuar nga ushqimi e natyra.
“Deti është shumë i pastër dhe shumë i bukur. Njerëzit janë të mirë, dhe ushqimi gjithashtu. Nuk kisha dëgjuar më parë për Shqipërinë, ishte një surprizë e bukur”, thotë turistja angleze.
“Jam nga Anglia, është hera e parë në Shqipëri, është fantastike”, thotë një turistë.
“Jam nga Gjermania, do të qëndroj 2 ditë. Është një pamje e këndshme, uji i pastër dhe njerëz të këndshëm. Në plazh në Shqipëri është hera e parë që vij”, tha turisti.
Në Himarë takojmë edhe një çift gjerman, që në Shqipëri kanë ardhur jo vetëm për bregdetin, por për të udhëtuar nga veriu në jug.
“Jemi nga gjermania dhe po bëjmë udhëtim përqark Shqipërisë. Njerëzit janë të mirë, qyteti është shumë interesant, ne shohim shumë male dhe det njëkohësisht”, tha turistja gjermane.
‘Nami’ i mirë i Shqipërisë ka mbërritur deri në Zelandën e Re, ku tre shoqe tregojnë se çfarë ju pëlqen më shumë në Shqipëri dhe pse e kanë zgjedhur si destinacion.
“Unë jam nga Zelanda e re. Shqipëria është e bukur, dhe e dua shumë. është hera e parë këtu, kisha dëgjuar se ishte shumë e bukur dhe ka plazhe të shkëlqyera. Kisha dëgjuar dhe që është shumë e lirë”.
“Jam e dashuruar me njerëzit këtu. Më pëlqen edhe deti, por edhe natyra”.
“Është shumë bukur këtu, dhe e dua. nuk kisha ardhur më parë dhe jam e surprizuar për gjithçka”, thonë turistet nga Zelanda e Re.
Pushimet në jug këtë vit do të kushtojnë më shumë, kjo sipas nënkryetarit të Bashkisë Himarë, vjen si rezultat i inflacionit e rritjes së pagave të punonjësve.
“Nga momenti që rritja e çmimeve është ndërkombëtare, dhe kur ne pretendojmë që forca jonë punëtore duhet të paguhet më mirë, kjo është një lidhje logjike”, tha nënkryetari.
Vitin e kaluar vendi ka pritur mbi 10 milionë të huaj, ndërkohë që vetëm në katër muajit e parë të viti kanë hyrë në Shqipëri 2,3 milionë turistë, ose 38% më shumë se një vit më parë.