Hipokrizia ka emër

2 Mars 2021, 19:29| Përditesimi: 2 Mars 2021, 19:33

  • Share

Albin Kurti nuk është i pari që është kujtuar se 2 marsi, “Besëlidhja e Lezhës”, mund të përdoret për fushatë elektorale. I pari ka qenë Ilir Meta vitin e kaluar.

Në një moment të vështirë për karrierën e tij politike, i rrethuar nga një shumicë që filloi ta shantazhonte për shkarkim, ai pa në ëndërr Skënderbeun dhe gjeti shpëtimin.

Autobusat e PD nga gjithë Shqipëria mblodhën sërisht militantët e vet, duke i siguruar se këtë radhë nuk do ta këndojë himnin e Flamurit, Luli, por Iliri, dhe bënë atë që quhet mitingu i 2 marsit, i cili nuk kishte ndryshim as në përbërje dhe as në tematikë, nga mitingjet e mëparshme të PD, përveç faktit që në tribunë këtë radhë ishte Ilir Meta dhe në shesh Berisha me Lulin.

Ishte një nga ato provat gjenerale që Berisha bën, për të zëvendësuar aktorët në skenë, nëse Luli dështon. Në të vërtetë, Ilir Meta i afrohet më shumë në halle dhe tipologji.

E njëjta gjë i ka ndodh Albin Kurtit këto ditë. Pas delirit për fitoren elektorale në Prishtinë, atë nuk e ka zënë gjumi për një fitore dhe në Shqipëri, ku ka kandiduar tre kandidatë, një në Gjirokastër, një në Tiranë dhe një në Lezhë, për të testuar. Ka bërë sondazhe dhe nuk i shfaqen askund.

Atëherë dhe atij i është shfaqur në ëndërr Skënderbeu, njësoj si Ilir Metës. Dhe me një kolonë “patriotësh” që për herë të parë u kujtuan se mund të festojnë 2 marsin e “Besëlidhjes së Lezhës”, u nis drejt Lezhës dhe bëri thirrje për përmbysje politike.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Përfshirja e Albinit në politikën e brendshme të Shqipërisë është realitet i dy viteve të fundit. E ka bërë si opozitar, tashmë dhe si kryeministër i zgjedhur.

Problemi nuk është pse kërkon të garojë në Shqipëri, por përse përpiqet ta mbulojë ambicien e tij politike me “hipokrizi patriotike”, siç ka bërë 25 vjet.

“Besëlidhja e Lezhës”  ka 577 vjet që ka ndodhur. Albini ka së paku 25 vjet si figurë publike dhe politike në Kosovë, bashkë me atë enturazhin që e shoqëronte. Nuk ka ardhur ndonjëherë më 2 mars në Lezhë.

Shqipëria nuk e ka festë zyrtare 2 marsin, por e ka datë të shënuar në kalenderin e saj historik, dhe i përkujton jubilejtë e saj. Para dy vitesh e festoi  575 vjetorin.

Nuk di pse Albini u kujtua bash për 577 vjetorin e “Besëlidhjes së Lezhës”, siç kujtohet Ilir Meta këtë vit për 111 vjetorin, 119 vjetorin, 87 vjetorin e dikujt, për t’i dhënë nje dekoratë meqë ka familjen me LSI.

Shpjegimi është i thjeshtë. Nuk do të kujtohej nëse “Vetëvendosja” nuk do kandidonte këtë radhë në Lezhë një pjesëtar të saj dhe Albini po përpiqet të përdorë Skënderbeun për një liliput të tij në Lezhë.

Është më e ndershme të shkonte të bënte miting elektoral për “Vetëvendosjen” duke marrë popull hua nga PD, si Ilir Meta. Biles ka kohë të vijë përsëri deri më 25 prill. Nuk e ndalon njeri.

Nëse do të shkojë dhe në Gjirokastër, mund të shkojë. Nuk di si mund ta ndihmoj për ndonjë datë historike, por mund të shkojë më 13 mars, se mbushet 113 vjet nga dita që Çerçiz Topulli ka vrarë Bimbashin (nuk di nëse e ka problem, por Bimbashi ka qenë malazez).

E bën me këtë rast një miting tek “Sheshi i Çerçizit” dhe në fund e përfundon fjalimin duke thënë: “Ja ku e keni Çerçizin e ri, që do vrasë Bimbashin në Tiranë”.

Ka plot mundësi të përdorë edhe data të tjera nga kalendari i historisë sonë, për të bërë fushatë për “Vetëvendosjen”, por kjo e Lezhës ishte e tepëruar, se “për të mbuluar diellin me shoshë” kishte lodhur dhe disa “liderë” të tjerë shqiptarë në rajon.

Më së miri e kishte të merrte deputetin e tij Hysemadin Ferrajn. Ai i ka nja dy libra kundër Skënderbeut. Së paku e njeh mirë.

Mund të merrte dhe atë idhtarin e tij, që ka zbuluar se në kohë të Skënderbeut ne flisnim latinisht dhe jo shqip.

Hipokrizia e dytë e re që bëri në Lezhë, ishte zbulimi i tij se Kushtetuta e Kosovës nuk na mundëson bashkimin kombëtar.

Kushtetuta e Kosovës ka mbi një dekadë që është miratuar dhe Albini si “njeri i lexuar’ dhe mund ta kishte lexuar më parë. Nuk kishte pse shfajësohej para Skënderbeut, pse po hiqte dore nga bashkimi kombëtar për karrigen e tij.

Problemi është se Albinit i duhet një akt hipokrizie, për të shkuarën e tij si “idhtar i bashkimit kombëtar” dhe e paska gjetur pengesen në Kushtetutë. Njësoj siç fshiu historinë e “Vetëvendosjes” para zgjedhjeve për të harruar ç’kishte bërë kundër shtetit të ri të Kosovës, të cilin e njohu vetëm kur u bë kryeministër.

Hipokriza nuk ka fund. Por ka gjithmonë emrin e  Albin Kurtit.

Komento

Komente

  • Qazo: 02/03/2021 21:18

    Pema me kokrra gjuhet me gure...

    Përgjigju
  • Shqiptar: 02/03/2021 19:46

    Te them te drejteen Mero shkrimet tuaja i lexoj me endje dhe shpesh here me pelqejne, nganjeher kan nje doze mllefi (po eshte puna juaj). Kesaj radhe se mora vesh ne ishte mish apo peshk.

    Përgjigju
  • Ardian: 02/03/2021 19:41

    I madh mero... imadh

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?