Kultura

Historia e arbëreshëve në një muze në Vuno të Himarës! Kompleks muzeor, do të rikonstruktohen edhe kishat

19 Korrik, 11:56| Përditesimi: 19 Korrik, 12:19

  • Share

“Lindi edhe ideja e muzeut arbëresh në Shqipëri. Ne nuk e  kemi një muze, ndërkohë që komiteti arbëresh, ka ruajtur me fanatizëm reliket të jashtëzakonshëm dhe përfaqësuesit e atij komuniteti janë më shumë se sa të dëshiruar që ta kenë në Shqipëri muzeun e Arbëreshëve”

Ky premtim i kryeministrit Edi Rama, në samitin e 3-të të Diasporës në Tiranë, do të vihet në jetë shumë shpejt. Një vendim i ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhja, i 21 shkurtit i ka hapur rrugë ndërtimit në fshatin Vuno të Himarës të muzeut kushtuar historisë së arbëreshëve.

Muzeu parashikohet të ndërtohet në ish shkollën 8-vjeçare në Vuno, një prej fshatrave më të bukur të jugut të Shqipërisë, ku kanë prejardhjen shekullore një numër i madh arbëreshës, familjet e të cilave u shpërngulën nga kjo krahinë në shekullin XVII.

Në dokumentin e termave të referencës, miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale, thuhet se muzeu do të përfshijë ristrukturimin e të gjithë zonës.

Ish shkolla në Vuno, që duket në këto fotografi të siguruara nga "Report TV", ka dy ndërtesa. E para, njëkatëshe, që aktualisht përdoret si hostel për turistët, ndërsa një tjetër dykatëshe nuk ka përdorim, pasi gjendja është mjaft e degraduar.

Të dyja objektet do t’i nënshtrohen ndërhyrjeve arkitekturore dhe restauruese për rehabilitimin dhe adaptimin në muze.

Shkolla gjendet pranë Kishës së Shën Spiridhonit dhe Kishës së Shën Mëhillit, dy objekte, me status monument kulture kategori së I-rë, ndaj përmes këtij projekti synohet të rijetëzohen edhe hapësirat që lidhin këto objekte me njëra- tjetrën, si dhe propozimi i ndërhyrjeve restauruese për to. Pra, si një ansambël muzeal, që synon edhe të tërheqë vizitorë të shumtë.

“Ky kompleks është i përbërë nga një objekt njëkatësh, tërësisht i ri në ndërtim, por i pa rregulluar si objekt, nga një objekt 2 katësh, me fasadë të degraduar dhe teknikë ndërtimi tradicionale. Objektet lidhen me dy kishat nëpërmjet sheshit të përbashkët, shtruar me kalldrëm. Në pjesën e pasme të objektit 2 katësh ndodhet dhe një nga të paktat rrugica të fshatit, të cilat janë ende të shtruara me kalldrëm origjinal. Të dy kishat monument kulture, kanë nevojë për një strategji ruajtje konservimi dhe menaxhimi në tërësi së bashku me kompleksin.”, - vërehet në projektin e miratuar nga MEKI.

Krahas krijimit të një hapësire muzeore dedikuar historisë së arbëreshëve, projekti parashikon edhe ambiente për zhvillimin e aktiviteteve kulturore: hapësirë qendër dialogu; hapësira edukative etj.

"Muzeu kushtuar historisë së arbëreshëve do të përfaqësojë një institucion të ruajtjes së kujtesës sonë kombëtare lidhur me emigrimin e arbëreshëve drejt Italisë, ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar. Njëkohësisht, muzeu do të shërbejë si një  pikë turistike e shtuar në fshatin Vuno."

Projekti është ende në fazën e tij të hershme, por bëhet me dije se për realizimin e muzeut do të prezantohen tre projekte apo modele alternative, ndërsa muzealizimi do të kryhet në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë, IKTK, IKRTK, institucionet shkencore dhe te specializuara në fushën e historisë dhe jo vetëm, studiuesit dhe komunitetin Arbëresh në Kalabri.

Pjesë e punës do të jetë edhe një fushatë për mbledhjen e objekteve e të dhënave nga komuniteti Arbëresh në Itali, një fushatë kërkimore terreni në komunitetin Arbëresh, kontakte me muzetë arbëreshë, mbledhje objektesh: jeta e përditshme, kostume folklorike, të dhëna gojore, burime të shkruara, materiale fotografike, video, festa, materiale mbi personalitete të shquara arbëreshe etj.

Lidhjet mes Arbëreshëve dhe Himarës janë të shumta dhe jo rastësore dhe sot, familjet e fshatrave të Bregut që emigruan në Itali vijojnë të ruajnë zakonet e pasura, gjuhën, veshjet, festat, traditat, ritet e besimet e paraardhësve të tyre, edhe pse ruajtja dhe pasurimi i gjuhëve po bëhet shqetësuese prej lëvizjeve demografike dhe formave të reja të komunikimit.

B.G/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Akademi për trajnimin e administratës lokale, si e vlerësoni?