Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka komentuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili gjatë vizitës së fundit në Beograd foli për dislokimin e ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën.
Hovenier tha se “ne i përcjellim shumë për së afërmi një varg gjëra që mund të jenë burim jo stabiliteti në rajon. Dhe natyrisht, shpesh kemi folur publikisht kur ishim të shqetësuar për dislokimin specifik ushtarak rreth zonës kufitare. Dhe kjo vazhdon të jetë diçka që ne e përcjellim nga afër. Por, do të thosha gjithashtu se një nga mënyrat si e shprehim se sa seriozisht e marrim këtë është përkushtimi ynë afatgjatë për sigurinë e Kosovës, që më së mirë shprehet përmes misionit të KFOR-it dhe pjesëmarrjes së ShBA-së në të”.
“Ne besojmë se NATO është aleanca ushtarake më e suksesshme në historinë e njerëzimit. Kjo është një deklaratë shumë, shumë e fortë, por unë qëndroj prapa saj. Dhe fakti që keni një mision të NATO-s në Kosovë, me përgjegjësi për të ofruar mjedis të qetë dhe të sigurt dhe për të mundësuar lirinë e lëvizjes është tregues, përkushtim shumë, shumë i fuqishëm i bashkësisë ndërkombëtare i përkushtimit tonë ndaj sigurisë së Kosovës. Fakti që keni disa qindra ushtarë amerikanë si pjesë e këtij misioni në role drejtuese që e mbështesin këtë është tjetër pasqyrim se sa seriozisht e marrin Shtetet e Bashkuara këtë. Pra, unë ende fle mjaft rehat natën duke e ditur që NATO është atje, duke e ditur se ka ushtarë amerikanë në NATO dhe duke e ditur se ata janë të aftë të përballojnë çfarëdo kërcënimi ndaj sigurisë që mund të shfaqet”, tha Hovenier në intervistë për T7.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, e ka ritheksuar edhe njëherë qëndrimin amerikan për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai tha se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e tanishme të Kosovës dhe të mos ketë ndryshime të saj, të jetë në përputhje me vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese, nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv dhe nuk duhet të jetë nivel i tretë i qeverisjes.
“Nuk duhet të ketë autoritet ekzekutiv. Nuk duhet të jetë nivel tjetër i qeverisjes. Pra, ne – dhe partnerët tanë evropianë – e vlerësojmë që ky draft-statut, i cili i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, i përmbushë këto kritere. I përmbushë ato; është kufizuar në ato mënyra. Prandaj, jemi të bindur se mund të ecë më tej si i tillë. Edhe diçka, që mendoj se e kam thënë më herët, por mendoj se është e rëndësishme ta përsëris: çështja nëse ky draft-statut është kushtetues apo jo, mund të përgjigjet vetëm nga një organ. Sigurisht jo nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës apo kushdo tjetër. Kjo është përgjegjësi e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Për këtë arsye, sipas këndvështrimit tim, është mjaft e rëndësishme dhe urgjente që Qeveria të përfundojë procesin e saj, ta miratojë atë dhe ta çojë tutje ashtu që Gjykata të vendosë”, tha Hovenier.