U prit me shumë entuziazëm, por ndeshja e parë e Vllaznisë me Juventusin për fazën play-off të Champions League nuk shkoi aspak mirë. Kampionët e Seria A mposhtën 0-2 vajzat shkodrane në ‘Loro Boriçi’, ndërsa për trajnerin e Vllaznisë ky rezultat erdhi për shkak të një suprize në momentin e fundit.
Nikolin Leka, trajneri i Vllaznisë: “Ne e kemi ditur vështirësinë e kësaj ndeshje. Kundërshtari ishte shumë i fortë. Gjithsesi nuk jemi të dorëzuar. Në momentin e fundit një vajzë na doli me COVID dhe na u pridhën planet. Ishte e vështirë të zëvendësohej ai pozicion. Na u desh të ndryshonim 2-3 pozicione.”
Në kampin e italianëve fitorja krijoi shumë entuziazëm.
Xho Montemurro, trajner i Juventusit: “Për ne të ktehemi në Torino me rezultatin 0-2 ishte shumë e rëndësishme, sepse kemi luajtur në një fushë të rëndësishme ndaj një kundërshtari që ishte shumë i organizuar.”
Sipas trajnerit të Vllaznisë Nikolin Leka humbja nuk do të thotë se janë dorëzuar për objektivin grupet e Champions League.
Nikolin Leka, trajneri i Vllaznisë: “Do mundohemi të riparojmë diçka, çfarë mund të bëjmë për një javë. Nuk do shkojmë të dorëzuar, do bëjmë lojën e tonë atje. Gjithsesi do t’ia lëmë fushës së lojës.”
Ndeshja e kthimit mes Juventusit dhe Vllaznisë do të luhet javën e ardhshme me datë 9 shtator.