Nuk kisha qenë asnjëherë në studion e piktores Lumturi Blloshmi, ku brenda një hapësire të vogël ndjeva një kënaqësi tepër të madhe për aq pak sa pashë, pasi zbulova një artiste me një potencial të jashtëzakonshëm, edhe pse unë më shumë pëlqej pikturën e kavaletit sesa instalacionet, ku arti i saj konceptual është akoma më i theksuar. Por dhe në tablotë e saj, primare është koncepti, çka leximet e shumta filozofike nga Kierkergaard e Jung aq të dashur për të, e deri tek filozofët e shekullit XX i kanë dhënë një tjetër drejtim artit të saj. Jo thjesht një paraqitje, një imazh realist, të lexueshëm nga të gjithë, kudo qofshin, por një art në shërbim të një ideje të caktuar.
Vështroj një sërë tablosh të vendosura njëra pranë tjetrës, mbi mur, një shtëpi nostalgjike tiranase plot dritë që nuk e gjen më, me një ngrohtësi e humanizëm prekës, kalanë e Petrelës me një dritë sa të largët dhe të afërt, çadrat e diellit në plazh ku gjej të gjelbërtën e një Matisse apo të Sezan, një nudo tepër personale (“Burden”, me simotrat “Breeze” apo “Autumn”) që s’mund ta klasifikosh diku dhe më së fundi ndaloj tek një tablo që më tërheq menjëherë: Figura e Papa Kristo Negovanit! Dhe duke qëndruar ballë saj, më erdhi në mend një pasazh i një shkrimi kritik i poetit francez Henri Michaux, i cili kishte shkruar: “Librat janë të mërzitshëm vetëm t’i lexosh. Nuk ke zgjidhje tjetër. Duhet të ndjekësh fillin e tyre. Rruga është e përcaktuar, unike. Ndryshe është me tablonë: ajo të jepet menjëherë, e tëra. Pastaj ti vështron majtas, djathtas, si të duash. Pushimet në të nuk janë të përcaktuara. Sapo kemi dëshirë, syri e shikon përsëri të tërën. Pra në një çast, e tëra është ballë teje. E megjithatë, asgjë nuk është bërë e njohur ende. Dhe tashmë, duhet të LEXOSH… Të gjithë mund të lexojnë një tablo…”
Dhe unë, duke parë tablotë e saj, ndoqa këshillën e Henri Michaux… nisa ta lexoj këtë tablo. Po të ishte një tablo realiste, do të më ishte e lehtë për të kapur mesazhin e drejtpërdrejtë të piktores, por arti i dy dekadave të fundit të kësaj piktoreje është një pikturë konceptuale, të cilës duhet t’i kapësh fillin e artë për ta ndjekur dhe bërë tënden.
Shoh tablonë për Papa Kristo Negovanin, atë figurë tejet tërheqëse dhe impozante dhe për një çast mendoj: është një ëndërr apo një vizion në imazh? Sidoqoftë, kjo tablo para syve të ngjan me një imazh që e ka tronditur piktoren që në zanafillën e saj. Një imazh që e ka bërë të mendojë e pastaj t’i japë formë. Nuk është thjesht një krijim aty për aty, ku peneli e çon drejt krijimit të figurës njëherësh. Duket se është më shumë se kaq, pasi figura e priftit është e stërmadhe dhe një hije e hollë nga koka e tij shkon drejt kishës, poshtë, larg, e vogël, në sfond. Një prift nuk mund të imagjinohet pa kishën. Nëse kisha do të ishte në një format tjetër, kjo do të shkonte në kundërshtim me imazhin e saj fillestar. Figura e këtij prifti për këtë artiste i ngjan një tempulli ndërkohë që piktorë të tjerë në tema të përafërta, ajo që do i ngjante një tempulli do të ishte kisha dhe jo njeriu, jo prifti. Për më tepër një prift si ai, pasi ishte vetë kisha që e vrau dhe ja pse institucioni, në një rast të tillë zvogëlohet, zbehet, kthehet në hije.
Duke e vendosur këtë figurë me veladonin e zi në një sfond të kuq, mendon se kjo nuk është bërë thjesht për kontrastin e bukur figurativ që krijon e zeza mbi të kuqen apo anasjelltas. Ky klerik është vendosur në një mjedis dashurie, pasi e kuqja gjithnjë është konceptuar si ngjyra në simbol të dashurisë, forcës, fuqisë. Dhe ky klerik ishte një atdhetar i madh, dhe e kuqja sikur ta thotë këtë. Madje është një sfond i kuq, apo më mirë një njollë e madhe e kuqe konturuar nga e zeza përreth, ndoshta për të në çuar në një kohë të errët të këtij personazhi, të kësaj ngjarje tragjike që lidhet me vrasjen e tij në kohë pushtimesh.
Çdo tablo e Blloshmit më ngjan me një libër, një libër i formatit të madh. Më duhet të lexoj shumë, në rreshtat dhe midis rreshtave të saj, në hapësirat e ambiguitetit, për të hyrë brenda konceptit të saj për të përqafuar pastaj gjithçka ajo më ofron. Dhe padyshim, kjo do të ishte disi e ndryshme tek secili nga ne, në varësi të sensibiliteteve, optikës. A nuk na ndodh kështu dhe me tablotë “Biblical Exodus”, “Biblical Mysteries”, “Coma”, “Kryqëzimi i piktorit”, e shumë të tjera?
Lumturi Blloshmi më kujton gjithnjë piktorin Omer Kaleshin, që janë natyra të ndryshme pikturale. Kur e pyet Omerin se përse nuk është martuar, ai të përgjigjet si një i pafajshëm: “Piktura… Unë bëj dashuri me atë çka krijoj në telajo. Po të isha martuar, vështirë të bëja pikturë!...” Të duket e habitshme, naive, e pastër, por dhe e vërtetë. Historia e Rilindjes europiane na jep disa korifej të tillë. Kjo si duket ka ndodhur dhe me Lumen. Ajo është martuar me pikturën. Është bota e saj, ëndrra dhe zhgjëndrra, realja dhe irealja në të cilën jeton, haluçinacioni kromatik ku “harabelët” e saj fluturojnë ndryshe. Wshtë një marramendje e madhe, e rrufeshme, që e çon në magmën e krijimit ku ajo dëshiron të digjet, të kthehet në flakë, art. Po, dhe megjithëkëtë, është një gënjeshtër e vogël, një gënjeshtër e pafajshme, fëminore, që e ka sjellë në këtë gjendje, që fëmija i atëhershëm të bëhej një piktore me emër, edhe pse s’kishte pikturuar ndonjëherë. Kur mësuesja në klasë e kishte pyetur nëse dinte të pikturonte dhe nga dëshira ajo kishte pohuar me kokë, kur mësuesja i kishte zgjatur letrën për të vizatuar dhe u detyrua të vizatojë (ah, ç’torturë për një fëmijë për të vërtetuar diçka hipotetike) dhe vizatimi doli shumë i bukur, atëherë ky fëmijë do të niste udhën e gjatë të vizatimit, pikturës, botës pikturale. Nganjëherë gënjeshtrat e fëmijëve janë ogur, kur brenda kanë dëshirën e madhe dhe vullnetin për t’i përmbushur ato. U largova nga ajo studio tepër i gëzuar që kisha zbuluar një piktore të mrekullueshme… Tek dera më përcolli një fotografi e Ajshtajnit, ndërkohë që mbi komodinën e saj, një libër i Jung dhe një tjetër i Kierkegaard ballë përballë, dukej se kuvendonin për ardhmërinë e botës.