Ismail Qemali dhe Esat Pasha

Dosje

'I poshtër, vrasës', një 'luftë' me sharje me telegraf mes Esat Pashës e Ismail Qemalit

19 Korrik 2021, 10:09| Përditesimi: 19 Korrik 2021, 10:11

  • Share

Më 1912 Shqipëria u bë e pavarur, por në vend kishte disa pushtete. Në jug qeveria e Ismail Qemalit, në Shqipërinë e Mesme Esat Pashë Toptani, në Shkodër fuqitë e huaja si administratore, në veri malësorët që qeveriseshin vetë.

Rivaliteti mes Ismail Qemalit dhe Esat Pashë Toptanit ishte i madh. Vendi ndodhej para një lufte civile.

Kishte zëra që thoshin se Esat Pasha po favorizonte një turk për t’u bërë princ i Shqipërisë, ndonëse zyrtarisht përbetohej se përkrahte ardhjen e Princit Wilhelm zu Wied si sundimtar.

Më 9 janar 1914 disa forca që mbështesnin Esat Pashën kryen sulme në periferi të Elbasanit për të këputur lidhjet telegrafike mes Elbasanit dhe Vlorës.

Mytesarifi i Elbasanit Aqif Pasha, i cili ishte lojal ndaj qeverisë së Vlorës, i dërgoi një telegram Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit në Vlorë ku paralajmëronte rrezikun nga forcat e Esat Pashës.

Komisioni i Kontrollit ishte njëfarë UNMIK-u që duhej të kujdesej për qeverisjen e Shqipërisë dhe evitimin e kaosit total.

Komisioni dhe qeveria e Ismail Qemalit u mblodhën në Zyrën e Telegrafit në Vlorë për të komunikuar me Aqif Pashën, të cilin e porosisnin të mos dorëzohej, ndërsa Esat Pashës i bënin thirrje të ndalej.

Kështu nisi një luftë me telegrame mes Ismail Qemalit dhe Esat Pashës.

Oficeri holandez Lodewijk Thomson, i cili kishte ardhur në Shqipëri për të ngritur një forcë efikase policore, ka treguar se shkëmbimi i telegrameve mes Ismail Qemalit dhe Esat Pashës ishte një rast i papërsëritshëm për të studiuar fjalorin e sharjeve në gjuhën shqipe.

Esat Pasha e quante Ismail Qemalin “të poshtër” dhe “aventurier”, Ismail Qemali ia kthente: “grabitës”, “vrasës” etj.

Oficeri Thomson u vra në Durrës gjatë sulmit të fshatarëve të Shqipërisë së Mesme që mbështesnin Haxhi Qamilin.

Fan Noli i kushtoi një poezi Lodewijk Thomsonit (Thomsoni dhe kuçedra).

Te Ura, te Ura

Vraponi, o burra.

Me armë, me topa, me kordhë e me shpata.

Se dolli kuçedra e errët nga nata,

Se ngriti bajarakun e lyer me gjak

Dhe sulet prej Shjakut në Durës me vrap.

Kuçedr’ e Turqisë,

Hyen’e urisë,

E rrahur nga Greku, nga Serbi e Bullgari

Do gjak të thëthinjë dhe vjen te Shqiptari,

Si gjarpër zavarniset, i sillet përqark,

Me dinin në gojë, me helm në bark.

Përshkrimi i luftës së telegrafëve nga Thomson përmendet në librin Esat Pashë Toptani. Njeriu, lufta, pushteti të publicistit Ilir Ikonomi./ Nga Enver Robelli 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?