Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Opinion

I vetëm, para 4.200 foltoristëve…

10 Nëntor 2021, 16:31| Përditesimi: 10 Nëntor 2021, 16:33

  • Share

Shihej me mosbesim dhe akoma shihet si e tillë, mbledhja e 4200 firmave nga kreu i “Foltores” Sali Berisha. Por nga dje, ato janë dorëzuar në Këshillin Kombëtar të Partisë Demokratike, dhe pritet që në 11 Dhjetor, të mblidhen “foltoristët”, për të shkarkuar kryetarin Basha, dhe vendosur “disa rregulla ndryshe në statut”. Se sa janë vërtetë “delegatë” të Këshillit Kombëtar ata që kanë firmosur listën me 4200 emra, kjo vlen për diskutim, por një gjë është e sigurt, Lulzim Basha në 11 Dhjetor do të jetë përballë tyre. Në Statutin e PD, thuhet qartë se “kur firmosin më shumë se ¼ e delegatëve ,mblidhet Këshilli Kombëtar”. Por ajo që po ngjet me atë parti, e cila krizën e ka me vetveten, ka gjasa ta ndajë atë në 2 ose 3 partiçka të tjera. Me ndarjen, Partia Demokratike është mësuar. Prej saj kanë dalë PAD-ja, LZHK-ja, BLD-ja, dhe plot të tjera, kryetarët e të cilave kanë qenë dikur atje, dhe sot bëjnë sikur janë “aleatë” të saj. Postet dhe honorarët e dhëna dikur nga Sali Berisha, sot po i kthehen në “firma delegatësh” asaj partie.

Në dukje i “qetë”, Lulzim Basha duket qartë se është “tereziprishur” nga ajo që po ngjet me partinë e tij. Kjo pasi pas 11 Dhjetorit, ajo parti mund të mos jetë më e tij, por e dikujt tjetër. Për ta mbrojtur postin, Bashës i duhet një kompromis i madh, dhe kjo mbetet të bëhet veçse me Berishën. Por a thua të pranojë ai, të ulet dhe bëjë kompromis me ish-kryetarin e shpallur “non-grata”, kur dihet se SHBA mbetet katagorike në vendimin e saj ?

Natyrisht kjo nuk mund të ngjasë, por ja që situata e krijuar e detyron Bashën të marrë një vendim para 11 Dhjetorit, të dorëhiqet ose të përballet me 4200 firmat e Berishës. Kur ke shumicën kundër, padyshim je i humbur. Në rastin konkret, Basha duket se ka shumicën e anëtarësisë kundër, pasi duhet thënë se në 8 vjet, ai nuk u ka parë as derën dhe as fytyrën atyre që sërish e votuan për tu rizgjedhur si kryetar partie. Ai nuk e kishte menduar kurrë, se ata që e votuan në korrik, do ti ktheheshin kundër sot, duke u bashkuar me “foltoren” e ish-kryetarit. Lulzim Basha mbetet përballë dy zgjedhjeve, të ketë mbështetjen e SHBA-së (por pa mbështetjen e bazës), apo të ketë mbështetjen e bazës. Vetëm me mbështetjen e SHBA-së, nuk ka shanse të vijë në pushtet, sepse nuk merr votat e nevojshme, ndaj zgjedhja e tij në këtë situatë, mbetet treguesi më i mirë i aftësive dhe inteligjencës si politikan.

Çdo lëvizje e gabuar,do ti japë shansin Berishës ta flakë nga Partia Demokratike. Dihet si e shfryn inatin Berisha me ata që i shpall “armik”, ndaj dhe Lulzimi duhet të matet mirë dhe veprojë shpejt,pa humbur kohë. Duke e lënë pas dore bazën e partisë, duke nënvlerësuar rolin dhe afeksionin e saj ndaj Sali Berishës, kryetari në detyrë i PD Lulzim Basha, duket se ka kryer me dashje “ndarjen e madhe” e cila do ti sjellë mjaft telashe. Pas 4 humbjeve rresht, ai e ka të pamundur të vendosë me anëtarësinë e zhgënjyer lidhje të forta, e ka të pamundur të fitojë besimin e tyre, ndaj them se vetëm një “mrekulli” apo një lëvizje inteligjente, do ta shpëtonte atë nga shkarkimi de facto në 11 Dhjetor.

I vetëm para 4200 firmëtarëve foltoristë (apo dhe folkloristë) Basha do të tregojë nëse ja ka “vlejtur” përjashtimi i Berishës, dhe sa vlen ai vërtetë në atë parti……

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?