Sali Berisha

I vetmi peng i Edi Ramës paska qenë Sali Berisha

26 Qershor, 21:04| Përditesimi: 26 Qershor, 22:36

  • Share

Tashmë është e qartë se i vetmi peng i Edi Ramës paska qenë Sali Berisha.

Pas shpalljes së tij “non grata” për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazh të sistemit të drejtësisë, Berisha ka qenë “i detyruar” të jetë një gur shahu në lojën e pushtetit.

Shkatërrimi që i bëri PD-së dhe opozitës, infrastruktura e ngritur në të gjithë Shqipërinë nga njerëz mbështetës së Edi Ramës, mbështetja e fuqishme ekonomike dhe mediatike nga oligarkët e pushtetit, jo vetëm që i kanë shkuar përshtat socialistëve dhe kësaj mazhorance, por kanë qenë një sintoni perfekte për vijimin e qeverisjes së tyre pa kurrfarë shqetësimi, pavarësisht skandaleve të shumta korruptive.

Njohja, së pari, e grupit parlamentar të mbështetësve të Berishës si PD, pavarësisht vendimit në atë kohë të gjykatës, dhënia e vulës më pas dhe mosdjegia e mandatit të deputetit sipas parashikimeve kushtetuese, janë tregues i qartë se Berisha për Edi Ramën është një thesar i paçmuar, është një aset politik që, pavarësisht se ç’bën Amerika dhe SPAK, Rama bën gjithçka për ta mbajtur në lojë dhe për ta pasur përballë.

Nëse dy njerëzve të afërt të tij, siç ishin S. Tahiri dhe A. Ahmetaj, kushtetuta iu lexua drejt, duke ia ndërprerë mandatin, për shkak të mungesës 6-mujore në Kuvend, për Berishën u bë një lexim tjetër, duke e justifikuar si mungesë me arsye.

(Për një moment, imagjinoni sikur t'i ishte bërë në një situatë të ngjashme i njëjti lexim për Lulzim Bashën! Thjesht mbyllni sytë dhe imagjinojeni se çfarë do ishte thënë e çfarë do kishte këputur Berisha nga maja e Ballkonit të katit të 8-të!!!)

Në fakt, e vetmja “arsye” e Berishës është nevoja e Edi Ramës për ta pasur përballë në lojën politike.

Të mendosh që me Berishën nuk u ndoq as standardi i Tahirit dhe Ahmetajt, gjë që qartëson se kë do më shumë dhe kë ka më afër Edi Rama.

Atyre ua dogji mandatin, Berishës jo.

Të merremi vesh, përsa kohë kjo është një lojë e madhe, qoftë Rama, i cili kërkon ta ketë Berishën përballë, është në të “drejtën” e tij, por qoftë edhe Berisha, i cili, në një farë kuptimi, është i “detyruar” të luajë në vallen e qeverisë, për shkak të njohjes që i kanë bërë si lider i opozitës, është në të "drejtën" e tij.

Problemi është manipulimi dhe mashtrimi i opinionit publik, që i hidhet pluhur syve mëngjes e mbrëmje me pushtet që kacafytet për reforma të mëdha dhe opozitë të vërtetë që lufton korrupsionin e pushtetit të konsumuar.

Për të mos folur për një aradhë militantësh të pasy e paveshë që i shohin dhe dëgjojnë udhëheqësit e tyre me gojë hapur, pavarësisht çfarë veprojnë dhe çfarë artikulojnë.

Të gjitha janë mashtrime. Si pushteti ashtu edhe kjo opozitë, janë në shërbim të dy njerëzve, Ramës dhe Berishës, të cilët i luajnë të gjithë telat vetëm në funksion të vetes së tyre.

Kanë lidhur një aleancë për të shpëtuar veten dhe për të luftuar SPAK-un.

Se sa do t’ia dalin, ngelet për t’u parë.

Por ajo që është parë qartë deri më sot, është se i vetmi peng i Edi Ramës paska qenë Sali Berisha.

Askush tjetër!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • HAJDAR KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 27/06/2024 12:28

    Edi Rama çun komonisti Sali Bajga sekretar partie e ështē komplet normale qē kta jan bashk.

    Përgjigju
  • Nina: 27/06/2024 06:48

    Nuk e paskemi ditur sa i dashuruar paska qene Rama me Berishen

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?