Flamuri i SHBA

'Idhulli SHBA' dhe pse demokracia jonë është problem?!

3 Shkurt 2023, 18:07| Përditesimi: 3 Shkurt 2023, 18:09

  • Share

Në një shkrim të paradokohshëm, titulluar: “A është demokracia problemi?”, studiuesi Thomas Carothers, shkruan se: Sistemi politik i SHBA është me të vërtetë i rrethuar nga një nivel i lartë polarizimi përkundrejt një ndjenje të ulët të një qëllimi të përbashkët. A duhet të fajësojmë thjesht demokracinë,-pyet më poshtë apo duhet të fajësojmë veten për patologjitë e politikës sonë? Nuk do shumë të kuptohet se idhulli shqiptar demokratik tashmë e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm të kampionit të demokracisë.

Cilido shqiptar, i cili do pyetej në muajt e parë të ndryshimit në kapërcyellin e viteve ’90 e kuptonte ose e linte të nënkuptohej demokracinë si antipodin e diktaturës. Ardhja e Sekretarit të Shtetit Bejker më 23 Qershor të vitit 1991 e provoi për shumicën se kjo ishte gati e vërtetë, pasi në sheshin “Skënderbe”, mbushur si askurrë tjetër, të gjithë besonin se ishin javët dhe muajt e fundit të shkërmoqjes përfundimtare të së shkuarës para se të vinte ndryshimi i shumëpritur. Të paktën asokohe nga fjalët e numrit 2 të SHBA-ve. Pak më shumë se 30 vite më pas, në aspektin institucional për Shqipërinë ka një ndryshim të madh, krahasuar me atë ditë gati shëlbimi masiv. Shqipëria është anëtare fuqiplote në NATO; sot gjendet pranë armiqve të dikurshëm Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe, me një energji tre dekadike tashmë është në udhën e integrimit të Bashkimit Evropian. A mjaftojnë këto që Shqipëria të ndjejë demokracinë dhe jo korrupsionin e frikshëm, tollovinë institucionale, nepotizmin, mungesën e rotacionit të elitave politike e me radhë, që po e gërryejnë përditë? SHBA po e ndihmon Shqipërinë në disa nga reformat kryesore, ku ajo e Drejtësisë zë vendin kryesor dhe emri i Amerikës është baraz me përmendjen e një religjioni tek ne. Por, Amerika ka ndihur më shumë në aspektin abstrakt. Për çdo gjë, çdo individ, shoqëri, strukturë flet për modelin demokratik amerikan, ku çdo ambasador ka fuqinë e një guvernatori moral.

E megjithatë, mesazhet e tyre zyrtare si: lufta pa kompromis për eliminimin e korrupsionit, ai për promovimin e të drejtave por edhe të përgjegjësive që priten nga vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së, forcimin e pushtetit të ligjit kanë rënë në vesh të shurdhër, sistematikisht. “Koha ka ardhur përsëri për ndryshim. Ashtu si ishim me ndryshim-bërësit e vitit 1991, unë dhe miqtë e tjerë amerikanë të Shqipërisë jemi tani me këtë brez ndryshim-bërësish”, citojmë ish ambasadorin Rajërson, që mëton ende të besojë se Shqipëria ka nevojën e madhe të atyre viteve. Vërtetë fjalë të një njeriu që jo pak herë e hoqi petkun e ambasadorit në emër të ndryshimit.

Po a mos është vallë vetë shembulli amerikan që nuk frymëzon më në demokracitë alla-Shqipëri?! Apo është vetë ai, që nuk ka ndonjë interes të madh në problemet, që politikanët i kultivojnë si të brendshme? Rasti i non-gratave prej SHBA-së ndaj Berishës dhe i politikanëve të tjerë, Dako dhe Doshi pothuaj as nuk bëjnë përshtypje tek autoritetet shqiptare. Kuptohet veç Berishës nuk janë në parlament, por jo në të gjithë jetën e vendit. Ashtu si në Ballkan. Madje Berisha sfidon tashmë edhe qenësinë si njeriu kryesor i opozitës shqiptare. Nga ana tjetër, autoritetet e tjera ngërthyer në korrupsione, si dhe rasti i fundit me dyshimet mbi ish-zyrtarin e FBI-së, po e trandin frikshëm kryeministrin dhe të tjerët.

Zhvillimet e viteve të fundit, kudo nëpër botë, na kanë përballur habitshëm me tërheqjen e përshpejtuar të Shteteve të Bashkuara nga angazhimi i saj historik për promovimin dhe mbështetjen e demokracisë. Sfida e fuqishme nga regjimet autoritare e bëri edhe më të rëndësishëm heqjen dorë nga roli i tyre tradicional nga Shtetet e Bashkuara, shkruante Michael J. Abramoëitz tek “Democracy in crisis”.

Autori përmend dhe i referohet shumë me këtë rast gabimeve të qeverisë amerikane por shton faktin e rëndësishëm për ne se: populli i SHBA-ve dhe udhëheqësit e tyre në përgjithësi e kuptuan se mbrojtja për të drejtat e të tjerëve është  imperativ moral dhe i dobishëm për vetë ata.

Anemizmi i administratës së Obamës që i mbronte idealet demokratike, kur shprehej publikisht, por me veprime ishte larg tyre, treguan nisjen e një Ere të re, aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të ndikuar në ngjarjet botërore dhe gatishmërinë e publikut amerikan për të mbështetur përpjekje të tilla (Ibid).

Dhe, kuptohet se dërrmën ia dha viti 2017, kur administrata Trump e tregoi me të gjithë provat se parimet që do të udhëhiqnin këtej e tutje politikën e SHBA-së do të ishin ndryshe.

Slogani “Amerika e para” i Presidentit Trump, i krijuar dikur nga izolacionistët që kërkonin të bllokonin përfshirjen e SHBA në luftën kundër fashizmit, synonte nocionet tradicionale të sigurisë kolektive globale dhe tregtisë reciproke të dobishme. Armiqësia dhe skepticizmi i administratës ndaj marrëveshjeve detyruese ndërkombëtare për mjedisin, kontrollin e armëve dhe tema të tjera konfirmuan se një riorientim po merrte formë (Ibid). Dhe shqetësuese ishte se nga fjalori i tij nuk përmendej aq shumë fjala “demokraci” por ngriheshin aleancat e traktateve të Amerikës me demokracitë e tjera, ku theksi vihej  për lidhje kulturore ose qytetëruese në vend të njohjes së përbashkët të të drejtave universale. Nuk do harrohen madje edhe shumë nga ndjenjat e tij të admirimit dhe madje edhe miqësitë personale për disa nga të fortët dhe diktatorët më të neveritshëm të botës, i referohemi sërish analizës së mësipërme të Michael J. Abramoëitz.

Kjo e ka frikësuar sot botën sepse po përshfaq një paaftësi ose mungesë vullneti të Shteteve të Bashkuara për t’i drejtuar demokracitë në përballjen efektive me kërcënimin në rritje nga Rusia dhe Kina, dhe nga shtetet e tjera që sot po e bëjnë kaq të hapur pështjellimin demokratik.

Për fat, presidenti aktual Biden, duke kuptuar rëndësinë e përshkallëzimit të situatës, po e ndihmon Ukrainën me të gjithë mundësitë e mundshme brenda të gjitha konjukturave të tij institucionale, që deri tani po mbajnë disi larg një Luftë të Tretë me përmasa katastrofale.

Por, le të kthehemi në arealin tonë. A duket se demokracia nuk përputhet fare me modelin, që po ngrenë vendet e ardhur nga Lindja Komuniste e Evropës? A ka mundësi që vetë sistemi demokratik nuk mbahet dot nga gjunjët e vendeve si Shqipëria, që kanë njohur vetëm shtypjen dhe represionin? Pse, prodhojmë kaq shumë liderë autoritarë? Pse nuk dimë të bëjmë zgjedhje të lira?  Dhe, a duket se drejtimi i maxhorancës aktuale prej Ramës po e jep një qenësi të tillë? A nuk po duket se demokracia rrëmbehet nga të fortët dhe ata që modifikojnë gjithçka?

Shqipëria ka një demokraci, që jo vetëm nuk po merr dot formë, por institucionet e ngritura nga politika e pengojnë atë në çdo hap. Pushtetet me zor shihen, si të pavarura. Për të mos thënë që populli dhe shumë individë që flasin për demokracinë nuk arrijnë të kuptojnë as parimet më të qenësishme të saj. Ndaj, demokracia jonë, sot, po përballë me një stad qeverisje që lë shumë për të dëshiruar, pa e definuar dot këtë sistem krejtësisht hibrid, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Demokracia shqiptare më së shumti sot duket dhe trajtohet si sistemi i mjeteve që krijon kamje për pakicën, brenda një kohë që nuk përputhet me përpjekjet në kurriz të shumicës. Ndaj, liria tek ne u përcoll e vazhdon me toka të xanuna, prona konfuze, start-up biznese në kurriz të të tjerëve. E kemi ende një ngushëllim edhe këtu. Dhe, kjo sërish vjen nga aty, nga drejtimi i busullës sonë, ku demokracia ushtrohet, provohet dhe kontrollohet për çdo ditë: SHBA. “Në përpjekjen për të shpjeguar prejardhjen dëshpëruese të politikës dhe qeverisjes amerikane në paralizë të përhapur, konflikte dhe mediokritet të plotë, është e vështirë të mos pyesim veten nëse shumë nga të këqijat tona vijnë nga mangësitë e brendshme të vetë modelit demokratik – të metat e disenjimit të demokracisë, nëse duhet”, shkruan tek “A është demokracia problemi?”, studiuesi Thomas Carothers. Dhe, shembulli është i gatshëm për vendet si Shqipëria, që po mundohen të bëjnë demokraci, por shpesh duke luajtur pa kanonet bazë të demokracisë, ku liria jo pak herë kthehet në anarshi, por edhe pa llogari; ashtu si hapësira e jetës së dikujt, shpesh bie ndesh me hapësirat e tjera jetike, në kurriz të fitimeve dhe privilegjeve të pameritura.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?