Dje, meqë prej 2-3 ditësh kisha pak kollë të thatë, shkova të bëja një test covidi (mos nxitoni të më uroni ‘të shkuara’ se rezultoi një laringit i lehtë). Infermieria ishte vajzë e re, nja njëzetë e ca vjeç. Fytyra e saj e rregullt dhe tërheqse, e humbiste thujase tërë nurin, ngaqë gjithë kohës ishte hundë e buzë, si t’i kish ngrënë gomari bukën.
M’i fuste dhe m’i nxirrte kunjat me pambuk në thellësi të grykës dhe të hundës me aq mëri, saqë më erdhën në mend rekrutë, që shpojnë me bajonetë tufa misri lidhur në hunj, parë gjatë fëminisë kushedi në ç’film të tipit ‘Fanfan tulipan’.
Nuk e di pse m’u dhemb, ndaj pasi i kërkova leje për ‘i dhënë një këshillë, i thashë me dashamirësi babai se mbase do ishte mirë të buzëqeshte herë pas here. Ik, mor plak matuf, ma përplasi turinjve.
Që jam plak, e kuptojnë edhe kalamajtë e kopshtit, po që qënkam matuf nga ta ketë marrë vesh vallë?