Ilir Meta ka takuar sot pasardhësin e Nikolla Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, kreun e VRMO-DMNE, partisë nacionaliste që kërkon të ulë peshën e shqiptarëve në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehet hapur pro fitores së Hristo Mickovskit, i cili është një koalicion me parti kundër NATO-s dhe pro Rusisë. Në fakt nuk është hera e parë që Ilir Meta e bën këtë. Në vitin 2017, Meta bëri të gjithë përpjekjet që të mbetej në qeveri Nikolla Gruevski.
Sot në Maqedoninë e Veriut, ekziston një koalicion i gjerë i partive shqiptare dhe partive të tjera të kombësive në vend, që quhet Fronti Europian. Ky koalicion është qartasi pro aleancës me Perëndimin, e drejtohet nga BDI e Ali Ahmetit./TemA
"Fitorja e pritshme e VMRO-DPMNE në zgjedhjet e afërta do t'i japë një dimension të ri zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut në të ardhmen nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj. Të mos harrojmë se vizioni dhe politikat e saj në qeverisje e shndërruan Maqedoninë e Veriut, vendin e 10-të në botë dhe të 5-të në Europë për klimën e biznesit dhe investimet e huaja.
Falë vizionit të VMRO-DPMNE, Maqedonia e Veriut shpërtheu për rritjen e bujqësisë dhe blegtorisë duke e nisur me 10 milionë euro financim në vit e duke e çuar në 200 milionë euro. Ekipi i ri i VMRO-DPMNE besoj se ka mësuar mjaftueshëm nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe pasojat e nepotizmit, të cilat eklipsuan arritjet e jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugën euro-atlantike dhe përsëri shqiptarët do të jenë garancia kyçe për këtë!", shkruan Meta.