Ngjarjet e këtyre ditëve që nisën me aksionin vetjak të Edi Ramës në Vlorë e që u pasuan me ato që ndodhën në Theth, janë një pasqyrë e trishtuar e realitetit demokratik shqiptar. Nuk është hera e parë që Rama akuzon të tijtë më keq dhe më ashpër se çfarë bëjnë ndonjëherë opozitarët e tij në opinionin publik. Mirëpo e keqja përsëritet dhe duket se një regji e fshehtë e drejton kaosin dhe rrumpallën e këtyre 30 e ca vjetëve tranzicion.
Përveç anës së jashtme dhe paraqitjes para botës që kemi bërë në këta vjet, të tjerat, pra shteti shqiptar, nuk funksion. Ligjet nuk i zbaton njeri, drejtimi në këtë vend është voluntarist dhe vendi ecën ashtu si një maune e madhe që është gati të rrëzohet nga çasti në çast. Si ka mundësi që ndërtimin më të madh në Theth, në shkelje të të gjitha ligjeve dhe duke sfiduar shtetin, e bën një super i kërkuar nga policia?
Prekë Kodra, personi që donte t’i bënte atentat Albin Kurtit, ndërton në zonën më të bukur në Shqipëri sikur në këtë vend të mos kishte as polici, as Shërbim Informativ, asgjë. Ironia më e madhe është se ai është ndër personat më të kërkuar nga policia !!! Kryeministri Rama e akuzoi zotin Dredha, kryebashkiakun e Vlorës, se 500 m larg zyrës së tij po ndërtohet një pallat pa lejë. Pak ditë më vonë u tha që u sekuestrua pallati pa lejë që i përkiste një ish-drejtori të ujësjellësit në Vlorë. Disa ditë më pas, Shqiptarja.com botoi një lajm në kuadër të hetimit që po i bëhet Jonaid Myzyrit, ish kreut të Komisionit të Prokurimeve Publike, se një punonjëses së tij, përkatësisht Jonida Skejës, e cila është vënë në përgjim para disa vitesh, i janë vjedhur në banesë 200 mijë euro dhe i vëllai është mbajtur peng.
Një histori e rëndë kjo që të kujton atë punonjësen tjetër të shtetit shqiptar së cilës pastruesja i kishte vjedhur mbi 500 mijë euro. Në kulmin e kësaj zallamahie, prokuroria e Fierit hap kutinë e Pandorës dhe merr të pandehur drejtuesit e kompanisë Bankers të dyshuar për vjedhje gjigande prej shumë e shumë vitesh. Kjo kompani që po shfrytëzon në mënyrë makabre nëntokën shqiptare dhe që është denoncuar disa herë nga profesionistët e naftës dhe të tjerë, kishte fituar statusin e të paprekshmit, ashtu si krimet e Sali Berishës, por një prokuror i thjeshtë jo nga ata të SPAK-ut, jo soji i Olsi Dados dhe të tjerëve që kapardisen nëpër tribuna stadiumesh, hap çështjen më të nxehtë të tranzicionit dhe SPAK-u hesht.
Ai prokurori i Fierit që mori të pandehur drejtuesit e Bankers, është dëshima më thelbësore se SPAK ka falimentuar dhe se reforma në drejtësi duhet ribërë. Ai prokurori i thjeshtë i Fierit që nuk ka as rojat dhe as mbrojtjen e Altin Dumanit, duhet të bëhet modeli i heroit dhe i nëpunësit të pakorruptuar. Mirëpo, po ato ditë një televizion jepte vizitën e Altin Dumanit në një institucion dhe kamerat kishin bërë kujdes të jepnin pamjet e rojave dhe truprojave që e ruanin Altin Dumanin si të ishte Donald Trump. Sa turp ! Ndërsa ai prokurori i Fierit që ka hapur çështjen më të bujshme të korrupsionit në këtë vend, jeton si gjithë të tjerët dhe nuk na shfaqet si Ols Dado në tribunat e stadiumeve.
Vetëm në Shqipëri ndodh që mund të futesh në burg e të vuash dënimin dhe të dalësh që andej më i bukur se më parë, me flokë të mbjellë dhe hundë të hequr. Këtë dhuratë që u bën Ulsi Manja opozitarëve të dënuar, e kompenson me forcën e dhunës dhe të torturës ndaj Erion Veliajt, sepse ai, si njeriu më i afërt i Edi Rmës, e bind komandantin se kështu forcohet ligji. Ndaj edhe zoti Rama, një ditë pas kësaj poston një video ku Ulsi Manja inspekton një burg modern që është në ndërtim e sipër. Vetëm se nuk marrim vesh a do ketë aty edhe klinikë për operacione plastike apo jo.
Në Shqipëri nuk ka opozitë, ka vetëm luftë të një grupi kriminal që drejtohet nga Sali Berisha dhe disa fanatikë të tij të cilët jo vetëm që nuk frymëzojnë askënd, por përballë skandaleve të tilla nuk kanë asnjë moral që të ngrenë zërin. Beteja e tyre personale me Edi Ramën që i ka mundur, i mund dhe do t’i mundë vazhdimisht në zgjedhje, u ka dhënë atyrë komoditetin që të zaptojnë foltoren e opozitarizmit në këtë vend dhe të asfiksojnë demokracinë. E vetmja gjë që përbën lajm nga opozita janë flokët e mbjella në burg të Ervin Salianjit dhe ato të mbjella më parë të Belos.
Shqipëria është në krizë të thellë të modelit ekonomik. Lajmet tragjike për larje hesapesh apo krimi tjetër i rëndë ndaj të riut nga Mati që u mbyt e u hodh në lumë është vetëm maja e ajsbergut e një shkatërrimi që nuk dihet se kur do mbarojë. Motivi i jetës në këtë vend, për fat të keq, po bëhet fitimi me çdo kusht. Fëmijët, të rinjtë dhe të tjerët, po ashtu, kanë zgjedhur rrugën e fitimit përmes krimit. Promovimi në hapësirën shqiptare i luksit të shfrenuar, reportazhet për të pasurit dhe vilat e tyre, heqja dorë nga edukimi dhe rrënimi i shkollës duhet të jenë këmbana alarmi. Mirëpo, duket se askush nuk e sheh këtë humnerë që kemi përpara.
Komente
