Atë ditë shkova të takoja nënën si çdo fundjavë. Ka kohë që është në shtrat e s’mund të lëvizë më. E përshëndeta si zakonisht dhe e pyeta për ato që një i moshuar ka dëshirë ta pyesin në atë moshë. U ngrit pak nga shtrati, vendosi supet mbi jastëkun e ngritur dhe filloi të fliste. Duke folur me të, herë pas here, më ngacmonte ideja për ta pyetur edhe për diçka tjetër. Kisha kohë që po shqyrtoja dokumente, rrëfime dhe intervista të të internuarve në diktaturë, kryesisht në fillimet e persekutimit. Të afërmit e mi: gjyshja, baba dhe nëna kishin qenë në valën e parë të persekutuarve. Nga këta vetëm nëna është gjallë dhe sigurisht që mban mend gjithçka, por deri tani nuk kam dashur ta përfshij në kërkimet e mia.
Teksa e dëgjoja të fliste ashtu, me zë të ngadaltë, mendova ta lë mënjanë dilemën. Ndeza diktofonin, e lashë mbi komodinën pranë shtratit dhe gjeta momentin për t’i kërkuar të më tregonte ndonjë detaj a histori nga vuajtjet e saj në internim. Çuditërisht nuk kërkoi ndonjë shpjegim. Vazhdoi të tregonte me të njëjtin intonacion, siç tregon edhe historitë e tjera. Sytë i kishte ngulur në cep të shtratit dhe herë pas here, i kthente nga unë, si për të kontrolluar ndonjë shenjë në mimikën e fytyrës sime. Filloi të tregonte se si e kishin thirrur në Degën e Brendshme për ta internuar në Tepelenë, me gjithë gjyshen dhe djalin 4 vjeç. Pastaj, një miku i babës i ishte lutur t’ia linte djalin për ta çuar tek dajat, sepse sipas fjalëve të tij “po t’maron n’Tepelenë se atje a ka bahet nami”.
Vazhdoi të më rrëfente për punën e detyruar, vuajtjet… dhe kur përfundoi tregimin, pas një pauze të shkurtër, u kthye vrik nga unë, thua se s’kishte qenë kurrë në shtrat, sy të hapur: N’Tepelenë nuk vdiq kurrkush! Shtanga. Më kishte drejtuar sytë që nuk i sheh kurrë te një i moshuar, sytë që nuk ja kisha parë kurrë nënës sime. Nuk po arrija ta njihja mirë. Ishte nëna ime që po kërrusej nga shtrati, për të më bindur se ajo që tha ishte e vërtetë? Ndërsa kisha përballë fytyrën e saj të tendosur, ato pak sekonda, u mundova të kuptoja përtej asaj që tha, u mundova të shihja përtej syve të saj. Fillova të kuptoj se detyrimi që ajo ta thoshte atë frazë me zë të lartë, vinte nga një kohë e largët dhe nga një vend i largët. Mbi supet e saj të brishta, pashë kërcënimin që i kishte rënduar për 70 vjet. Me sa duket, asokohe, e kishin urdhëruar të mos rrëfente atë që kishte parë në kampin famëkeq të Tepelenës.
Mu dhimbs shumë. Si mund të të mbajë peng kaq gjatë, një brengë e tillë. Ishte fati i saj i keq që kishte parë e dëgjuar gjëra të tmerrshme, por ishte edhe më e rëndë që i kishte mbajtur përbrenda gjithë jetën. Damarët e tendosur në fytyrën e saj, filluan të çlirohen pak nga pak dhe uli kokën me ngadalë. Dukej sikur ajo minutë e lodhi sa një jetë. U qetësua dhe e ktheu vështrimin përsëri në cep të shtratit. Nuk e di a bëra mirë që e pyeta. Ndoshta nuk është e lehtë t’ia tregosh disa gjëra fëmijës tënd. E dija që nuk mund ta hapja më atë bisedë, ndoshta kurrë. Pas gjithë atyre hulumtimeve që kisha bërë nga njerëz të ndryshëm, për vitet e para të persekutimit, m’u duk sikur gjithçka u rrëzua, sikur asgjë s’ishte më e vërtetë. Instinktivisht, ndoshta nga forca e zakonit të profesionit doja ta kundërshtoja. Nuk po arrija të mendoja si bija e saj, por si një gazetare që ka përballë një person për ta intervistuar.- Si nuk vdiq kurrkush? Po moj Zojë kanë vdek’ shumë njerëz atje. …edhe fëmijë – i thashë. - Mue për Tepelenën mos m’dvet ma. Nuk due me e kujtue kurr ma. Atje asht ba ç’a s’asht ba kurr n’ftyr t’toks… Qëndroi ashtu e kërrusur edhe për pak çaste, pastaj i lëshoi supet në jastëk dhe u kthye ngadalë nga ana tjetër/ kujto.al
In Memoriam për gratë e kampit të Tepelenës
Të afërmit e mi: gjyshja, baba dhe nëna kishin qenë në valën e parë të persekutuarve. Nga këta vetëm nëna është gjallë dhe sigurisht që mban mend gjithçka, por deri tani nuk kam dashur ta përfshij në kërkimet e mia.