Busti i Eqrem Çabejt para ASHSH

Përurohet busti i Eqrem Çabejt, Rama: Lartmadhëria e shkencave albanologjike

25 Qershor 2018, 15:11| Përditesimi: 25 Qershor 2018, 17:18

  • Share

Në rrugën që të çon në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u përurua sot busti i Eqrem Çabejit. Është vepër e skulptorit të njohur Hektor Dule, që e ka njohur nga afër gjuhëtarin.

Në zbulimin e bustit ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama. Ai ka vlerësuar rolin dhe kontributin që Çabej ka dhënë për gjuhën shqipe.

 “I fal edhe këtij parku një copë ndjesie çabejane, pa qenë ngacmues për të gjithë të tjerët rreth e rrotull”. Busti i Eqrem Çabejt në zemër të Tiranës, një vepër e bukur për një njeri të bukur, të cilin përkushtimi dhe kontributi për gjuhën e shqipe e ktheu përjetësisht në Lartmadhërinë e shkencave albanologjike

Mungesa e Eqrem Çabej e bën të pamundur të rroket me një fjalë të vetme përkufizimi që më është dukur i më i godituri për personalitetin e mëshiruar në këtë vepër në bronz. Me siguri po të ishte Çabej do ta na e kishte dhënë togfjalëshin e duhur të kësaj reference. Nuk dua të marr përsipër të shpjegoj apo të përshkruaj vlerat e këtij portreti. Kemi parë shumë përpjekje të kthyera në bronz. Por, në këtë rast besoj që jemi përpara një përpjekje që e rendit bustin e Çabejt, në pesë gishtat e dorës mjeshtërore të skulpturës shqiptare.”, tha Rama 

 

Rama ka vlerësuar veprën edhe për cilësitë artistike duke e krahasuar mjeshtërinë e Hektor Dules me atë të Odhise Paskalit. “E rendit në 5 gishtat e dorës mjeshtërore të skulpturës shqiptar. Me  siguri po të ishte këtu, Eqrem Çabej do të na e kishte dhënë pa mundim  fjalën, apo togfjalëshin e duhur në gjuhën tonë të kësaj reference.  Megjithatë, mjeshtëria e Hektor Dules ia ka  dalë ta skalisë për përjetësinë atë çka do të ishte e pamundur të  përmblidhej në një fjali, apo në një paragraf, atë çka Eqrem Çabej la  jo vetëm si gjurmë, por edhe si frymë në të gjithë damarët e trupit të  shqipes.”, u shpreh Rama për punën e skulptorit Dule.  

Ndërsa vetë skulptori Hektor Dule është shprehur se i është dashur një kohë e gjatë derisa t’i jepte imazhin e arrirë. “Ka qenë mbresa e një momenti kur unë flisja dhe ai dëgjonte me dorën të vendosur në mjekër”, është shprehur skulptori. .

Për vitin e “Skënderbeut”, Kryeministri i kërkoi vajzës së gjuhëtarit, Brikena Çabejit, një nder, publikimin e një thesari kombëtar, tezën e  doktoraturës së Eqrem Çabejt, kushtuar  arbëreshëve në Siçili”, vepër që ende nuk është përkthyer në gjuhën shqipe.

Ky vit është viti i 550-vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe në të njëjtën kohë, ky vit, për këdo që mund ta ketë harruar, apo që nuk e di, është viti i 85, apo 86-vjetorit të një thesari kombëtar, tezës së doktoraturës së Eqrem Çabejit, mbrojtur në Universitetin e Vjenës, me titullin “Studime italo-shqiptare” kushtuar horës së arbëreshëve në Sicili.

Unë besoj që Brikena do ta marrë seriozisht botimin dhe rikthimin në jetë të këtij studimi historik, që padyshim do të stimulojë edhe një debat cilësor dhe do të ishte e mrekullueshme sikur ky thesar të niste të debatohej në Samitin e Diasporës, që ne do të mbajmë në 26 dhe 28 nëntor të këtij viti e që do i kushtohet albanologjisë. Albanologjisë së rigjetur si pasion dhe si domosdoshmëri në rrugën e mundimshme drejt njohjes, deri në zbulimin e rrënjës së fundit të bijve të shqipes në krahinat dhe në qindra fshatrat e vendit amë.

Nëse Brikena e merr përsipër këtë sfidë, pa asnjë diskutim që edhe unë dhe të tjerë dashamirës që janë këtu, mbledhur rreth bustit dhe Hektori e tha, pa të cilët busti nuk do të ishte realizuar, jemi të gatshëm që ta mbështesim për të kapërcyer të gjitha pengesat që zakonisht u dalin në Shqipëri të gjithë punëve të mira. Patjetër që atëherë publikimi i këtij thesari do të mbetej, siç Eqrem Çabej ka mbetur, si ajo shprehja që ai vetë shkruante për Naim Frashërin, “frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

Në mbyllje të fjalës së tij, Rama nuk ka kursyer as batutat.

Shumë faleminderit për durimin që më dëgjuat mua që flas për Eqrem Çabejn, që ky është kulmi në fakt… Sepse nuk ka asnjë krahasim dhe asnjë mundësi barazimi, qoftë edhe për politesë, dhe shumë faleminderit Hektorit që ma lehtësoi fjalimin, sepse pashë që ndërkohë që unë flisja shumëkush shikonte skulpturën dhe patjetër edhe një falënderim i veçantë atyre që bënë realizimin e kësaj vepre në kohën e duhur dhe vendin e duhur.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama

E bija e Eqrem Çabejt, Brikena është shprehur gjithashtu e emocionuar për punën e skulptorit Hektor Dule.

“Më pëlqen shumë-shumë”, tha Brikena Çabej.


(Edi Rama në përurimin e bustit të Eqrem Çabej)

Përurohet busti i Eqrem Çabejt, Rama: Lartmadhëria e shkencave albanologjike
//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?