Një incident i pazakontë ndodhi gjatë etapës së 11-të të 'Turit të Francës' në çiklizëm, kur një protestues u fut në pistën e garës pikërisht në momentet vendimtare të sprintit final. Burri, i veshur me një shall palestinez dhe një fanellë ku shkruhej “Izraeli jashtë Turit”, arriti të kalonte barrierat e sigurisë dhe të vraponte përgjatë vijës së finishit në Toulouse.
Ngjarja ndodhi në sekondat kur norvegjezi Jonas Abrahamsen dhe zvicerani Mauro Schmid po përballeshin për fitoren e etapës. Fatmirësisht, asnjëri prej çiklistëve nuk u pengua nga protestuesi, i cili u neutralizua pak sekonda më vonë nga policia dhe u arrestua menjëherë.
Incidenti ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë në ngjarjet madhore sportive, sidomos në një garë si 'Tour de France', ku mijëra tifozë janë të pranishëm përgjatë rrugës çdo ditë.
Organizatorët ende nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare për ngjarjen, ndërsa pritet të ketë masa shtesë sigurie në etapat e mbetura të garës.
Komente
