I penduari i drejtësisë i cili vuan dënimin në burgun e Drenovës është infektuar me Covid-19. Luftar Reçi ka rezultuar pozitiv para pak ditësh dhe për trajtim më të specializuar është transportuar në spitalin e Korçës, ditën e djeshme.
Luftar Reçi ka dhënë detaje për drejtësinë për 2 vrasje të bujshme ku përfshihej Emiljano Shullazi dhe Lul Berisha.
Në burgun e Drenovës ka ende të prekur me Covid por shifrat nuk bëhen me dije nga ky institucion. Më herët 3 prej të dënuarve janë dërguar në Tiranë për shkak të gjendjes shëndetësore pas infektimit.
Luftar Reçi, njeriu që me dëshminë e tij i ka dhënë në prokurorinë e posaçme SPAK, i hapi probleme emrave të njohur të botës së krimit në Shqipëri, që veprojnë në Tiranë, Durrës dhe Vlorë.
Reçi, një i dënuar me 25 vite burgim nga gjykata e Burrelit, për vrasjen e Maksim alias Aleks Lalës, ka treguar në tre rrëfime atë të datës 21 tetor, 31 tetor dhe 26 nëntor 2020, të gjithë veprimtarinë kriminale që ka pasur me Lulzim Berishën dhe anëtarët e tjerë të bandës së tij si dhe të vrasjes së biznesmenit Vajdin Lamaj.