Opinion

Zaloshnja: Inflacioni është dramë për shumicën, papunësia tragjedi për një pakicë

27 Shtator 2022, 18:18| Përditesimi: 27 Shtator 2022, 22:28

  • Share

Inflacioni, ose rritja e çmimit mesatar të shportës së produkteve dhe shërbimeve që konsumon popullsia, ndodh kur kërkesa për to është më e madhe se sa oferta. Nivele të larta të tij evidentohen kur rriten paratë në qarkullim (si rrjedhojë, rritet kërkesa për mallra e shërbime), kur ka pengesa/çrregullime në sistemin e furnizimit me mallra e shërbime (si rrjedhojë, kostoja u rritet dhe ofrohen me çmime më të larta në treg), ose kur ka një ndërthurje të këtyre dy faktorëve.

Papunësia, ose pamundësia për të gjetur punë e një pjese të popullsisë që kërkon vende pune, arrin nivele të larta kur Prodhimi i Brendshëm Bruto tkurret. Kjo ndodh kur disa biznese falimentojnë dhe shumë të tjera pakësojnë prodhimin dhe fuqinë e tyre puntore.

Kur rritja vjetore e çmimit mesatar të shportës së produkteve dhe shërbimeve që konsumon popullsia arrin 10%, p.sh., dhimbjen e ndjen rreth 90% e popullsisë; 10-përqindëshi i super të pasurve nuk ndjen gjë, se shpenzon vetëm një pjesë të vogël të të ardhurave për konsum të përditshëm.

Kur papunësia arrin nivelin 10%, p.sh., dhimbjen e ndjen vetëm 10% e popullsisë – madje për këtë pjesë është tragjedi. Por ndërkohë, 90-shi tjetër i popullsisë vazhdon konsumin si më parë…

Për këtë arsye, inflacioni konsiderohet si një killer elektoral për partitë në pushtet. Kështu, partia e Presidentit Biden pritet të pësojë disfatë në zgjedhjet kongresuale (pas 50 ditësh), edhe pse papunësia është në nivele të ulta rekord (3.7%) dhe Biden ka nënshkruar dy inisiativa të rëndësishme financiare, tejet të mirëpritura nga publiku i gjerë (Inflacioni vjetor arriti 8.3% në gusht, niveli më i lartë në 40 vjet në SHBA).

Në Shqipëri, sipas INSTAT-it, inflacioni vjetor arriti 8% në gusht. Dhe pritet të rritet edhe më, me rritjen e çmimit mesatar të energjisë elektrike për shumicën e familjeve gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Dhe me rritjen edhe më tej të inflacionit, do të rritet edhe më tej pakënaqsia e 90% të popullsisë që e ndjen dhimbjen e inflacionit. Se sa kjo pakënaqësi do të përkthehet në dezertim të elektroratit socialist në zgjedhjet lokale pas 200 ditësh mbetet të shihet…

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?