Inflacioni i lartë, BSH rrit sërish normën bazë të interesit! Sejko: Objektivi, ruajtja e stabilitetit të çmimeve të shportës

2 Nëntor 2022, 16:23| Përditesimi: 2 Nëntor 2022, 17:40

  • Share

Banka e Shqipërisë rrit normën bazë të interesit në 2.75%, nga 2.25% që ishte deri në fillim të nëntorit. Guvernatori Gent Sejko, në deklaratën e përmuajshme për shtyp, u shpreh se vendimi synon respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve

"Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, nga niveli 2.25% në nivelin 2.75%;të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.25% në nivelin 3.75%; të rrisë me 0.5 pikë përqindje normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.25% në nivelin 1.75%. Në gjykimin e Këshillit, normalizimi gradual i qëndrimit të politikës monetare, nga pozicioni ende stimulues i saj në trajtat aktuale në një pozicion më neutral, është një masë e domosdoshme për respektimin e objektivit tonë të inflacionit të çmimeve", tha Gent Sejko.

Sejko tha se inflacioni i shënuar në tremujorin e fundit, i cili arriti vlerën 7.9%, preku edhe produktet e shportës që prodhohen në vend. 

"Këta grup-artikuj gjeneruan rreth 80% të inflacionit total në tremujorin e tretë.  Rritja e çmimeve ka filluar të jetë e pranishme në pjesën më të madhe të shportës, përfshi edhe ata artikuj pjesa më e madhe e vlerës së shtuar të të cilëve krijohet në vend. Kjo ecuri sugjeron rritjen e njëkohshme të bazës dhe të intensitetit të presioneve inflacioniste. Çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe të energjisë, sjellin një rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit", tha Gent Sejko.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se një lajm i mirë është ulja e normës së papunësisë, si dhe rritja e pagave në sektorin privat dhe publik në vlerën 11.9%. Sejko po ashtu vuri në dukje se pas rritjes së lartë ekonomike në tremujorin e parë, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% në tremujorin e dytë, ndërsa ky trend pozitiv do të vijojë dhe në fillim të vitit tjetër, edhe pse nënvizon se në kushtet e një ekonomie nën presionin e inflacionit parashikimet janë gjithnjë me marzh të lartë gabimi.

Komento

Komente

  • Vagsj: 02/11/2022 16:45

    Hahaha…do rritesh normen e interesit se e ke ekonomine super te forte dhe super te nxehte e? Nuk e di se cfare keni filluar te pini, te gjithe si qeveri! Hik o Sejko dhe mos kopjo si dordolec politikat monetare qe nuk i kupton! Rritja e normes se interesit rrit koston e huase. Thjesht ben borxhin dhe kredine me te shtrenjte. Kjo manover i ben njerezit me te varfer dhe rrjedhimisht ul kerkesen (blerjen) per mallra te ndryshme duke ndikuar ne renien e cmimeve. Ne modelin ekonomik qe Shqiperia ka tani per tani Gent Sejko mendon se rritja e cmimeve vjen nga super shpenzimet qe bejne pensionistet ne Shqiperi dhe zgjidhja qe jep eshte….Ja t’i bejme Shqiptaret, sidomos pensionistet pak me te varfer sec jane, qe te na bjere cmimi i miellit dhe orizit. Eshte problem oferte mre gent sejko dhe jo problem kerkese qe perpiqesh te godasesh!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?