Për detin, malin por edhe vendet kulturore, çdo vit e më shumë, vendi ynë përzgjidhet gjithnjë e më shumë nga turistët e huaj. Edhe këtë vit, flukset turistike në rritje janë raportuar që në muajt e parë, ku sipas shifrave të Institutit të Statistikave, në janar-prill kanë hyrë në vendin tonë rreth 1.7 milionë të huaj. Shifër kjo, dyfish e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 614.256. Ky numër është rritur me 52,8%, krahasuar me Prill 2022. Gjatë katër mujorit të parë 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.684.820. Ky numër është rritur me 57,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, vlerëson INSTAT.
Por numri më i lartë i hyrjeve në vendin tonë, i shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar është regjistruar në muajin Prill, me 1.161.729, një rritje prej 39,5% krahasuar me Prill 2022. Turistët e huaj që preferojnë më së shumti vendin tonë, sipas INSTAT janë 590.603 nga vendet e Evropës, pasuar nga Amerika me 14.012 turistë dhe Azia me 4.913 shtetas. Por tendencë rritje, nuk ka vetëm numri i turistëve që vijnë në Shqipëri, por dhe të shqiptarëve që po preferojnë destinacionet e huaja.
Në katër mujorin e parë të këtij viti, nga Shqipëria kanë dalë të huaj dhe shqiptarë, 1.957.678, duke u rritur me 30,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërsa, vetëm për muajin prill të vitit 2023, nga Shqipëria kanë dalë 563.428 shtetas.