Deputetja franceze e Lëvizjes “En Marche”, Mireille Clapot, e cila është njëkohësisht edhe Presidente e Grupit Parlamentar, të Miqësisë Francë-Shqipëri, e gjendur këto ditë në Shqipëri, teksa rrëfen për kamerën e “ReportTV” njohjen e saj për Shqipërinë nga librat e shkruar nga autori Ismail Kadare, flet edhe për Jo-n, që Presidenti i Francës Emmanuel Macron dha Shqipërisë për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian.
“Shqipëria është një vend që unë e adhuroj edhe e kam zbuluar nga librat e Ismail Kadaresë. Unë krahasoj imazhet e mia të realitetit të Shqipërisë edhe me imazhet që kanë qenë dikur të mjegullës edhe të dhimbjes. Mendoj se Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut do të shkojnë drejt Bashkimit Europian, edhe kjo ishte vetëm një shtyrje për një datë tjetër të mëvonshme. Besoj se Shqipëria duhet të vazhdojë reformat e saj në drejtësi, kundër korrupsionit edhe kundër krimit të organizuar. Këto reforma janë për të mirën e vendit edhe të shqiptarëve edhe jo vetëm për t’u fut në BE-së. Imazhi i Shqipërisë në Francë vjen më shumë nga azilkërkuesit, kërkesat e të cilave janë të shumta në vendin tonë. Edhe kur ka shumë kërkesa nga azilkërkuesit kjo do të thotë që vendi nuk është i sigurtë. Nëse në një afat më të vonë, nëse këto kërkesa të azil kërkuesve do të kthehen në kërkesa për emigrim ekonomik, do të ulet numri i azil kërkuesve”, shprehet Mireille Clapot.
Teksa e pyesim, se nëse anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian do të ishte zgjidhja e duhur për vendin tonë në këto momente, deputetja shprehet se: “Kjo është zgjedhja e Shqipërisë, Shqipëria është një vend me 2.8 mln banorë, është në zemër të Europës edhe konvergon drejt saj, por në fund është zgjedhja Shqipërisë që të futet në Bashkimin Europian”.
Deputetja franceze Mireille Clapot promovoi në Tiranë edhe romanin “Nga ishulli Diomedit do të ngre këtë urë”.