Interi vijon vetëm me fitore dhe rimerr komandën e Serisë A me 15 pikë . 5 ndeshje dhe po kaq fitore pas asaj të arritur mbrëmë 1-0 ndaj Lazios. Takimin e vendosi një gol me kokë i D’Ambrosio-s në pjesën e parë fraksion në të cilin portieri Handanovic bëri tre superpritje duke i mohuar golin Lazios. Edhe Strakosha u tregua fantastik në pjesën e dytë ndaj Barella dhe Politanos.
Cagliari tronditi Napolin duke e mposhtur në “San Paolo” 1-0. Vendosi goli i shënuar me kokë nga Castro 3 minuta nga fundi. Skuadra e Ancelott-it pëson humbjen e dytë në 5 ndeshje.
Edhe Roma pësoi humbje në shtëpinë e vet. Atalanta surprizoi verdhekuqtë duke triumfuar 2-0 në “Olimpico” dhe ngjitet në vend të tretë me 10 pikë. Duvan Zapata në minutën e 71-të dhe De Roon në fund ishin autorët e golave për skuadrën bergamaske. Roma pëson humbjen e parë këtë sezon.
Real Madrid nën ritmet “samba”. Los Blancos vijojnë me fitore në La Liga dhe mposhtën mbrëmë 2-0 Osasuna-n në Bernabeu. Edhe pse me lojtarë rezervë djemtë e Zidane siguruan një fitore komode. Golat erdhën nga një për çdo pjesë me talentet braziliane Vinicius Junior dhe Rodrygo që shënuan gola fantastik.
Ringrihet edhe Atletico Madrid. Skuadra e Simeones fitoi 2-0 në ishull ndaj Mallorca dhe ngjitet në vend të dytë në klasifikim 1 pikë më pak se Real kryesues. Diego Costa dhe talneti Joao Felix ishin autorët e golave. Të shtunën në “Wanda Metropolitano” luhet derbi Atletico-Real.