Interi zhgënjen totalisht dhe mbetet jashtë Europës! Real, PSG, Atletico e Atalanta në 1/8 e Champions (VIDEO-GOLAT)

10 Dhjetor 2020, 11:12| Përditesimi: 10 Dhjetor 2020, 11:29

  • Share

TIRANË- Zhgënjim total , Interi mbetet jashtë Kupave të Europës. Reali iu dha një dorë por zikaltërit nuk e bënë detyrën  e tyre dhe nuk shkuan dot më shumë se barazimi pa gola ndaj Shakhtar Donetsk dhe jo vetëm që eliminohen nga Championsi por nuk kalojnë as në Europa League pasi e mbyllin të fundit grupin B. Viti i dytë që Interi eliminohet që në grupe nga Champions. Skuadra e Contes e dominoi ndeshjen dhe goditi traversën me Lautaron por nuk shënoi dot. Trajneri Conte fajëson arbitrat por zhgënjimi dhe dështimi i skuadrës së tij është i madh.

Atëherë kur duhet Real Madrid fiton. Los Blancos likuiduan shumë shpejt Borussia M’Gladbach dhe në kuotën e 10 pikëve e mbyllin në vend të parë grupin B. Falë dy golave të Benzema Reali i mundi 2-0 gjermanët.

Më tej kaloi edhe ekipi tjetër madrilen Atletico që triumfoi 2-0 në Austri ndaj Salzburg falë golave të Hermoso dhe Carrasco. Ekipi i Simeones e mbyll në vend të dytë grupin A.

Bayerni nuk fal dhe e fitoi edhe ndeshjen ndaj Lokomotivës së Moskës 2-0. Golat u shënuan nga Sule e Choupo-Moting dhe bavarezët e mbyllin me 16 pikë grupin.

Edhe pse e kishte siguruar vendin e parë në grupin C Manchester City e mundi Marseille  3-0 ndërsa Porto fitoi në Greqi 2-0 ndaj Olympiacos.

Atalanta do të luajë për të dytin vit me radhë në fazën me eliminim të Champions. Bergamaskët fituan 1-0 ndaj Ajax në Amsterdam falë golit të Muriel.

Ndërsa PSG-ja i dha një “shuplakë” racizmit dhe turqve të Istanbul Basaksehir. Francezët e fituan 5-1 ndeshjen e ndërprerë për shkak të racizmit ku shkëlqeu dyshja Neymar-Mbappe. Tre gola ishin të brazilianit dhe dy nga sulmuesi francez që vlejnë vendin e parë. Shorti për 1/8 do hidhet të hënën në mesditë ndërsa ekipet big janë të gjitha në vazon e parë./Përgatiti Andi Kapxhiu

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me arrestimin e Ilir Metës?