Deputeti i Partisë Bindja Demokratike, Andi Përmeti, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, paralajmëroi se lista e kandidatëve të ‘Bindjes’ për kryebashkiakë dhe këshilltarë do të jetë suprizues dhe po i tillë, sipas tij, do të jetë edhe rezultati. I pyetur rreth akuzave të ndërsjella mes opozitës joparlamentare dhe shumicës për ‘implikim’ në krijimin e Bindjes Demokratike, Përmeti thotë se krijimi i kaq shumë aludimeve në vetëm dy javë tregon frikën estabilishmentit të vjetër politik. Duke u ndalur tek organizimi i partisë, Përmeti pohoi se momentalisht organizimi në bazë po bëhet me grupe nismëtare, të cilët kanë qenë nismëtarë për krijimin e Partisë Bindja Demokratike, ndërsa shtoi se organizimi në detaje i strukturave do të bëhet pas zgjedhjeve lokale. Sa i takon reformës zgjedhore, deputeti Përmeti tha se është për një reformim tërësor të sistemit zgjedhor dhe i të gjithë sistemit politik.
Z. Përmeti, krijimi i Bindjes Demokratike po prodhon reagime, aludime, diversione dhe larmi teorish në radhët e PD-PS. PD pretendon se pas ‘Bindjes’ fshihet Rama. Rama pretendon se ‘Bindjen’ e ka krijuar Berisha. Ndërsa Basha akuzon Ramën se po klonon opozitën. Si qëndron e vërteta e krijimit të Bindjes?
Fakti i kaq shumë aludimeve për një parti të re e cila ka vetëm 2 javë që është krijuar është një lajm i mirë sepse qartazi tregon frikën e estabilishmentit të vjetër politik të cilët janë mësuar dhe ndihen rehat me njëri-tjetrin kundërshtar. Bindja Demokratike lindi nga njerëz të lirë, njerëz që duan t’i japin një ofertë të re dhe të ndryshme Shqipërisë, njerëz që kanë qenë dhe janë në betejë të hapur me qeverinë Rama dhe kërkojnë vetëm të provohen me votë për ofertën e tyre.
Cilat janë objektivat dhe platforma e BD dhe në ç'formë mendoni për t'i vënë në zbatim?
Siç ju thashë më lart ne jemi një parti e re dhe zgjedhjet e afërta janë zgjedhje lokale, pra secili kandidat në zonën e tij do ofrojë platformën e tij për zonën konkrete ku do kandidojë. Objektivat tona janë që të marrim një rezultat shumë të mirë, një rezultat suprizues dhe jam i bindur që do t’ia arrijmë.
Çfarë po ndodh me organizimin e Bindjes Demokratike në bazë? Si po ndërtohen strukturat?
Momentalisht organizimi në bazë po bëhet me grupe nismëtare, grupe të cilët kanë qenë nismëtarë për krijimin e Partisë Bindja Demokratike, por fokusi kryesor momental janë zgjedhjet lokale, organizimi në detaj i strukturës do të ndodh mbas zgjedhjeve lokale.
Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar kërkoi çregjistrimin e Bindjes Demokratike në Kolegjin Zgjedhor, kërkesë e cila u rrëzua. Kush mendoni se fshihet pas kësaj lëvizjeje dhe a është regjistruar Bindja në përputhje me ligjin në zgjedhje?
Ju lutem, të mos merremi me fantazma të prodhuara nga një parti e cila në vend që të fokusojë gjithë energjitë e saj në betejën për rrëzimin e Edi Ramës ka fokusuar çdo energji në luftën ndaj Bindjes Demokratike. Përveçse KQZ dhe Gjykatës së Shkalles së Parë Tiranë sot (dje) edhe Kolegji Zgjedhor i ka dhënë të drejtë regjistrimit të Partisë Bindja Demokratike.
Në ç'formë po përzgjidhen kandidatët e Bindjes për kryetar bashkie dhe këshilltarë për zgjedhjet lokale? Kur do shpallen kandidatët?
Lista e përfaqësuesve të Bindja Demokratike do jetë surprizuese për të gjithë. Për emrat duhet të prisni ditën e hënë.
Jeni deputeti i vetëm i Bindjes në Kuvend. Cili është qëndrimi juaj për reformën zgjedhore?
Themeli i qëndrimit tim në parlament dhe i gjithë Partisë Bindja Demokratike është reformimi tërësor i sistemit zgjedhor dhe rrjedhimisht i gjithë sistemit politik. Ky është një sistem i cili prodhon kryetarë partish me fuqi të pakufizuar dhe rrjedhimisht edhe kryeministër që ka çdo fuqi në dorën e tij, prandaj ky sistem duhet rrëzuar një orë e më parë.