Ke Jing

Intervista/ Ke Jing, përkthyesja e Dritëroit në Kinë: Kam në duar 'Arkën e djallit'

1 Nëntor 2018, 08:14| Përditesimi: 1 Nëntor 2018, 08:36

  • Share

Për herë të parë, Seksioni i Shkencave Albanologjike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka organizuar promovimin e veprave shkencore të një prej qendrave më të rëndësishme, që veprojnë në botë, siç është Departamenti i Gjuhës Shqipe në Pekin.

Një “Fjalor dygjuhësh shqip-kinezisht e kinezisht shqip” me mbi 40 mijë fjalë;”Enciklopedia e shkurtër e historisë dhe e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë”; Ismail Kadare e Dritëro Agolli në gjuhën kineze, një nga gjuhët më të mëdha në botë; “Gramatika praktike e shqipes” në dy vëllime;  “Shqipja e folur"në dy vëllime janë promovuar dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.

Për të promovuar këto kontribute, 31 tetori, i shënuar si dita e “Dita e albanologjisë në Kinë”, u manifestua dje në Tiranë. Takimi i djeshëm me akademikët e njohur shqiptarë Emil Lafe, Shaban Sinani, Floresha Dado, e më gjerë është zhvilluar përmes një konference ku ishin të pranishëm Ambasadorja H.E.Jiang Yu, Prof. Ke Jing, Prof.Chen Fengua, përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin e Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit, e të tjerë. Ky takim nuk ishte thjesht promovues, por sipas profesoreshë Floresha Dados është njëkohësisht mirënjohje, vlerësim dhe projekt për bashkëpunime të mëtejshme.

“Katedra e gjuhës shqipe në Pekin ekziston prej vitit 1961 me kontribut të jashtëzakonshëm për mësimin e gjuhës shqipe dhe në përgatitjen e diplomatëve, gazetarëve dhe specialistëve të fushave të ndryshme në gjuhën shqipe. Mbi bazën e një tradite kaq shumë vjeçare dega e shqipes (gjuhë, letërsi, kulturë) ka avancuar më tej duke konsoliduar tre ciklet studimore : BA, MA,PhD”, tha Dado duke e quajtur një punë  jashtëzakonisht serioze të drejtuesve të kësaj Katedre. Pranë Universitetit të Studimeve Ndërkombëtare të Pekinit (BFSU), që do të thotë "Pekin-1", funksionon e vetmja katedër albanologjie në gjithë kontinentin aziatik.

E themeluar në vitin 1961, kjo katedër është në të njëjtën kohë njësi shkencore universitare, qendër kërkimore shkencore dhe bord përkthimesh e botimesh.

Aty punojnë Mimoza, siç njihet me emrin e saj shqiptar përgjegjësja e katedrës, është përkthyese e romanit "Aksidenti"; Shqiponja po përkthen një koleksion dokumentesh arkivore për lidhjet shqiptaro-kineze në vitet 1960. Në kuadër të këtij bashkëpunimi prof.dr. Shaban Sinani  deklaroi ndër të tjera se: “Katedra ka fituar projektin e hartimit të një fjalori të madh të shqipes. Bashkëpunëtorë të saj, si prof. Zheng Enbo, kanë përgatitur e botuar një antologji dyvëllimëshe të poezisë shqipe, me 70 autorë.”

Gjithashtu pjesë e rëndësishme e kësaj katedre është edhe Ke Jing, ose Xhina, siç i flasin shqiptarët, e cila me një shqipe të rrjedhshme, në një intervistë për “Shqiptarja.com” rrëfen veprimtarinë e pasur të Qendrës Albanologjike dhe pwrmend faktin që së fundi është duke përkthyer në gjuhën kineze romanin e Dritëro Agollit “Arka e djallit”

Intervista

Pse është ndjerë mungesa e një Qendre Albanologjie në Kinë, kur ka nisur nga puna?

Katedra e Gjuhës Shqipe është krijuar në vitin 1991 dhe për dy dekada kjo katedër ka pasur një drejtim të duhur, të mirë. Ne kemi pasur rreth 9 studentë kinezë që mësojnë gjuhën shqipe. Janë gjithashtu atje edhe studentë shqiptarë në universitetet e tjera që mësojnë gjuhën tonë, përfshi edhe universitetin tonë. Për shembull,  zoti Iliaz Spahiu ka qenë një student në universitetin e Pekinit, dhe tani njihet në Kinë, sepse ai ka bërë edhe  shumë përkthime, siç janë librat e Mo Yan që ka fituar çmimin Nobel. Ndërsa paralelisht në katedrën tonë kemi student të gjuhës shqipe. Konkretisht në tre dekadat e fundit mund të themi se ka filluar të funksionojë më mirë. Se kemi pasur një pauzë dhe ka rifilluar, sepse nuk kemi pasur studentë nga fundi i vitit ’80. Ndërsa, më pas në vitin 1987 filloi të ringrihet kjo katedër. Ka gati çdo katër vjet një grup studentësh që diplomohen në gjuhën shqipe.

Çfarë veprimtarish kanë ndodhur që nga krijimi i Qendrës Albanologjike në Kinë?

Katedra prej katër vjetësh është marrë me mësimdhënie, kryesisht, por edhe me kërkime shkencore, dhe vitin e kaluar është krijuar një Qendër Albanologjike,dhe kjo është e ardhmja e kësaj qendre që të bëhen më tej kërkime shkencore. Dhe kjo u ngrit për shkak se ne kemi dëshirë të përforcojmë aspektin e punëve kërkimore shkencore. Kjo është diçka që na tregon se ku do përqendrohemi në të ardhmen. Ne kemi dëshirë të bëjmë fjalorin bazë që përndryshe është infrastrukturë për ne. Një punë e mirë është bërë me "Fjalori dygjuhësh shqip-kinezisht e kinezisht shqip", me mbi 40 mijë fjalë, të cilën e kam drejtuar vet.

Cili është synimi, më çfarë misioni lidhen gjithë këto veprimtari?

Synimi janë kërkimet për dy kulturat gjuhësore e tradicionale, për historinë, për kulturën, gjuhën dhe letërsinë dhe aspekte të tjera si për shembull një nga studentët e doktoraturës po merret edhe me politikën  religjioze, që nga viti 1912 deri tani. Tani edhe një student doktorature  që sapo është futur në program ka ndërmend të merret me tranzicionin politik tani. Shkolla doktorale e BFSU u kushtohet çështjeve të rendit parësor në albanologji e në lidhjet sino-shqiptare.

Zakonisht profesoreshat kineze që kanë lidhje me Shqipërinë përdorin dy emra, një me të cilin i flasin në Shqipëri dhe emrin origjinal kinez. Pse e bëni këtë?

Emri im në Kinë është Ke Jing, që ka kuptimin e qetë, paqësore. Për t’u përshtatur këtu më është shtuar një “a” dhe më thonë të gjithë miqtë e shokët shqiptarë  Xhina. Po kjo gjë është bërë si një traditë për të qëndruar këtu dhe për t’u përshtatur me kulturën shqiptare dhe me qëllim që të ndihemi pjesë e kësaj kulture dhe e vendit tuaj.

Çfarë kontributi po jepni ju dhe kolegët tuaj?

Ne po bëjmë ndonjë kontribut shumë modest për të forcuar marrëdhënien kinezo-shqiptare nga pikëpamja e shkëmbimit kulturor dhe për të thelluar punët akademike, sepse vetë punët akademike nuk mund të shkojnë përpara pa u shërbyer edhe qëllimeve aktuale, sepse me Kinën në vite ‘60-’70 marrëdhëniet kanë qenë të tilla që gjenerata e vjetër e njeh Kinë, por të rinjtë nuk dinë shumë, por edhe të rinjtë kinezë din pak për Shqipërinë dhe ne do t’i njohim me këtë vend dhe em historinë e kulturën e vendit tuaj. Unë me shumë kënaqësi në këtë kohë kam në dorë përkthimin e një nga shkrimtarët më të mirë të vendit tuaj, po përkthej në gjuhën kineze romanin e Dritëro Agollit “Arka e djallit”.   

Zonja Xhina, këtu në Shqipëri në vitet ‘70 kultura dhe artet janë goditur nga i famshmi revolucion kulturor kinez, që nisi tek ju dhe u adoptua edhe nga udhëheqja komuniste shqiptare, ku arti u ideologjizua. Kultura e vendit tonë dhe artistët patën pasoja të rënda, po tek ju c’ndodhi?

Ajo ka qenë një fushatë ideologjike para pesë dekadash, por Kina nga fundi i viteve ‘70 ka filluar reformën, hapjen ndaj kulturës botërore dhe Kina për katër dekada është zhvilluar shumë dhe ka ndryshuar shumë gjëra. Kështu she artet  janë zhvilluar shumë dhe nëse bëni një vizitë në Kinë, ju vetë do të shihni se ka ndryshuar vazhdimisht. Nuk është e drejtë të themi se çdo gjë kulturore është prishur atëherë, por kjo ka qenë një kohë e shkurtër dhe shumë gjëra në arte e kulturë janë pasuruar në gjithë këtë kohë.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?