Intervista/ Topollaj: Ja pse Bindja Demokratike ka frikësuar Bashën

28 Prill 2019, 07:24| Përditesimi: 28 Prill 2019, 12:53

  • Share

Fabian Topollaj, në një ndër themeluesit e Partisë Bindja Demokratike, gjatë një interviste për Shqiptarja.com, ka hedhur poshtë aludimet e segmenteve politike, sipas të cilave partia e re në kampin e djathtë është produkt i kryeministrit Edi Rama apo lojë e ish-kryeministrit Sali Berisha. Topollaj tha se të dy palët, si PD-ja ashtu edhe PS-ja, gënjejnë, ndërsa shtoi se ‘Bindja’ është kundër dinozaurëve që kanë ndërtuar sistemin aktual. I pyetur mbi sulmet e PD në adresë të Bindjes Demokratike, Topollaj u shpreh se PD dhe Lulzim Basha janë të frikësuar se mos humbasin pozitën si opozita kryesore në vend. Topollaj komentoi edhe pretendimin e disa qytetarëve se u janë falsifikuar firmat sa i takon shprehjes së vullnetit për regjistrimin e Bindjes Demokratike në gjykatë. Topollaj tha se këta qytetarë kanë firmosur për regjistrimin e ‘Bindjes’ në gjykatë, por ata janë kërcënuar nga drejtuesi i Bashkisë Kavajë që të deklaronin të kundërtën, ndryshe humbasin vendin e punës si specialistë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.

-Z. Topollaj, krijimi i Bindjes Demokratike ka trazuar politikën e Tiranës, sidomos kampin e djathtë. Përfaqësues të opozitës joparlamentare pretendojnë se krijimi i partisë së re është nxitur nga Rama, madje se është lojë e tij, ndërsa vetë kryeministri thotë se partia është krijuar nga Berisha. Cili është komenti dhe versioni juaj si një ndër themeluesit e Bindjes Demokratike?
Bindja Demokratike ka trazuar ujërat në të gjithë krahët pikërisht për shkakun e qëllimit të krijimit të saj. ‘Bindja’ vjen si nevojë e kohës për të ndryshuar më shumë se sa vetëm një parti në qeverisje me një parti tjetër. Qëllimi i ‘Bindjes’ është të ndryshojë sistemin politik në vend. Pra, për të ndryshuar sistemin e partitokracive në vend. Të gjitha pushtetet në fakt nuk i ka populli, por kryetarët e partive. Formalisht populli mban sovranitetin, por faktikisht sot nuk përzgjedh asgjë. Ne do rrëzojmë këtë domen të partive. Sa për atë se kush e ka futur ‘Bindjen’, besoj se të dy palët gënjejnë njësoj si në çdo gjë, sepse bindja është kundër dinozaurëve që kanë ndërtuar këtë sistem.

-Cili është misioni i Bindjes Demokratike, cila është alternativa dhe ku konsiston ndryshimi i saj nga partitë e djathta në Shqipëri?
Misioni i ‘Bindjes’ është pikërisht që ‘Bindja’ të shërbeje si një mjet në duart e shoqërisë për ndryshime rrënjësore, për ndryshimin e rendit të gjërave në vend. Sepse në të kundërt do ndryshojnë partitë në qeverisje, por jo mënyra se si funksionojë gjërat. Ndryshimi i ‘Bindjes’ me partitë e tjera të djathta e të majta është se ‘Bindja’ është krijuar në një moment të veçantë, kur shoqëria si kurrë më parë kërkon nevojën për ndryshime të thella.

-Bindja Demokratike u regjistrua në zgjedhjet lokale. A ka kapacitete njerëzore partia e sapokrijuar për t’u përfaqësua me kandidatë në të gjitha njësite vendore dhe këshillat bashkiake?
Ne jemi në limitet e kohës, sa i përket regjistrimit të partisë në zgjedhje dhe të kandidateve të saj. Por, ne jemi të bindur që koha punon për ‘Bindjen’ dhe kjo forcë e re do të ketë kandidatë shume të mirë në të gjithë vendin. Të rinj dhe të reja që do të japin një shpresë të re në publik, për ndryshimet e shumëkërkuara nga të gjithë. Të mos harrojmë që Bindja është një parti e sapolindur dhe kapacitetet e saja maksimale do të shfaqen gjithmonë e më të forta në ditët dhe zgjedhjet e ardhshme. Por të jeni të sigurt që dhe në këto zgjedhje rezultati i ‘Bindjes’ do të jetë surprizues.

-Si qëndron e vërteta e pretendimit të disa qytetareve se u janë falsifikuar firmat sa i takon shprehjes së vullnetit për regjistrimin e Bindjes Demokratike në gjykatë?
E vërteta është që pasi këta qytetarë kanë firmosur për regjistrimin e ‘Bindjes’ në gjykatë, janë detyruar nga drejtuesi i Bashkisë Kavajë, ku punonin si specialistë në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve, të deklaronin të kundërtën me kërcënimin e vendit të punës. Ata qytetarë kanë firmosur me dorën dhe vullnetin e lirë në formularët e ‘Bindjes’. Tani, edhe për të dhënë një model tjetër në politikë, ne do e ndjekim deri në fund këtë rast dhe do këmbëngulim që njëri nga palët të deklarohet fajtor. Ose ne të ‘Bindjes’ për falsifikim të nënshkrimeve ose ata që kanë detyruar këta qytetarë të tërhiqen nga vullneti i tyre i lirë, për t’u organizuar në një parti politike. Çështja është e thjeshtë, të verifikohen firmat dhe të merret vesh se si ka mundësi që numri i kartës së tyre është identik në formularët tanë. Koha e pandëshkueshmërisë dhe të bërit politikë me gënjeshtra duhet të marrë fund në këtë vend një herë e përgjithmonë.

-Avokati i PD, Ivi Kaso, është shprehur se vendimi i KQZ për regjistrimin e Bindjes Demokratike nuk është i formës së prerë, duke nënkuptuar mundësinë e ankimimit. A druheni se PD mund të rrëzojë vendimin e regjistrimit të ‘Bindjes’ në Kolegjin Zgjedhor, pjesë të cilit është edhe Gjin Gjoni?
Së pari mendoj se PD nuk do ta çojë këtë çështje në Kolegjin Zgjedhor, për shkak se ata, njësoi si ne, e dinë shumë mirë se në asketin juridik çështja është e kopsitur, pasi Partia Bindja Demokratike ka plotësuar në KQZ të gjithë kërkesat strikte ligjore që kërkohen për regjistrimin e një partie politike. Sot (dje) KQZ ka regjistruar edhe një grup tjetër partish, të cilat kishin dorëzuar pranë KQZ të njëjtin dokumentacion si PBD. Nëse PD bën një hap të tillë, nuk tregon gjë tjetër veçse tregon se janë shumë të frikësuar nga lindja dhe krijimi i kësaj partie.

-Pse është e frikësuar?
Tregon frikë për shkak se PD mendon se do ta mbajë pozitën si opozita kryesore e vendit me metoda të tjera dhe jo nëpërmjet testimit elektoral. E vetmja mënyrë për të përcaktuar se kush janë përfaqësuesit e vendit është testimi elektoral. Nuk mundet asnjë parti që të mbajë një pozitë të caktuar në shoqëri pa u testuar në zgjedhje.

-Përpos emrave të bërë publike, a ka figura të tjera të së djathtës që do t'i bashkohen Bindjes Demokratike?
‘Bindja’ nuk është as e eksponentëve të djathtë dhe e askujt tjetër, por e nevojës së shqiptarëve për ndryshime të thella në këtë vend. Ne, një grup përfaqësues dhe themeltarë të ‘Bindjes’ vetëm kemi ndërtuar mjetin që do duhet të përdoret nga e gjithë shoqëria që ndan me ne të njëjtat qëllime, për të realizuar ndryshimet e shumëpritura në vend, që nga sistemi politik dhe shoqëror, deri te ndryshime Kushtetuese, për një Shqipëri, ku qytetarët kanë të gjitha pushtetet dhe politikanët janë vetëm disa shërbëtorë të tyre dhe jo shfrytëzues të tyre.

-Lulzim Basha ka paralajmëruar se nuk do të lejojë votimin në asnjë qendër votimi në 30 qershor. Mendoni se zgjedhjet lokale do mbahen në datën e dekretuar nga Presidenti?
Zgjedhjet nuk janë as të Lulzim Bashës, as të Edi Ramës dhe as të Astrit Patozit, ato janë të shqiptarëve. PD duket sikur krijon amullira të tilla vetëm për të siguruar pozitën e drejtimit të opozitës së vendit dhe ruajtjen e pacenuar të kësaj pozite. Por opozita dhe pozita maten me votim popullor, me garë dhe me vullnetin e popullit. S’mund të mbash një pozitë të caktuar në shoqëri kundër vullnetit të popullit. Se kush janë përfaqësuesit e popullit e vendos vetëm populli me votim, s’kemi asnjë metodë tjetër përveçse të garojmë dhe të testojmë besimin publik për të fituar tagrat e përfaqësimit.   

-Lulzim Basha e ka konsideruar Bindjen Demokratike dhe opozitën e re në Kuvend opozitë të klonuar dhe fasadë. Cila është përgjigja juaj?
PD nuk ka as legjitimitet juridik, politik dhe moral për ta thënë këtë. S’ka legjitimitet juridik sepse ka zgjedhur të mos marrë pjesë në zgjedhje dhe s’mund të akuzojë të tjerët që duan të garojnë dhe të rrëzojnë këtë mazhorancë me metodat e vetme që njeh demokracia për arritjen e këtij qëllimi. S’ka legjitimitet politik për shkak se PD sulmon një parti 4-ditore vetëm nga halli se mos kjo parti e re e zëvendëson dhe bën më mirë se PD opozitën e këtij vendi. S’ka as legjitimitet moral po të kemi parasysh se PD herën e fundit, si PS në 2007, ka shtyrë zgjedhjet e përcaktuara me dekret Presidenti kohë më parë. Bindja Demokratike do të matet me përpjekjet e saja dhe ne do bëjmë çdo përpjekje për të ndryshuar këtë sistem politik në vend. Një parti nuk mund të gjykohet që javën e parë të krijimit të saj. Edhe disa deputetë të vendosur nga Basha në lista nuk mund të gjykohen që ditën e parë. Ata do të vlerësohen me kontributin e tyre për ndryshime në vend. Kështu që do duhet dhe pak kohë për të bërë këtë gjykim. Sigurisht që paragjykimi i Bashës dhe përpjekja për të penguar ‘Bindjen’ vërteton qëllimin e mirë të saj, ndryshimin e sistemit të partitokracisë në vend. Ne do t’ja arrijmë kësaj.

Komento

Komente

  • didi: 28/04/2019 20:24

    per njerezit qe jane prezantuar eshte ok.

    Përgjigju
  • Titi: 28/04/2019 12:23

    Me kujtohet zoteria kur mbronte kauza te pambrojtshme kur ishte me Lulin, ne fillimet e veta ne emisione. Nuk jep shprese. Plus Patozi nr.2 I PD per shume vite.

    Përgjigju
  • Naimi: 28/04/2019 11:50

    Vete simboli qe ka nga PD ne BD dhe ngjyra blu e flamurit te krijojne dyshime te forta se kjo eshte nje pyke e futur nga Sali Berisha per te gjetur menyren qe te rimarre edhe nje here partine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?