Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini

Kronikë

Ish-ministrja e Arsimit: Në Universitetet publike ka rektorë që kanë marrë titujt akademik me plagjiaturë, sëmundje që ka kalbur sistemin e arsimit të lartë

13 Shtator 2021, 16:41| Përditesimi: 13 Shtator 2021, 16:45

  • Share

Ish-ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka akuzuar disa rektorë dhe dekanë në universitetet publike në Shqipëri se kanë marrë titujt akademikë me plagjiaturë. Me një postim në Facebook, Shahini nuk jep emra rektorësh, por thotë se në vitin 2020, ku Arsimi drejtohej nga ajo, ata refuzuan të bënin verifikimin e punimeve të tyre akademike. Si rezultat, thotë Shahini, disa nga universitetet publike me shumë gjasë, sot udhëhiqen nga rektorë që kanë marrë titujt akademik me punime të plagjiarizuara.

Teksa e konsideron 'sëmundje', Shahini shprehet se plagjiatura ka kalbur nga brenda sistemin e arsimit të lartë.

"Anti-plagjiatura është çelësi i sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë. Në vitin 2020, kur universitetet publike në Shqipëri përzgjodhën udhëheqësit e rinj, si ministre e arsimit pata kërkuar që kandidatët për rektorë të bëjnë verifikimin e punimeve të tyre akademike përmes platformës digjitale anti-plagjiaturë, të cilën e siguruam për universitetet me buxhetin publik. Ideja ishte që pas rektorëve, kontrolli do të zbatohej për gjithë hierarkinë akademike, deri në zhdukjen e plagjiaturës nga universiteti publik. Rektorët refuzuan këtë proces pasi disa nuk mund ta kalonin kontrollin, ndërsa të tjerët e kishin më të rëndësishëm kolegjialitetin me kolegët se sa zhdukjen e kësaj sëmundje që ka kalbur sistemin e arsimit të lartë përbrenda. Qeveria nuk kishte mundësi ligjore t’i detyronte, duke qenë se ligji i arsimit të lartë i jep autonomi të plotë akademike universiteteve dhe nuk lejon ndërhyrje nga jashtë. Si rezultat, disa nga universitetet publike me shumë gjasë, sot udhëhiqen nga rektorë që kanë marrë titujt akademik me punime të plagjiarizuara", shkruan Shahini.

Mandej ajo kërkon që kontrolli anti-plagjiaturë nuk duhet të bëhet nga jashtë universitetit sepse autonomia akademike duhet të ruhet me rigorozitet. Sipas Shahinit, ligji i arsimit të lartë duhet të detyrojë vetë universitetet të pastrojnë strukturat akademike nga plagjiatura.

"Po shkruaj sot për këtë pasi që qeveria e Shqipërisë paska rinisur përpjekjen për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë, duke sugjeruar edhe ndryshimin e ligjit të arsimit të lartë. Ky është lajm shumë i mirë dhe vjen në një moment kur Partia Socialiste ka mandat të qartë qeverisës dhe mundësi për të bërë ndryshimin e duhur. Duhet bërë kujdes: kontrolli anti-plagjiaturë nuk duhet të bëhet nga jashtë universitetit sepse autonomia akademike duhet të ruhet me rigorozitet. Ligji i arsimit të lartë duhet të detyrojë vetë universitetet të pastrojnë strukturat akademike nga plagjiatura. Asnjë rektor, dekan apo shef departamenti, asnjë profesor, të mos zgjidhet pa kaluar nëpër kontrollin anti-plagjiaturë. Ndërkohë, Ministria e Arsimit duhet të sigurojë përsëri qasje për universitetet publike në platformën anti-plagjiaturë në gjuhën shqipe, e cila ka skaduar tashmë prej disa muajsh. Ndryshimet ligjore kundër plagjiaturës akademike marrin kohë dhe ky proces do të hasë në rezistencë të madhe nga universitetet. Por, duhet të ndërmerret sa më parë. Kurajo dhe sukses!", përfundon ish-ministrja.

Komento

Komente

  • tori: 14/09/2021 07:25

    Ke te drejt moj Besa.Po thuajse mbi 90% kantituj akademik me plagjiatur.E patjete edhe ato student qe jane diplomuar ne universitete te ndryshme shqiptare jo pak por shume kan diplloma falco(duke filluar nga ish deputeti Nard Ndoka).Kjo ishte edhe reforma e arsimit te larte si cdo reforme tjeter qe na solli PD e S.Berisha ne arsimin e larte.Ashte sic vuan e vuajti drejtesia nga 'GJYGJTARET E PROKURORET" e Plepave vuan edhe arsimi i larte shqiptar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?