Mijëra izraelitë dolën në protestë para parlamentit në Jeruzalem ditën e djeshme, në protestën më masive antiqeveritare që prej nisjes së luftës në muajin tetor. Thirrjet e qytetarëve në protestë ishin drejt kryeministrit Izraelit Benjamin Netanjahu, ndaj të cilit kërkojnë që të arrihet një marrëveshje për të liruar dhjetëra pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gazë. Ata kërkuan nga qeveria gjithashtu që të mbahen zgjedhje të parakohshme.
"Pas gjashtë muajsh, duket se qeveria po e kupton që Bibi Netanjahu është bërë pengesë," thotë protestuesi Einav Moses, vjehrri i të cilit, Gadi Moses, mbahet peng.
"Duket sikur ai nuk do vërtet që t'i kthejë ata, se kanë dështuar në këtë mision."
Organizatorët u zotuan se do të vazhdojnë protestat, duke këmbëngulur që qeveria duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme.
Netanjahu, në një fjalim televiziv para kombit, përpara se t'i nënshtrohej një operacioni për hernien diskale të dielën, tha se e kuptonte dhimbjen e familjeve të pengjeve.
"Do të bëj gjithçka për të sjellë pengjet në shtëpi," tha ai. Ai shtoi se thirrja e zgjedhjeve të reja do të paralizonte Izraelin për gjashtë deri në tetë muaj dhe do të paralizonte bisedimet për pengjet.
Kryeministri izraelit përsëriti gjithashtu zotimin e tij për një ofensivë ushtarake tokësore në Rafah, qyteti jugor i Gazës ku strehohet më shumë se gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh të territorit.