Ja ku do përfundojnë pasuritë e krimit dhe korrupsionit

1 Qershor 2019, 07:41| Përditesimi: 1 Qershor 2019, 12:08

  • Share

Qeveria ka hartuar një projektligj të ri për administrimin e pasurive dhe parave të konfiskuara për shkak se burojnë nga krimi dhe korrupsioni. Qëllimi i kësaj nisme është miradministrimi dhe përdorimi sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë dhe pasurive të sekuestruara me urdhër të ministrit përgjegjës për financat. Konkretisht, nisma parashikon krijimin e një zyre qendrore kombëtare, me seli në Tiranë, për administrimin e pasurive si nevojë për të administruar pasuritë "e vështira", si p.sh.: kafshët, kompanitë, fondet e besimit dhe pasuritë e paluajtshme hipotekore, qoftë për rastet e brendshme, por edhe nisur nga kërkesat e shumta të institucioneve ndërkombëtare gjithnjë në rritje. Zyra do të jetë Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara, e cila ndryshe nga agjencia aktuale, do të ketë kompetenca me të zgjeruara. Po cilat do të jenë kompetencat e shtuara të agjencisë (AAPSK-së)? Nisma e re ligjore parashikon përfshirjen e të gjitha pasurive që sekuestrohen dhe konfiskohen (si në procesin penal, ashtu edhe në atë parandalues) në fushën e veprimit të AAPSK-së, duke e përqendruar administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje të paligjshme në një institucion të vetëm.

Gjithashtu, AAPSK-së i shtohet kompetenca për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, qysh në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit. Përdorimi i kësaj procedure do të bënte që vlera e realizuar nga shitja e pasurisë të ruhej në një llogari bankare të veçantë, e, në rast revokimi të sekuestrimit, t’i kthehej pronarit të ligjshëm, ndërsa, në rast konfiskimi, të kalonte në buxhetin e shtetit. Shitja e parakohshme e këtyre pasurive të sekuestruara do të sillte një përfitim për të gjithë, pasi jo vetëm ruhet vlera momentale e pasurisë së luajtshme (autoveturë, pajisje teknologjike dhe IT, gjë e gjallë etj.), vlerë e cila do të humbte fare, në qoftë se këto pasuri do të mbaheshin deri në përfundim të afateve procedurale gjyqësore, por edhe shkurton ndjeshëm shpenzimet e Agjencisë për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Së fundi, synohet që ky të shërbejë edhe si ligj organik për Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, duke përcaktuar me norma ligjore organizimin, funksionet dhe kompetencat e saj.

Shtrirja kombëtare

Me ligjin e re, si një institucion plotësisht funksional, me staf dhe me fonde, AAPSK-ja kombëtare duhet të administrojë të gjitha pasuritë e sekuestruara, qoftë civile dhe penale, për të qenë plotësisht efektive. Deri më tani, gjykatat e rretheve gjyqësore nuk kanë qenë të detyruara t’ia kalojnë AAPSK-së për administrim pasuritë që sekuestrohen / konfiskohen gjatë proceseve penale që ato zhvillojnë, pasi nuk ka një ligj që t’i detyrojë ta bëjnë. Për rrjedhojë, ky detyrim është përfshirë në ligjin e ri. Strukturat e zbatimit të ligjit dhe prokurorët shqiptarë, si dhe vlerësuesit e jashtëm kanë raportuar një nivel të lartë të konfuzionit të roleve dhe strukturave brenda procesit të konfiskimit të pasurisë në Shqipëri. Përqendrimi i administrimit të të gjitha pasurive do ta lehtësonte këtë nga pikëpamja e administrimit të pasurive. Ai gjithashtu lejon stafin brenda AAPSK-së të ndërtojë nivelin e ekspertizës për të qenë plotësisht efektiv.

Ligji i ri me sugjerim të ndërkombëtarëve

Projektligji “për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara” është skutuar nga faktori ndërkombëtar. Në të gjitha raportet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit është vënë theksi gjithmonë e më shpesh në “fuqizimin dhe përmirësimin e strukturës së AAPSK-së”. Po ashtu, vlerësimi i katërt i Moneyval, si dhe plani për zbatimin e rekomandimeve të lëna pas këtij vlerësimi (IO.8, pika V1), kanë përcaktuar qartë nevojën për shtimin e kompetencave të AAPSK-së, duke përfshirë brenda saj administrimin e të gjitha pasurive me prejardhje kriminale.

Qëllimi

Qëllimi i kësaj nisme është miradministrimi dhe përdorimi sa më efiçent, efektiv dhe ekonomik i pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nga organet e drejtësisë dhe pasurive të sekuestruara me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.

Ndryshimi

AAPSK-së i shtohet kompetenca për shitjen e pasurive të luajtshme, të cilat prishen, amortizohen apo u bie vlera shpejt, qysh në fazën e sekuestrimit, duke mos pritur vendimin përfundimtar të konfiskimit.

Kompetencat e agjencisë

1-Merr në dorëzim pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara, sipas përcaktimeve të nenit 3, të këtij ligji;

2-Administron, mirëmban dhe ruan pasuritë e sekuestruara e të konfiskuara, nëpërmjet administrimit të drejtpërdrejtë apo të të tretëve. Nëse është e mundur, rrit vlerën e pasurisë në administrim;

3-Me vendim të Gjykatës, realizon shitjen e pasurive të luajtshme të sekuestruara, të cilat me kalimin e kohës prishen, dalin jashtë përdorimit apo u bie vlera në mënyrë të ndjeshme;

4-Kryen regjistrimin në favor të shtetit, të pasurive të regjistruara të konfiskuara, në regjistrat përkatës;

5-Përgatit dokumentacionin e plotë për tjetërsimin apo dhënien në përgjegjësi administrimi, të pasurive të konfiskuara;

6-Bashkëpunon për shitjen e pasurive të konfiskuara me institucionet përgjegjëse për shitjen e pronave publike;

7-Mbikëqyr veprimtarinë e përfituesit nga fondi i posaçëm për parandalimin e kriminalitetit, të cilit i është dhënë në përdorim, përgjegjësi administrimi apo huapërdorje një pasuri e konfiskuar, nëse përdorimi i pasurisë është apo jo në përputhje me udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat të nxjerrë për këtë qëllim;

8-Bën verifikimin dhe përgatit dokumentacionin për mendim në Komitetin Ndërinstitucional të Ekspertëve për Masat Kundër Krimit të Organizuar, lidhur me kërkesat për financimin e projekteve nga fondi i posaçëm për parandalimin e kriminalitetit dhe edukim ligjor, si dhe ndjek zbatimin e tyre;

Përgatit dhe administron statistika periodike dhe vjetore për sasinë, llojin dhe vlerën e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara nën administrim.

Administrimi i pasurisë së paluajtshme

1. Administratori i pasurisë së sekuestruar kryen një studim fizibiliteti për pasurinë e marrë në administrim dhe ia paraqet atë kryeadministratorit, i cili merr vendimin përkatës për mënyrën e menaxhimit të pasurisë, nëpërmjet menaxhimit të drejtpërdrejtë nga Agjencia apo të tretë, duke ua dhënë atyre me qira.

2. Administratori i pasurisë së sekuestruar i paraqet për miratim kryeadministratorit planin e veprimit për zbatimin e mënyrës së menaxhimit, të vendosur pas studimit të fizibilitetit. Në këtë plan përfshihen edhe të ardhurat dhe shpenzimet e parashikuara.

3. Kryeadministratori, me kërkesë të administratorit të pasurisë, mund të autorizojë, sipas nevojës, ndihmën e specialistëve të fushave të ndryshme apo të personave të tjerë, të cilët shpërblehen për punën e bërë, brenda kufijve të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Ministrave dalë për këtë qëllim.

4. Në rastet e menaxhimit të drejtpërdrejtë zbatohen të gjitha procedurat ligjore në fuqi për funksionimin e një veprimtarie ekonomike në Republikën e Shqipërisë.

5. Në rastet e dhënies me qira të pasurive të sekuestruara, kryeadministratori ngre komisionin për vlerësimin e çmimit të tregut. Nëse është e pamundur dhënia me qira me çmimin e tregut, me propozimin e administratorit të pasurisë së sekuestruar, çmimi i qirasë mund të negociohet nga kryeadministratori.

(Kliko këtu për të lexuar administrimin e pasurive të konfiskuara)

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kafsha: 03/06/2019 10:43

    Po Mulit të Nukajve do ia marin? Banorët duan pará per te rindertuar shtepitë e tyre te prishura nga tërmeti.. A do bohet noiher Shqiperia shtet qe pasuria e gjith MulKoçoPaloqeve sharlatanë të vihet në dispozicion të spitaleve, kopshteve, çerdheve etj?

    Përgjigju
  • al ta: 01/06/2019 11:26

    merini floririn likes dhe keshtu shpetojme ...pastaj sekuestroni pasurite e politikaneve e behemi nji nga vendet me mieqenie me te mire ne rajon e ndoshta ne europe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?