Partia Demokratike, nën drejtimin e Sali Berishës, para se të largohej nga pushteti në qershor të 2013, ka emëruar katër anëtarë në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilët rezultojnë (në bazë të vendimeve të organeve të Vetingut), me lidhje të papërshtatshme me njerëz të përfshirë në krim të organizuar.
Në harkun kohor qershor 2011 deri në maji 2013, Partia Demokratike, ka diktuar me shumicë votash emërimin në kupolën e drejtësisë të njerëzve të papërshtatshëm sa i përket pastërtisë së figurës, në kuadër të strategjisë së hershme për kapjen e sistemit. Të katër gjyqtarët e nivelit më të lartë në Shqipëri janë shkarkuar me vendime të formës së prerë, duke i detyruar që për 15 vite t’i qëndrojnë larg drejtësisë. Shkarkimi i tyre përkon me një fushatën propagandistike të Partisë Demokratike, e cila akuzon mazhorancën se ka ‘asgjësuar’ Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Gjyqtarët
Partia Demokratike, në 3 maj 2013, emëroi Admir Thanzën në Gjykatën e Lartë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkonte nga detyra Thanzën në korrik të 2018. Gjyqtari i nivelit të lartë nuk arriti të kalonte asnjërin nga të tre testet e Vetingut: Ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Megjithatë, Thanza ankimoi vendimin e KPK në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Më datë 18 prill të këtij muaji, trupi gjykues i Kolegjit, kryesuar nga Rezarta Schuetz, me Ardian Hajdari relator dhe anëtarë Ina Rama, Luan Daci dhe Natasha Mulaj, shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimimin dhe vendosi të rrëzojë të gjitha pretendimet e Thanzës. Kolegji la në fuqi vendimin e KPK, sipas të cilit Thanza ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe mund të vihet nën presion nga persona të përfshirë në krimin e organizuar. Gjyqtari kishte fshehur edhe një dënim në Itali për vjedhje. Më 22 mars 2013, me votat e PD në Parlament u emërua në Gjykatën Kushtetuese, Gani Dizdari. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, në 16 korrik të 2018, vendosi të shkarkonte nga detyra Dizdarin për deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë si dhe për një problem serioz me figurën. Dizdari kërkoi rrëzimin e këtij vendimi në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Më 12 shkurt 2019, Kolegji i Apelimit la në fuqi vendimin e KPK, duke shkarkuar përfundimisht Dizdarin nga Kushtetuesja. Sipas Kolegjit gjyqtari ka probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me shtetasin A. L, person i përfshirë në krimin e organizuar. Në mars të 2013, Partia Demokratike, emëroi me votat e saj në Parlament, Shkëlzen Selimin, në Gjykatën e Lartë. Selimi u shkarkua nga Komisioni i Vetingut më 30 korrik të 2018, me arsyetimin se nuk ka arritur një nivel të besueshëm sa i takon kontrollit të figurës. Selimi kërkoi rrëzimin e këtij vendimi në Kolegjin e Apelimit. Kolegji, më 7 shkurt të 2019, vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK, duke shkarkuar përfundimisht Selimin, me pretendimin se ky gjyqtar ka ushtruar ndikimin e tij me qëllim favorizimin e personave të lidhur me krimin e organizuar.
Tom Ndreca
Më 3 maji 2013, pak para se të humbiste pushtetin, Partia Demokratike emëroi Ton Ndrecën në Gjykatën e Lartë. Ndreca u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 17 korrik të 2018, me arsyetimin se ka bërë deklarime të pamjaftueshme për pasurisë dhe se ka pasaktësi në plotësimin e formularit për pastërtinë e figurës. Ndreca e ankimoi këtë vendim në Kolegjin e Apelimit. Kolegji, në 22 nëntor të 2018, vendosi që të linte në fuqi vendimin e KPK. Përpos të tjerave, Kolegji i Apelimit e gjeti me vend argumentin e KPK se Ndreca nuk kishte deklaruar një kontakt të papërshtatshëm në formularin për kontrollin e figurës, në rastin konkret me kunatin.
Emërimi nga PD
Partia Demokratike ka emëruar katër anëtarë në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilët rezultojnë (në bazë të vendimeve të organeve të Vetingut), me lidhje të papërshtatshme me njerëz të përfshirë në krim të organizuar.
Shkarkimi
Të katër gjyqtarët e nivelit më të lartë në Shqipëri janë shkarkuar me vendime të formës së prerë. Shkarkimi i tyre përkon me një fushatën propagandistike të Partisë Demokratike, e cila akuzon mazhorancën se ka ‘asgjësuar’ Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese.
Gjyqtarët e emëruar nga PD me probleme me figurën
Gani Dizdari, ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, i emëruar më 22 mars 2013 (me votat e PD në Parlament), i shkarkuar në të dy shkallët e Vetingut. Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit “Për kriterin e kontrollit të figurës, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me shtetasin A. L, person i përfshirë në krimin e organizuar, dhe që bën të pamundur vazhdimin e detyrës për subjektin e rivlerësimit, Gani Dizdari”.
( Kliko këtu ) për vendimin e plotë të KPA për Gani Dizdarin
Shkëlzen Selimi, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, i emëruar në qershor të vitit 2011 (me votat e shumicës PD-LSI në Parlament), i shkarkuar në të dy shkallët e Vetingut. Sipas Kolegjit të Posaçëm të Apelimit “Në lidhje me konstatimin e sa pasqyruar qartazi nga DSIK-ja, në raportin e saj për figurën e subjektit Shkëlzen Selimi, trupi gjykues konstaton se Komisioni ka kryer një hetim të pavarur, nga i cili ka administruar si nga përfaqësuesit e ONM-së, ashtu edhe nga organet ligjzbatuese vendase të dhëna, të marra nëpërmjet dokumentacionit të klasifikuar “sekret”, ku dëshmohet se si ky gjyqtar ka ushtruar ndikimin e tij me qëllim favorizimin e personave të lidhur me krimin e organizuar. Në konkluzion dhe në përfundim të arsyetimit të mësipërm dhe të shqyrtimit të çështjes në tërësinë e saj, trupi gjykues çmon se ankimi i subjektit të rivlerësimit nuk qëndron në tërësinë e tij dhe se asnjë prej shkaqeve të paraqitura prej tij nuk cenon bazueshmërinë në fakte e ligj të vendimit nr. 52, datë 30.07.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, prandaj, si i tillë, ai duhet të lihet në fuqi”.
( Kliko këtu për vendimin ) e plotë të KPA për Shkëlzen Selimin
Tom Ndreca, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, i votuar në Parlament nga PD më 03.05.2013, i shkarkuar në të dy shkallët e Vetingut. Sipas Kolegjit të Apelimit “Mosdeklarimi i një kontakti të papërshtatshëm në formularin për kontrollin e figurës është parashikuar prej nenit DH të Aneksit të Kushtetutës, si një element që prezumon vendosjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra dhe subjekti i rivlerësimit, megjithëse i gjendur në këto kushte, nuk arriti të provojë në hetim të kundërtën e këtij fakti apo motive a argumente ligjore që e zhvishnin atë nga kjo përgjegjësi. Në këtë kuptim, Kolegji e gjen të drejtë edhe qëndrimin e Komisionit se subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës, në kuptim të nenit 61, pika 3 e ligjit nr. 84/2016”.
Admir Thanza, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, i votuar nga PD më 03.05.2013, i shkarkuar në të dy shkallët e Vetingut. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit: “Në përfundim, trupi gjykues, pasi shqyrtoi dokumentacionin e dorëzuar prej subjektit të rivlerësimit, i) deklaratën për kontrollin e figurës; ii) raportin e DSIK-së, si dhe iii) zhvilloi një hetim të thelluar kryesisht, bazuar në parimin e transparencës, procesit të rregullt ligjor, eficencës, barazisë së palëve në procesin gjyqësor, në lidhje me rubrikën e vlerësimit të figurës, arrin në përfundimin se subjekti i rivlerësimit ka plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës në mënyrë të pasaktë dhe jo me vërtetësi. Nga analiza e të dhënave të parashikuara në pikën 1, neni 38, i ligjit nr. 84/2016, dhe kryesisht bazuar në raportin e DSIK-së, rezultoi që subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar dhe mund të vihet nën presion nga persona të përfshirë në krimin e organizuar, si rrjedhojë konkludohet se ai është i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës dhe duhet aplikuar neni DH i Aneksit të Kushtetutës dhe pika 2 e nenit 61 të ligjit nr. 84/2016”.