Gjuhëtarja Mimoza Karagjozi Kore

'Ja si po rrezikohet shqipja nga trysnitë e gjuhëve të huaja'

21 Tetor 2018, 07:48| Përditesimi: 21 Tetor 2018, 15:26

  • Share

Çfarë po ndodh me gjuhën shqipe në proceset integruese. Ndërkohë që problemet për ruajtjen e saktësië së saj, sipas normave të drejtshkrimit, po arrijnë kulmin, shqipja po rrezikohet edhe nga trysnia e gjuhëve të huaja. Shqiptarët që kryejnë studimet e larta kanë nisur prej vitesh të përvetësojnë gjithmonë e më shumë gjuhë të huaja, ndërkohë që emigranttët që shkojnë në vende të Europës, Itali apo Greqi, nisin të përdorin në jetën e përditshme fjalët e vendit ku kanë mërguar.

Duke qenë në brendësi të këtyre problemeve, gjuhëtarja e njohur, Mimoza Karagjozi Kore, në një intervitë të zgjeruar për “Shqiptarja.com“ ka çelur siparin e një debati që duhet zhvilluar më tej, jo vetëm në tryezën e gjuhëtarëve, por sipas saj edhe në institucionet e mësimdhënies.

Mimoza Karagjozi shprehet se “duhet të punohet që politikat gjuhësore e veçanërisht planifikimi gjuhësor, tekstet shkollore të orientohen drejt në kushtet e sotme”.

Më tej në këtë intervistë Prof.dr. Mimoza Karagjozi Kore flet me argumente shkencore për përpjekjet që duhen bërë për ruatjen në kushtet e globalizmit të shqipes nga trysnitë e gjuhëve të huaja; të cilat kanë bërë të vërshojnë shumë fjalë të tyre në të folurën e përditshem të shqiptarëve dhe sidomos të brezit të ri.

Intervista

Sot dëgjojmë të flitet gjithmonë e më shumë për integrimin euroipian, për globalizmin. Si duhet kuptuar kjo situatë në të cilën gjenden gjuhët e kulturat e ndryshme?

Ne jetojmë në një kohë kur marrëdhëniet janë të ngushta dhe intensive me popuj dhe kultura të tjera. Në ditët e sotme,  bota në të cilën jetojmë, po na paraqitet ndryshe në kuptimin se po shfaqet një “sistem i ri botëror”. Kjo duket në të gjitha marrëdhëniet, si: politike, ekonomike, kulturore etj. dhe ka bërë që raportet e ndërvarësisë në mes të shoqërive të vinë gjithmonë e në rritje, kështu që ngjarjet në një pjesë të botës, ku më shumë e ku më pak, të ndikojnë në njerëzit dhe në shoqëritë e tjera. Por të gjitha këto marrëdhënie të reja e të ngushta që po shfaqen dita-ditës janë të bazuara mbi komunikimin, prandaj për mendimin tonë, globalizmi në radhë të parë është një revolucion komunikimi. Ky realizohet me anë të medieve, botimeve, televizionit, internetit, pra, me anë të gjuhës së folur e të shkruar. Rezultati që ka sjellë ky lloj komunikimi është i dukshëm. S’mund të gjenden më sot në botë komunitete njerëzore që për shekuj kanë qenë të izoluara, me karakteristika të dallueshme e të pastra nga ana gjuhësore e kulturore, por gjejmë gjithnjë e më tepër shoqëri të prirura drejt botës, ku gjuhët e kulturat ndërveprojnë midis tyre.

Po me gjuhën shqipe çfarë do të ndodhë në këto kushte?

Në këtë kontekst, kujtdo natyrshëm i lind pyetja: ç’do të ndodhë me gjuhën tonë të cilën e mbrojtën dhe na e lanë trashëgim të parët tanë? Për shqiptarët, shqipja është gur themeli i ngjizjes identitare, është mjeti më i dukshëm i përbashkimit kombëtar, prandaj të gjithë jemi të ndjeshëm për ruajtjen dhe kultivimin e saj. Te shqiptarët, thellë në ndërgjegje, ka qenë gati instiktiv reagimi vetëmbrojtës, ruajtja e gjuhës dhe përcjellja e saj në breza. Këtë, në mënyrë intelektuale, e gjejmë të shprehur qysh në librat e parë të gjuhës shqipe, nga njerëzit e letrave të asaj bote si, Franga Bardhi, i cili, i shqetësuar për depërtimin e turqizmave, në “Dictionarium” (1635), ankohet për gjuhën shqipe që “po bdaretë e po bastardhohetë sā mā parë të ve”. E njëjta brengë e mundon më vonë edhe Bogdanin, i cili në “Cuneus Prophetarum” (1685) “tue vum roe të gjymtët’ e giuhësë arbëneshe”, iu përvesh punës për pasurimin e saj që “të mos harrohej e të dvarej giuha”. Me problemet e ndërveprimit global, popujt e tjerë, pra dhe gjuhët respektive të tyre, janë përballur më herët, sepse ato kanë qenë shoqëri të hapura ndaj tij më shpejt se ne, kurse ne shqiptarët i ndeshëm ato si trysni e paevitueshme pas viteve ‘90, kur mijëra emigrantë çanë rrugët e botës, më së shumti në Greqi e në Itali, por s’munguan edhe në vendet e tjera, veçanërisht anglishtfolëse. Shqipja edhe para shumë shekujsh ishte gjendur nën trysninë e gjuhëve të huaja me prestigj kulturor si: greqishtja, latinishtja, apo turqishtja. Por asnjëherë si në këto vite ajo s’është ndodhur nën presionin e njëkohshëm të disa gjuhëve. Fjalët e huaja filluan të vërshojnë nga të gjitha drejtimet e mundshme. Problemet ekonomike përpara të cilave u ndodhëm si vend nuk na dhanë mundësinë t’i vinim re në kohën e duhur. Megjithatë, këto dekadat e fundit, shqetësimi është shfaqur në shkrime të ndryshme, jo vetëm nga gjuhëtarët që e kanë për detyrë të kujdesen për gjuhën, por edhe nga njerëz të letrave e gazetarët.

Si depërtuan kaq shpejt fjalët e huaja? Ç’rrugë ndoqën ato dhe a mund të shmangeshin?

Nevoja ekonomike i hodhi shqiptarët me shumicë në vendet fqinje. Marrim shembullin e Jugut të Shqipërisë. Pas daljes nga izolimi politik e gjeografik, shqiptarët e Jugut i drejtuan sytë nga shteti helen me të cilin u zhvilluan vrullshëm marrëdhënie ekonomike, kulturore e tregtare e kjo bëri që greqishtja, nëse do të shpreheshim me një thënie të E. Çabejt (i cili përshtat një shprehje të Hugo Schuchardt-it në rrethin arbërishtfolës) filloi të bëhej “gjuha e bukës” për ta. Nga njëra anë dëshira dhe nevoja për t’u integruar, nga ana tjetër të folurit shqip me zë të ulët në ambiente ku ajo nuk u mirëprit, bëri që prindërit gjithmonë e më pak t’u flisnin bijve të tyre me “gjuhën e zemrës”. Pyetjes suaj se si depërtuan kaq shpejt në gjuhën tonë huazimet, unë do t’i përgjigjesha se ato hynë me rrugën më të zakonshme, atë të futjes së mallit të ri së bashku me emërtimin e tij. Kjo është edhe rruga me anë të së cilës fjala e huaj zë edhe më shpejt e më mirë vend në një gjuhë tjetër. Filluan të gëlojnë gjithandej fjalë si: paidhaqe (παϊδάκια), sufllaqe (σουβλάκια), tiropita (τυρόπιτα), gjiro (γύρος), xaxiqi (τσατσίκι), por u gjallëruan edhe të vjetrat që dalëngadalë po harroheshin, si: toidhjo (το ίδιο), skupa (σκούπα).

Sot në Shqipërinë e Mesme e të Veriut gjen fjalën bolier, kurse në Jug të vendit, meqë ka hyrë prej Greqisë quhet termosifon (θερμοσυφονας), ose atyre që dikur u thoshim siguresa, sot i dëgjon automat, kurse në Jug asfalie, pra janë krijuar edhe çifte sinonimike fjalësh të huaja të ardhura nga drejtime të ndryshme. Ka raste kur emërtimi i një sendi të sjellë nga shteti fqinj, në jug të vendit të shqiptohet drejt, kurse aty ku greqishtja nuk njihet dëgjon një shqiptim tjetër. Kështu një lloj gjalpi që në qytetet e Jugut quhet vitam (βιτάμ), në Tiranë e dëgjon bitau, me lexim të alfabetit grek sipas atij latin.

A rrezikohet sot gjuha jonë prej anglishtes? Të rinjtë po e mësojnë në masë, a sjell kjo pasoja në mësimin e gjuhës shqipe mirë?

Çka thamë më lart ishte një konstatim në një plan të ngushtë. Më gjerë shqipen duhet ta shohim në përballje me anglishten, e konsideruar si lingua franca e ditëve tona. Sot jemi përballë dukurive kontradiktore në Europë. Nga njëra anë po flitet për Europën e Bashkuar, për heqje kufijsh, për politika të përbashkëta ekonomike, për luftë kundër urisë globale e terrorizmit, për integrim Euroantlantik apo në NATO, nga ana tjetër kemi një respektim të gjuhës së gjithsecilit shtet, madje edhe të pakicave. Në këtë shfaqje të kundërtash të gjithë kërkojnë një zgjidhje. Po t’i referohemi së kaluarës përpjekjet për një komunikim midis popujve me gjuhë të ndryshme kanë qenë të hershme. Shembuj për këtë janë notat e muzikës, matematika, kompjuteri, deri tek esperantoja. Umberto Eco jep këtë zgjidhje në këtë rst: “Nëse prirja e njësimit europian ecën krah për krah me prirjen e shumimit të gjuhëve, zgjidhja e vetme e mundshme është pranimi i plotë i një gjuhe europiane përçuese”, të cilën ai e quan Gjuha ndërkombëtare ndihmëse (GJNN). Kjo gjuhë që është pozicionuar qartë si e tillë sot, është anglishtja,

Çfarë karakteristikash shfaqin këto fjalë të huaja në gjuhën tonë? A dallohen lehtë ato? Por si duhet t’i shohim fjalët e shprehjet që vijnë prej anglishtes? Të frikësohemi e të izolohemi përsëri?

Anglishtja  është sot gjuhë zyrtare në Britani, në SHBA, në Kanada (krahas frëngjishtes), në Australi, në Zelandën e Re dhe në Afrikën e Jugut. Ajo është gjuha që zë një vend të rëndësishëm në jetën e Pakistanit dhe të Indisë. Jo rrallë ajo përdoret si gjuhë e tregtisë, e shkencës dhe e publicistikës në Azi, Afrikë e pjesërisht në Amerikën e Jugut. Miliona njerëz e flasin atë si gjuhë të dytë. Siç dihet ajo po ushtron presion mbi shumë gjuhë europiane e sigurisht edhe mbi gjuhën tonë. Ky është rezultat i ndikimit politik, kulturor, ekonomik e teknologjik i ShBA-së, sidomos pas Luftës II Botërore, ndikim që u shtua edhe më shumë pas viteve ’90. Duke qenë se asnjë popull në botën e sotme nuk mund të jetojë me zakone e dije të pandryshueshme për shekuj e shekuj, i ngurtësuar në kulturën e ritualet e veta, edhe në vendin tonë shumë njerëz, organizata e biznese i kanë shtuar kontaktet ose i kanë të vazhdueshme me literaturën dhe personat e huaj. Kjo ka sjellë si rrjedhojë edhe një mënyrë të re të menduari i cili pasqyrohet edhe në organizimin gjuhësor.

Fjalët që vinë prej anglishtes, jo të gjitha integrohen mirë në gjuhën tonë. Shumë prej tyre duken si mish i huaj, sepse duke ardhur nga një mentalitet dhe kulturë tjetër ato nuk krijojnë varietet fjalëformimi, por duket sikur “i merr për dore” përgjegjësja e shqipes për t’i shtënë në fjali e për t’i bashkëlidhur me fjalë të tjera, prandaj si të tilla ato janë të paracaktuara për të dalë një ditë prej shqipes. Në gjuhën tonë do të mbeten ato fjalë që kanë hyrë për të shënuar sende të reja, ose ato, vlera semantike e të cilave është më e ngushtë, më e specializuar se fjala e shqipes si dhe ato që me mjetet e shqipes janë bërë burim për të formuar fjalë të reja, p.sh.: kompjuter (kompjuterist, kopjuterizim); model (modeloj, modelim) e duke vazhduar me energji, identitet, standard, surprizë, akreditim etj. Sot po vihen re edhe ndërtime a sintagma disa prej të cilave ndihen “jo rehat” brenda strukturës së fjalisë së shqipes, kurse disa të tjera edhe pse mund të jenë kalke janë ndërtuar mirë, sipas strukturës së gjuhës sonë, nuk bien ndesh me të, p.sh. sjell në vëmendjen tuaj (ang. bring in your attention), marr në konsideratë (ang. take into consideration) jam e interesuar rreth jush (ang. I’m interested about you) etj. Sigurisht gjuha standarde, gjuha e kulturës, e letërsisë, e shkencës dhe e teknikës nuk mund të mbetet në nivelin popullor. Ajo zhvillohet duke dhënë e marrë me gjuhët e tjera, por e  rëndësishme është që ndërtimi të jetë në pajtim me tipologjinë e gjuhës shqipe. Shprehje si më sipër, nga ana tjetër, ndryshe nga fjalët e huaja, njerëzit e kanë vështirë për t’i dalluar si të tilla, përkundrazi duket se ato e ngrënë nivelin e komunikimit.

Shqipja standarde duket se po i reziston mirë, deri tani, përballjes me gjuhët e huaja. Këtë mund ta themi për sistemin fonetik të saj, morfologjik e deri-diku atë sintaksor, por jo për sistemin leksikor. Në fjalorin e përditshëm të të rinjve të sotëm dëgjohen rëndom fjalë, si: klab (ang. club) trendi (ang. trendy) daunlodoj (ang.doënload) tok-shou (ang. talk shoë) parti (ang. party) dixhej (ang. DJ)

Ne duhet të vazhdojmë me vendosmëri në rrugën e integrimit, por pa lënë mënjanë edukimin e rinisë me dashurinë për gjuhën amtare, sepse siç thoshte Z. Krispi (1827): “Është gjuha e një kombi që ruan zakonet dhe doket e dyshohet se kombet ruhen ose shkatërrohen në atë masë që ruhet apo shkatërrohet gjuha”. Por ne s’mund t’u themi njerëzve përdor këtë fjalë e jo këtë, sepse secili e zgjedh vetë mënyrën më të mirë të mundshme për të qenë i qartë në komunikim, prandaj duhet të punohet që politikat gjuhësore e veçanërisht planifikimi gjuhësor, tekstet shkollore të orientohen drejt në kushtet e sotme. Vetëm kështu mund t’i bëhet ballë këtij “trendi” (ang. trendy) shoqëror që quhet, anglishte.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?