Presidenti amerikan Joe Biden dha të dielën në mbrëmje dorëheqjen nga kandidimi për një mandat të dytë presidencial, vetëm 4 muaj para zgjedhjeve të nëntorit të këtij viti.
Megjithëse ishte mandatuar unanimisht nga demokratët për të garuar përballë Donald Trump, ish presidentit republikan që shihet nga demokratët por dhe një pjesë e amerikanëve si një rrezik për vendin, rolin e SHBA në arenën ndërkombëtare, në NATO apo në raport me luftën në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, situatën në Ballkan, dhe mbi të gjitha qasjen ndaj BE dhe botës në tërësi.
Biden, pas një ngurrimi të gjatë, paçka se i kishte të gjithë faktorët kundër kandidimit të tij, duke filluar nga mbështetësit më të afërt e deri te mosha, e nganjëherë mungesa e lidhjes me realitetin, më në fund dha dorëheqjen.
Biden në njoftimin e largimit të tij është shprehur se ky vendim është në interesin e partisë dhe të vendit. “Besoj se është në interesin më të mirë të partisë sime dhe të vendit që unë të tërhiqem dhe të fokusohem vetëm në përmbushjen e detyrave të mia si President për pjesën e mbetur të mandatit tim”, ka shkruar Biden në letrën ku njofton largimin, të postuar në llogarinë e tij X.
Ishte një letër tepër e shkurtër por që përmbledh në vetëvete, tërë dilemën e një gare elektorale, që pritej të rezultonte katastrofike për demokratët, përballë Trump por dhe republikanëve që mund të merrnin kongresin dhe gjithçka, pra një pushtet të pakufizuar në SHBA.
Gjithçka kishte filluar në atë përballjen e para disa javëve mes Biden dhe Trump, debat televiziv që kishte rezultuar një katastrofë për presidentin në detyrë, i cili nuk arriti për asnjë moment të ngjitej as në nivelin normal të një kandidati për president. Pa llogaritur belbëzimet e gafat këtu.
Nuk po hyjmë në detaje se si shkoi debati, por ajo që pasoi ishte ‘pikiata’ në sondazhe e Biden përballë Trump, por dhe e demokratëve përballë republikanëve. Me një fjalë humbja ishte e sigurtë me një kandidat si Biden për President, ndërkohë që ‘tabela e basteve’ tashmë shënonte vetëm pyetjen se sa e thellë do të ishte humbja.
Këtë e kuptuan demokratët, financuesit e mëdhenj të fushatës dhe për fatin e mirë e kuptoi më në fund dhe vetë Biden, që dha dorëheqjen nga gara presidenciale për një mandat të dytë, duke i hapur rrugën zv.presidentes Kamala Harris dhe kandidatëve të tjerë që të garojnë në konventën demokrate për të marrë nominimin si kandidat zyrtar për presidenti i SHBA përballë Trump.
I nënvizuam këto fakte për të treguar se Biden nuk u tërhoq nga gara se nuk kishte mbështetjen e shumicës së demokratëve në SHBA, se nuk kishte marrë mjaftueshëm donacione për të vijuar fushatën përballë Trump, apo se nuk kishte shanse për të fituar përballë Trump.
I kishte të gjitha, faktet tregonin se Biden dominonte në të gjitha rastet Partinë Demokratike në Amerikë, kishte financime masive por dhe sondazhet tregonin një diferencë shumë të ngushtë në disa shtete me Trump. Por dorëheqja e Biden erdhi sepse në fund të herës, nuk ishin 100 përqind i sigurë se ai mund të fitonte përballë Trump, dhe kjo për të dhe për demokratët ishte një tragjedi. Pavarësisht se Biden ishte një politikan e president i madh, pa asnjë të metë, përjashtuar moshën dhe ato hallet që i shfaqeshin herë pas here në formën e ‘hijeve’ apo mungesës së orientimit dhe harresës në shumë raste. Demokratët në SHBA ishin projektuar për të fituar dhe këtë radhë, sepse mundësitë ekzistonin për fitoren e një mandati të dytë përballë republikanëve dhe Trump. Ndaj Biden dha dorëheqjen nga gara, parë kjo në anën e dukshme që ne mund të analizojmë.
Dhe vetëvetiu, shembulli i dorëheqjes së Biden nga gara për një mandat të dytë presidencial në SHBA, thjeshtë e vetëm se nuk shihej si një fitues përballë Trump, na sjell në vëmendje situatën në Shqipëri, dhe sidomos në Partinë Demokratike shqiptare, e cila pas vendimit të apelit, me vulë e logo, me ligj e Kanun drejtohet nga Sali Berisha. I cili ka moshën e Biden, por aspak karrierën e ndritur të tij, pasi Berisha gjendet nën arrest shtëpiak nën akuzën për korrupsion, dhe është gati në përballje dhe me akuza të tjera që mund t’i hapin njëherë e përgjithmonë derën e qelisë, pa të drejtë kthimi në liri. Eshtë nën hetim familjarisht madje.
Dikush mund të thotë se çfarë po krahason, mes demokratëve amerikanë dhe atyre shqiptarë, apo Biden me Berishës se janë ku e ku larg njëri tjetrit. Për hir të së vërtetës dhe ne shqiptarët duam të jemi si të gjithë të tjerët, dhe në krahasime e pika referimi, të paktën për hir të paritetit politik. Dhe nuk mund të na e ndalojë askush të ëndërrojmë ndonjëherë por dhe të guxojmë të bëjmë krahasime me të mëdhenjtë. Fundja ëndrrat janë pa lekë për ne vdekatarët e rrogtarët e thjeshtë, të privatit apo të shtetit, pa vila në Lalz apo në Rivierën shqiptare në Jug të vendit e në periferi të Tiranës, sikurse i kanë këta pasunarët tanë të pasuruar me rroga shteti sa tonat me plus minus.
Që të rikthehemi tek PD e Berisha, ajo që mund të themi është se ndryshon ku e ku me situatën e PD amerikane dhe Joe Biden, që u dorëhoq të diëlën në mbrëmje nga gara për President. E themi këtë sepse Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania për korrupsion madhor, minim të demokracisë, shantazhim të drejtësisë dhe lidhje me elementët kriminalë, por dhe i trajtuar si ‘non grata’ nga vendet anëtare të BE dhe të rajonit, nuk e njeh marshin ‘indietro’ në politikë. Anipse i ka të gjitha shanset kundër. Megjithëse e di se kurrë PD me të kryetar nuk vjen në pushtet, as që e mendon të tërhiqet nga drejtimi i kësaj partie.
Te gjitha sondazhet serioze në Shqipëri e nxjerrin Berishën në rastin më të mirë me gjysmën e mbështetjes së rivalit të tij kryesor, Edi Ramës, ndërkohë që PD-në shumë e shumë prapa PS-së për nga mbështetja me votë. Ndryshe nga Biden në Amerikë që ndahej me Trump në shifrat 1 ose 2 përqind në gjysmën e shteteve, i cili gjithsesi dha dorëheqjen.
Në Shqipëri, Berisha e di si dreqi se PD dhe opozita të udhëhequr nga ai nuk fitojnë kurrë përballë Ramës dhe PS, por ama largimin nga drejtimi as që e mendon. Dhe kur shfaqen zëra për gjetjen e një lideri të ri të opozitës, që të prezantohet përballë shqiptarëve si kryeministri në ‘hije’ i opozitës qoftë dhe nga diaspora, Berisha përmes mbështetësve të tij e në fund të herës përmes vajzës Argita të cilën e ka zgjedhur si trashëgimtare të tij në krye të PD, i kundërshton dhe i zeron të gjithë këta zëra. Duke lënë për opozitarët vetëm një alternativë, Sali Berishën. “Në daç merre, në daç lërë, aty e ke, copë një Berishën”, thuhet nëpër korridoret e PD, sa për inat të Bardhit, sa për inat të kundërshtarëve aq dhe për dëshirën e lidershipit të PD që e kanë nisur jetën dhe po e mbyllin me Berishën.
Në fund të herës ajo që mund të themi është se me Berishën si kryetar, dhe që i ka futur ‘thonjtë në fyt” PD-së për hallin e tij personal, është se kjo PD por dhe opozita aktuale nuk është as e projektuar për të ardhur në pushtet, por thjeshtë dhe vetëm për të qënë ‘mburoja’ politike e Berishës dhe e ortakëve të tij, përballë drejtësisë e ndërkombëtarëve.
Berisha e ka fituar betejën e tij, i mori Bashës partinë, vulën dhe logon, duke garantuar se PD do të jetë në vendin e dytë në listën e partive politike, pas PS që mban në shumicë vendin e parë. Kaq i duhet Berishës. Fundja nuk i ka dalë keq, se dhe ndonjë lek e ka fituar, por dhe ndonjëherë këta të drejtësisë e kanë ‘ngrënë’ presionin, duke ia zvarritur hetimet dhe çështjet.
Fundja Berisha 80 vjeç është dhe mund ta mbyllë me ‘nder’ jetën, pa ndonjë dënim zyrtar me burg sa të jetë gjallë për zullumet që ka kryer. PD e ka lënë në dorë të vajzës dhe familjes, paratë po e po, herë përmes gjobave e herë përmes ndonjë biznesi. Por ama, PD sa të jetë ai gjallë ai në krye të saj por dhe në vijimësi me Argitën po ‘non grata’ në drejtim, s’vjen kurrë në pushtet. Dhe për inerci mund të shkojë shumë gjatë në opozitë. Ndaj e përmendëm mesazhin e dorëheqjes së Biden, që nuk ‘pi ujë’ në rastin e Berishës.