Pas dështimit të reformës zgjedhore dhe diskutimeve në grupin e dialogut, mazhoranca dhe opozita duket se janë afër marrëveshjes për ndryshimet në Kodin Zgjedhor edhe pse në limit kohor. Ndërsa për votën e diasporës po përpiqen për dakordësi në parim, në mënyrë të mundësojnë votën e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, drita jeshile pritet për propozimin më të fundit të opozitës që rrëzon mekanizimin e herësit. Mazhoranca ka dhënë sinjale pozitive dhe Bledi Cuci, kreu i grupit të socialistëve u tha deputetëve në mbledhjen e kësaj të hëne se diskutimet vijojnë ende në nivel politik dhe se nëse do të ketë dakordësi mes palëve, ndryshimet do të kalojnë për votim në seancën e kësaj jave.
PD ka propozuar që 1/3 e listës së deputetëve të jete e mbyllur, pra e hartuar nga kryetari i partisë, ndërsa 2/3 e listës të jetë e hapur dhe deputetët fitues të renditen sipas votës preferenciale, duke rrëzuar herësin të cilin më herët socialistët propozuan të jetë jo më shumë se 7 mijë vota. Por ky propozim për ish-kryedemokrati Lulzim Basha nuk është gjë tjetër veçse pazar i Ramës dhe Berishës që sipas tij kanë frikë nga listat e hapura. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha e cilësoi si një tentativë në bashkëpunim për të dobësuar parlamentin dhe për të ndarë mes tyre pushtetin ekonomik dhe politik.
Për të çuar përpara ndryshimet në Kodin Elektoral palët duhet të dakordësojnë brenda 3 ditëve pasi kjo është java e fundit e punimeve parlamentare, deri kur ligjvënësit të rikthehen sërish shtator. Axhenda e ngjeshur do ta zgjasë seancën plenare në dy ditë, të enjten dhe të premten e kësaj jave, për shkak të projektligjeve dhe akteve të shumta që kërkojnë miratim para mbylljes së sesionit parlamentar. Vec ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në rendin e ditës janë parashikuar gjithashtu dy interpelanca me ministrat Blendi Gonxhaj dhe Erin Mete, raportet vjetore të disa institucioneve të pavarura, projektligjet "Për Policinë e Shtetit" si dhe projektligjin “Për prodhimit dhe tregtimin e municioneve”.