Jetë emigranti

30 Nëntor 2011, 19:57| Përditesimi: 5 Dhjetor 2011, 13:08

  • Share
Bukët e freskëta të shpërndara mbi asfalt, mes llamarinave të makinës e kamionit gjigand; më tutje, djali 4 muajsh që shpëtoi për fat. Kështu u shua jeta e Silvana Mullisit, dy ditë më parë, në veri të Italisë, në 26 vjetët e saj, ndërsa në 5.30 të mëgjesit me makinën Fiat “Fiorino” dhe djalin e vogël në sedilje, shpërndante tek klientët bukët e freskëta të furrës që kishte hapur dhe menaxhonte me bashkëshortin.

Këto tragjedi na bëjnë, pa dashje, të hedhim sytë në jetët e njërëzve që nuk i njihnim më parë. Të zbulojmë sakrificat, përkushtimin, ndershmërinë, thjeshtësinë që shumë nga bashkëatdhetarët tanë ndërtojnë kudo që punojnë. Silvana bënte bukë dhe ëndërronte të bëhej juriste, por nuk ishte vetëm një ëndërr sepse ishte regjistruar në fakultet ndërkohë.

Një koleg italian më tregonte për kujdestaren shqiptare të nënës së tij të moshuar. “Ju shqiptarët më befasoni – Adelina lan e pastron nënën time – dhe në komodinë mban librat e Gëtës”. Mediat italiane shkruajtën shumë për familjen e Silvanës; familje bukëpjekësish e njërëzish të punës, por edhe për motrën, Stelën, nxënëse e diplomuar me nota maksimale.
Tragjedia e Silvanës hapi siparin në jetën plot sakrifica që shumë shqiptarë zgjedhin. Historia e nënës së re që vdiq në aksidentin rrugor pranë Domodossolas, të krijon respekt të thellë e nderim për njerëzit e heshtur të punës.

  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?