Jetojnë në mjerim në ish-godinën e rrënuar të ushtrisë, apeli i familjes në Gjirokastër për ndihmë: Kemi frikë! Tavani u shemb pjesërisht, shiu hyn në shtëpi

6 Shkurt, 16:02| Përditesimi: 6 Shkurt, 16:21

  • Share

Kjo godinë dy katëshe, në lagjen Gërhot të qytetit të Gjirokastrës, ndërtuar nga italianët në 1930-ën ka shërbyer si ambient banimi për familjarët e ish-ushtarakëve italianë. Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, kjo godinë i kaloi Ushtrisë Popullore. Pas viteve ’90-të u privatizua nga ish-punonjësit që shërbenin në ish-Ushtrinë Popullore.

Sot ndërtesa është tërësisht e degraduar dhe e pabanueshme duke marrë trajtën e një ngrehine.

Të vetmit që banojnë këtu janë pjesëtarët e familjes Zani që sfidojnë të ftohtin dhe lagështinë. Prej amortizimit, një pjesë e mirë e suvasë së tavanit ka rënë. Situata në mot me shi është kjo që po shihni në ekran.

Të gjitha llojet e enëve janë vënë në shërbim për të pritur pikat e shiut.

“Çfarë bie jashtë hyn brenda. Katastrofë! Rrezik të na zërë brenda. Jemi ankuar kudo tek Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Prefekti dhe Emergjencat Civile por asgjë nuk është bërë. Ne jemi të sëmurë dhe të pafuqishëm për të ndërtuar shtëpi. Burri ka kaluar trombozë në kokë dhe unë hemoragji cerebrale”, shprehet Sheqere Zani, kryefamiljare.

Kryefamiljarja Sheqere Zani rrëfen peripecitë dhe problemet shëndetësore të tre anëtareve të familjes teksa kërkon strehim nga Bashkia e Gjirokastrës.

“Jetoj me djalin dhe bashkëshortin pa asnjë të ardhur. Ai (burri) ishte me KEMP (pension invaliditeti) por iu ndërpre edhe unë jam me KEMP por nga dhjetori e deri më tani s’më kanë kthyer përgjigje. Unë kërkoj nga institucionet të na ndihmojnë, të bëjnë diccka për të na strehuar”, tha Zani.

Report TV u interesua në Bashkinë e Gjirokastrës, e cila tha se Emergjencat Civile kanë inspektuar godinën dhe kanë konstatuar se është tërësisht e papërshtatshme për banim për shkak të lagështisë në masën 70%. Për rrjedhojë, në mbledhjen e afërt të Këshillit Bashkiak, këshilltarëve do tu propozohet që kjo familje të përfitojë nga bonusi i qirave sociale deri në riparimin e pjesshëm të banesës.

B.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 06/02/2024 23:47

    Bonus qiraje deri ne riparimin e pjesshem te baneses?! Kete godine nuk mund t'a quash /banese/,te tepert e ka dhe /godine/,kjo eshte germadhe qe i duhet vene buldozieri e rrafshuar,jo riparuar se nuk ka asgje qe ja vlen te riparohet.Keni rrafshuar ndertesa te demtuara nga termeti qe kishin me pak deme se kjo, dhe kete germadhe qe e ka shembur koha e kalbur myku e lageshtia doni t'a riparoni? Jepuni ketyre njerezve te drejte,jepuni nje banese sociale per te qene,nuk kane nevoje per meshire,per bonus qiraje e riparim germadhash!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?