Shumë shqiptarë, jo detyrimisht demokratë bien sot dakord me nevojën për ndryshim. A duhet të jetë ky ndryshim radikal, pra një qeveri e re apo thjesht impulse dhe ide të reja, pra sërish qeveria socialiste e riformatuar këtë do ta vendosë vota në 25 prill.
Por, përtej preferencave personale të secilit, lista e drejtuesve të qarqeve të PD të lë pa fjalë. Sepse nga njëra anë, njeriu që me fjalë kërkon ndryshimin radikal, një lloj “New Deal” shqiptar, është i njëjti që ripropozon ata njerëz që çuan pikë së pari PD në “debacle” e vet më të tmerrshëm historik.
Një PD e re, me Mziun, Palokën, Alibeajn, figura të shplara nga dekada të kaluara në politikë, e secili me një dollap të mbushur me skelete korrupsioni, me akuza, përbaltje, sherre, skandale…. Zgjedhje, që në thelb janë pikërisht ato që kanë degdisur demokratët në minimumet e tyre historike.
Le t’i marrim me radhë. Xhelal Mziu drejton fushatën e PD në Dibër. Pas një gjenerali që u shpërblye me karrigen në Kuvend pasi i fali SHQUP-in e ushtrisë PD, tashmë dibranët do të drejtohen nga ish-kryetari i Bashkisë së Kamzës, i akuzuar dhe i hetuar për korrupsion, e me qindra herë në qendër të vëmendjes për afera, thirrje për dhunë, nepotizëm, skandal seksual (Shamikuqja). Ky është “New Deal” i PD në Dibër.
Në Shkodër, figura “e re” është Helidon Bushati, ish-deputet, që në vitin 2017 u largua përkohësisht pasi Basha e quajti të pavlerë duke e vendosur në fund të listës. Dikur, ish-drejtori i përgjithshëm i QSUT, i akuzuar për vjedhjen e miliona dollarë ilaçeve, para të cilat u përdorën për të financuar fushatën e PD në 2013.
Në Lezhë, dashuria e vjetër, Mark Marku, profesori që tha që nuk do të merrej kurrë me politikë, që pastaj u bë deputet në 2013-n, që u largua duke thënë se e kishte mbyllur me politikën, por që në 2021 iu kërkua nga PD të ishte në komisionin e përzgjedhjes së kandidatëve të rinj. Çudia më e madhe, i pari i jurisë zgjodhi veten “Miss të Lezhës”, duke e vendosur veten të parin në listë. Marku, një profesor i njohur i gazetarisë, është njeriu që kërcënon live njerëzit duke i thënë se do t’ua fusë me bidon kokës nëse nuk bien dakord me të.
Në Durrës, riciklohet Edi Paloka. Se çfarë kishte më shumë ai, se figura si Topalli, Patozi, Bode, Imami, këtë vetëm Basha e di, që ndërsa të tjerët e gardës së vjetër i kaloi në gijotinë në 2013-n, me Palokën e lidhi ky fill i ri dashurie. Sot, deputeti me vështirësi të shqiptimit të gërmës “th” e sheh veten në zenitin e pushtetit të tij të pashpjegueshëm për shumë persona brenda PD.
Në Fier Alibeaj. Duket sikur ishte vetëm dje dita kur i ngelte hatri se Fierin ja caktonin Olldashit dhe jo atij. Kanë kaluar 12 vjet… Një tjetër figurë aq e konsumuar sa më nuk bëhet. Në Korçë ku Lulzim Basha emëroi Edmond Spahon i cili ka qenë për tre mandate deputet i këtij qarku në vitin 2005 dhe më pas në zgjedhjet e tjera në 2009 dhe 2013 deputet liste.
Spaho nga vitin 2013 u bashkua me Lulzim Bashën dhe në ato momente mori dhe nofkën kërmilli pas lëpirjes publike, të turpshme dhe të neveritshme ndaj kreut të PD. Basha e shpërbleu duke e çuar në Durrës për fushatë më Grida Dumën, më pas e coi në 2017 në Elbasan ku sërish humbi. Tani e ka çuar në Korçë, ku ndoshta në fakt mund të ishte ndonjë emër tjetër por alternative e vetme e ngelur ishte Edmond Spaho. Ky i fundit është pjesë përplasjesh dhe konfliktesh në Korçë gjithësesi një devolli që do tentojë të luftojë ndaj socialistëve.
Ai ka qenë atje në garë dhe rezultatet e arritura nuk kanë qenë të këqija. Të presim dhe të shohim do i kthehet rezultatave të dikurshme në Korçë apo do të jetë si në Elbasan dhe Durrës ku ishte një dështim spektakolar. Në Elbasan, Lulzim Basha ka vendosur Gazmend Bardhin, sekretarin e përgjithshëm të PD. Një njeri që nga hiçi u emërua gjatë qeverisë teknike si ministër drejtësie. Ka plot skenarë për Gaz Bardhin, njeriun që shpallet si i ndershëm , ka hedhur një firmë gjatë kohës që ka qenë ministër i Drejtësisë, një firmë për një çështje që ka kushtuar jo pak shqiptarëve.
Gaz Bardhi ka shkuar të luajë fort në një zonë ku do të ketë në krah edhe Monika Kryemadhin nga LSI, por përballë socialistët duket se janë më të fortë, një qark ku ata gjithmonë kanë drejtuar. Gaz Bardhi këtë radhë është për të provuar pasi ai nuk ka drejtuar më parë asnjë fushatë elektorale, në vitin 2017 ishte ministër Drejtësie dhe në 2019 opozita nuk hyri në zgjedhje. Ai ka qenë thjesht një zyrtar që ka zëvendësuar Lulzim Bashën kur ai nuk ka qenë në zyra. Me zërin e tij të hollë shpreson se mund tu ngjitë elbasanllinjve të cilët kanë dhe historitë e tyre.
Pra po t’i hedhim një sy të gjithë kandidaturave që Lulzim Basha ka vënë nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim nuk shohim asnjë risi, nuk shohim asnjë emër të ri i cili mund të japë shpresë, përjashto këtu Gazmend Bardhin i cili në rast se ngelet shpresa dhe risia e Partisë Demokratike, PD duket se është në rrugë të mbarë, kuptohet drejt fundit.
Por nga ana tjetër mund të theksojmë se disa personazhe janë personazhe të vjetra politike për të cilat Basha ka thënë se nuk do të jenë më, do jenë emra të rinj, njerëz të shkolluar në perëndim, jo me shkollën e komunizmit. Në fakt shumica e tyre që janë, për të mos thënë të gjithë, janë emra të konsumuar , humbës serial si Spaho, Alibeaj, Mark Marku, Helidon Bushati,por kjo tashmë duket se nuk ka rëndësi.
“Neë Deal” ishte një ide e presidentit Ruzvelt, që hyri në histori si njeriu që drejtori Amerikën gjatë Luftës së Dytë Botërore, por u bë president si njeriu që duhet të nxirrte vendin e tij nga recesioni i rëndë i vitit 1929, meritë e politikave të gabuara shumëvjeçare të Coolidge dhe të tjerëve para tij, një bombë që i plasi në dorë presidentit Huver.
“Neë Deal” ishte një ide e re e të bërit politikë, një shkëputje e plotë nga e shkuara. A mund ta bënte këtë Ruzvelti duke u mbështetur pikërisht tek njerëzit që çuan në gropë Amerikën? Historia nuk mund ta thotë, sepse askujt as nuk i shkoi ndërmend si mundësi. Por, ja gjë Lulzim Basha po përpiqet të bëjë pikërisht këtë gjë.
Duke ricikluar një brez politikanësh që erdhën në politikë si violina të dyta mes 2005-2013, që në tetë vitet e tjera u shembën me humbje njëra pas tjetrës, e që tani për një arsye të mbinatyrshme janë shndërruar në fitues të lindur.
Shqipëria ka në total 12 qarqe. Krishti kishte edhe ai 12 dishepuj. Vetëm se Basha nuk është Krishti. Shumë më tepër, ai është Juda që ka tradhëtuar opozitën dhe ata që kanë besuar e besojnë ende tek Partia Demokratike. Ndaj, kjo është më shumë një histori e Judës, me 12 dishepujt e tij, një lloj historie e kthyer përmbys, ku në darkën e fundit të Da Vinçit mungon pikërisht protagonist.