Sport

Juventusi e Bayerni hipotekojnë 1/8 e Champions, fitojnë Barcelona e Chelsea ndërsa United përmbys Atalantën

21 Tetor 2021, 09:20| Përditesimi: 21 Tetor 2021, 09:59

  • Share

Juventusi hipotekon kalimin për në fazën e 1/8 të Champions League. Bardhezinjtë fituan 1-0 në Rusi ndaj Zenit dhe sigurojnë fitoren e tretë në po kaq ndeshje në grupin H. Goli i fitores u shënua nga Kulusevski ndërsa të dielën luhet derbi i Italisë ndaj Interit.

Vendin e dytë në grup e mban Chelsea me 6 pikë. Kampionët në fuqi të Champions fituan 4-0 ndaj Malmoe ne Londër megjithëse sulmuesit Lukaku dhe Verner lanë fushën të dëmtuar. Dy hera nga penalltia nuk gaboi Jorginho ndërsa shënuan edhe Christensen e Havertz.

Me pikë të plota në tre ndeshjet e para është edhe Bayern Mynih. Bavarezët po ashtu janë pranë kualifikimit pasi fituan 4-0 në Lisbonë ndaj Benficas. Dy gola shënoi Sane dhe gjermanët kryesojnë me 9 pikë grupin E.

Një gol i mbrojtësit Pique i dha fitoren e parë në grup Barcelonës. Katalanasit mundën Dinamon e Kievit në “Camp Nou” dhe janë në lojë për kualifikimin.

Spektakolare ishte ndeshja kryesore e mbrëmjes ku në “Old Traford” Manchester United përmbysi Atalantën dhe fitoi 3-2. Bergamaskët e mbyllën pjesën e parë në avantazh të dyfishtë me golat e Pasalic e Demiral por në fraksionin e dytë anglezët “shpërthyen” me tre gola. Rashford, Meguire fillimisht barazuan rezultatin dhe Ronaldo shënoi golin e fitores.United e kryeson grupin me 6 pikë e Atalanta mbetet e dyta me 4 pikë.

Spanjollët e Villarreal fituan në Zvicër ndaj Young Boys 4-1 dhe u ngjitën në kuotën e katër pikëve.

Ndërsa grupin G e kryeson Salzburg. Austriakët mbrëmë mposhtën 3-1 Volfsburg dhe ngjiten në kuotën e 7 pikëve pas tre ndeshjeve të para.

Sfida tjetër e grupi Lille-Sevilla u mbyll pa gola me spanjollët që mbajnë vendin e dytë në grup me tre pikë./Përgatiti Andi Kapxhiu

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?