Shtëpi banimi dhe truall mbi 300 metra katror, shtatë llogari bankare, makinë luksoze e të mira të tjera materiale, nuk janë fiks ideja që shqiptarët kanë krijuar për gjyqtarët e rinj që do të zëvendësojnë trupën e korruptuar pas vetingut.
E gjithë kjo bëhet edhe më e dyshimtë, nëse këto të mira materiale nuk janë të vetë gjyqtarit, por të burrit, gruas apo në rastin konkret, partnerit politikan të gjykatëses së re të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo sepse nëse korrupsioni ka qenë një plagë që ka sfilitur drejtësinë shqiptare për dekada, lidhja me politikën ka qenë një plagë edhë më e madhe që ka përçudnuar mbase edhe më shumë ngrehinën e (pa) drejtësisë shqiptare.
Pa asnjë paragjykim për zonjën Marsida Xhaferllari, e cila me meritë dhe pa asnjë njollë personale arriti të pozicionohej e katërta në listën e KED së rekomandimeve për gjykatësit e rinj kushtetues, lidhja e padeklaruar në formular me deputetin e PD, krijon një dyshim të arsyeshëm mbi panshmërinë e saj si gjykatëse.
Por, përtej të gjithave, fakti më i dyshimtë është një tjetër. Përtej meritave personale të gjykatëses, ishin tre kandidatë të tjerë më të mirë dhe ligji, detyronte Presidentin të emëronte midis tre të parëve.
E dyshimi i arsyeshëm, kthehet në një arsye për të mos u dyshuar, përballë teknikalitetit të përdorur nga Presidenti i Republikës për të emëruar të preferuarën e tij në Gjykatën e re Kushtetuese.
Ajo që bëri “përfaqësuesi i unitetit” kombëtar ishte të bekonte vetëm një, nga tre zgjedhjet e tij, për të lejuar që dy të tjerët, gjithashtu në listën e Parlamentit të shkonin në Kushtetuese si zgjedhje e Kuvendit, në mënyrë që t’i vinte radha të katërtit. Mirëpo kjo ndalohet. Presidenti, duhet të zgjedhë i pari (një privilegj), e jo kur të dojë ai.
Për të mos humbur në një gjuhë të koklavitur ligjore, e thënë vrazhdë, janë tre shkelje të kryera nga Presidenti.
E para, ai duhet të zgjidhet midis tre të parëve. Jo sepse këtë e do logjika, por sepse e imponon ligji. E për fat të keq, jo një ligj çfarëdo, por ligji themelor i shtetit: Kushtetuta!
Dy. Emërimi duhet të ndodhte brenda 30 ditëve që skadonin në 7 nëntor. Që prej zgjedhjeve, mesa duket afatet e paracaktuara ligjore janë shndërruar në preferenciale për Presidentin.
E tre. Duke emëruar të katërtin, Presidenti përvetësoi kompetencat e KED, që është organi i vetëm i ngarkuar nga ligji për hartimin e listës së kandidatëve.
A ja vlen të humbasim kohë në teknikalitete ligjore, kur vendi ka probleme shumë më të mëdha, është një pyetje që shumë shqiptarë do t’ia kenë bërë vetes.
E në thelb, është një pyetje e ligjshme sepse ndodhemi përpara një fakti të kryer, i cili nuk mund të zhbëhet pa zhbërë autonominë e gjyqësorit. Fundja, një nga nëntë anëtarët, nuk është i mjaftueshëm për të rrëzuar vendimet e Gjykatës më të lartë të vendit dhe gjithashtu, mbetemi në rrafshin e supozimeve sepse mbase, anëtarja e re do të na habisë duke u treguar tërësisht e pavarur. E vështirë, por fundja ku i dihet.
Ama fakti mbetet. Një anëtar mund të mos jetë i mjaftueshëm për të kapur drejtësinë, por del e tepron për të vendosur një “gozhdë” në muret e Pallatit të ri të Drejtësisë.
Nga një gozhdë, Nastradini arriti të fitonte një shtëpi, atë shtëpinë që shiti me kusht që t’o lihej një gozhdë e bezdisur per te varur atje cte donte..
Nga kjo gozhdë, Presidenti po përpiqet të shtrijë “sharmin” e tij në organin më të lartë të drejtësisë. Ca thonë që e bën nga frika, ca sepse vesi del me shpirtin, e ca për arsye të tjera.
Fakt është, që përmes gruas së mikut të tij, një histori e vjetër sa gjithë Shqipëria, Presidenti tenton të kontrollojë sërish drejtësinë. Orvatje që tregon edhe një herë më shumë se përse kemi kaq shumë nevojë për një drejtësi të pavarur.
Por, duke u rikthyer nga rrafshi i supozimeve, në realitetin tonë, sot ndodhemi përballë një fakti per fat te keq jo te ri. Kushtetuta, sërish e përdhunuar, nga ai që duhet ta mbrojë.
Nuk është hera e parë, e mbase s’do të jetë as e fundit, por përsëritja nuk e bën më pak të rëndë e aq më pak, kjo nuk duhet të na bëjë që të fitojmë imunitet.
Bajge president
Përgjigju