Kalaja e Gjirokastrës më e vizituara në rang vendi, 200 mijë turistë për 8 muaj! Drejtori i Trashëgimisë: 65 milionë lekë të ardhura

15 Shtator, 17:10| Përditesimi: 16 Shtator, 07:59

  • Share

GJIROKASTËR - Kështjella e Gjirokastrës mbetet objekti më i vizituar nga turistët në rang vendi. Fakt është se gjithmonë e më shumë ka turiste që shkelin për herë të parë në Gjirokastër e kjo për meritë të siteve që ka qyteti në tërësi dhe zonat përreth. Në vlerësimin e tyre për Report TV, turistët kanë shprehur kënaqësinë për prezencën e tyre në qytetin e gurtë.

“Është shumë bukur! Jemi të impresionuar nga peisazhi. Gjithçka këtu është ndryshe nga shtetet e tjera që kemi vizutuar. Në Shqipëri kësaj radhe do qendrojmë 5 ditë, por mund të them se do të kthehemi sërish sepse ka dhe plot vende të tjera për të vizituar”, tha një turist gjerman.

“Njerëzit janë miqësore në këtë qytet, nuk u mungon buzëqeshja. Është hera ime e parë këtu, por do të vij sërish”, tha një tjeter turiste.

“Është hera ime e parë në Shqipëri. Nuk e prisja të shihja vende kaq të blura, sidomos ky qytet me arkitekturë autonome. Kështjella më pëlqeu shumë. Edhe gatimet në Shqipëri janë të mira, byreku dhe kosi. Më i shijshëm për mua byreku me spinaq”, tha një turist rumun.

Për periudhën Janar-Gusht 2024 kalanë e qytetit të gurtë e kanë vizituar 200 mijë vizitorë prej të cilëve 80% kanë qenë shtetas të huaj dhe 20 për qind shqiptarë.

Kjo bazuar në shifrat e Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër. Në muajt qershor dhe korrik pati një ulje të ndjeshme të numrit, por në muajin gusht ishte “boom” i vërtetë ku sipas konstatimeve nga agjencitë turistike, plotësoi boshllëkun e frekuencës së dy muajve paraardhës. Edhe pse sezoni veror ka përfunduar, turistët në kalanë e Gjirokastrës nuk mungojnë as në muajin shtator.

Sipas kreut të Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore, Ardis Duka “ka një rritje prej 21% të numrit të vizitorëve krahasuar të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”.

Për çdo hyrje, ata duhet të paguajnë një tarifë nga 2 deri në 4 euro në varësi të numrit të grupeve apo individëve veçmas. Ky fluks përkthehet në të ardhura. “Për 8 muaj e parë të vitit janë arkëtuar 65 milionë lek të reja”, tha Drejtori i Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.  

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?