Sali Berisha, është lideri historik i PD dhe sigurisht protagonisti kryesor i tranzicionit shqiptar. Në fakt, demokratët i kanë besuar dhe e kanë mbështetur pa rezerva edhe në momentit më kritike të vendi. Sinqerisht nga doktor Berisha në këto 30 vitet kam pritur shumë më shumë se sa realisht ka arritur të bëj, të paktën për demokratët dhe Shqipërinë! Mbi të gjitha kam pritur që ai do të linte në trashëgimi një PD të fortë, të djathtë dhe në shërbim të demokratëve! Është e vërtetë se politika është cështje numrash dhe numrat duhen për ta marrë ose për ta mbajtur një pushtet, por përtej kësaj, ajo është ideal, histori dhe po ashtu ideologji.
Në këto 30 vite kam pritur që doktor Berisha të bënte një PD të fortë, të hapur për të gjithë të djathtët dhe të rinjtë, pa pasur nevojë që për të pasur numrat të bënte marrëveshje me parti që përveç kryetarit nuk kanë gjë tjetër ose edhe më keq se kaq të qeveriste me të Majtën, një e majtë, e cila vazhdon me krenari të konsiderohet trashëgimtare e hijes së rëndë të Regjimit!
Koalicionin e 2009 me një parti të majtë, demokratët e përtypen edhe pse realisht aty filloi tatëpjeta e PD, një tatëpjetë që po i kushton edhe sot kaq shumë, demokratët e pranauar për hirë të procesit të integrimit, por këtë të dytin nuk kanë si ta përcjellin e për më tepër me një thirrje për të votuar kundër logos historike që i dhanë gjithçka në 30 vite. Demokratët, ndoshta e kanë konsideruar Berishën me të drejtë, më shumë se lider historik, një lider thuajse shpirtëror dhe kjo nuk e justifikon aksionin politik të tij për të bërë një koalicion të dytë përsëri me një parti të majtë! Kemi besuar se Berisha ka disa parime mjaft të forta që i ka zbatuar edhe në politikë që ka të bëj me rekrutimin e punësimin e të rinjve me meritikraci, për promovimin e meritokracisë dhe mbi të gjitha, atë që ai vetë ka tropentuar me të madhe luftën ndaj korrupsionit, por koalicioni me një subjekt politik që në filozofin e saj ka çdo gjë, përveç se meritokracisë, është një shenjë e qartë zhgënjimi! Berisha ka të drejtë të bëj politikë, të kërkoj elektoratin e tij, por duke qenë lideri historik i viteve 90, që simbolizon rënien e rrëzimin e Regjimit, nuk mund të bëj një koalicion me një forcë të majtë duke dalë hapur kundër partisë që ai e themeloi dhe po ashtu thuajse investoj pjesën më të mirë të jetës tij aktive pre një politikani profesionist!
Demokratët dhe të djathtët e Shqipërisë meritojnë shumë më shumë respekt për shkak se nuk janë kursyer ndaj tij në 30 vitet tranzicion e për këto motive, aksionet e doktor Berishës nuk mund t’i cilësoj vetëm personale, apo të një pakice, sepse ato mbajnë mbi supe një histori 30 vjeçare dhe me plotë kauza! Doktor Berisha e ka të drejtën e tij të mendoj se kur i ka ardhur momenti për pension politik, por ai hir të historisë së tij, të PD dhe po ashtu të rrethanave të reja, duhet të kishte pranuar të tërhiqej nga kjo betejë, që në fakt e dëmton PD, të djathtën duke favorizuar edhe pa dëshirë forcimin e të Majtës që po thuajse është kthyer përsëri në nivel regjimi!
Nuk më takon mua të analizoj arsyet e gjithë aksioneve politike të Doktorit, por Shqipëria është e varfëruar, e nënshtruar dhe po ashtu thuajse pranë një Regjimi! Pozicioni i Doktorit sot a e forcon PD dhe të Djathtën? Disa persona , ndoshta edhe për shkak të mërisë personale ndaj Bashës, ose me shpresën se duke përdorur figurën e liderit historik mund të rikthehen përsëri në sofrën e pushtetit janë të idesë se Foltorja ishte rizgjimi i demokratëve dhe një shans më shumë për demokraci! Unë, mendoj dhe tashmë jam i bindur, se kauzat e Foltores dhe sidomos iniciativa për koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, e forcojnë të Majtën duke e bërë thuajse faktor absolutë në sistemin politik dhe përçan demokratët duke e dëmtuar hapur PD, partinë që ai e themeloj bashkë me të tjerët dhe që e dominoj për thuajse 30 vjet!
Nuk dua të aludoj se jam më i zoti se Doktori dhe po ashtu me intuitë me të fortë politike se ai, por kam përshtypjen, se për fat të keq se po keqpërdoret nga një grup politikanësh që nuk ngopen me pushtet dhe e duan atë me çdo kusht! Nuk do të doja ta shikoja kurrë Doktorin në këtë situatë aktuale që del në zgjedhje me një parti të majtë për herë të dytë dhe ju bën thirrje demokratëve të mos votojnë logon e PD!
Shqipëria është vendi i paradokseve dhe kjo edhe falë tranzicionit, por në të kaluarën Doktorin e kemi parë si lider që ka ideale, të cilat nuk i vë në diskutim dhe as nuk i ka vënë në diskutim në momentet më të vështira! Doktori ka një betejë thuajse personale me Bashën, por kjo nuk e justifikon aksionin e tij kundër PD apo demokratëve që nuk kanë kursyer as jetën në momentet më të vështira! Një lideri si Doktori nuk i falet që betejën politike e bën mbi inate apo hatër mbetje personale!
Basha, mund të ketë shumë faje si çdo lider, por po bën atë që në fakt i pari duhet të bënte Doktori, ai po qëndron për të mos tradhtuar dhe për të mos lënë mes katër rrugëve demokratët! Demokratët dhe ndoshta edhe të djathtët, që janë shumicë në Shqipëri, kanë pritur që Berisha, lideri i tyre historik të kishte reflektuar i pari për të shpëtuar PD nga përçarja dhe po ashtu nga homogjenizimi i të Majtës që po thuajse është kthyer në Regjim!
Interesat dhe të drejtat e demokratëve nuk mund t’i përfaqësoj asnjë koalicion, qoftë me të majtën, apo asnjë lëvizje, përveç PD! Moralisht nuk ka mëkat më të madh që demokratëve tu bëhet thirrje të mos votojnë logon historike të PD, por diçka ndryshe, tjetër që në fakt nuk ka lidhje me rrugëtimin e saj!
Demokratët kanë nevojë për forcë unifikuese dhe Doktori i ka akoma mundësi ta bëj një gjë të tillë, duke tejkaluar dimensionin personal, të pakicës, por duke parë me krenari historikun e tij 30 vjeçar që në fakt është edhe historiku i PD! Akoma ka kohë për reflektim dhe për bashkim e të mos përfaqësojë emocionet e turmës që karikohen çdo ditë me demagogji, por të shikoj realitetin duke e parë si emergjencë bashkimin e PD, ndryshe do të jetë fajtori që lejoj instalimin e regjimit nga e Majta si hegjemoni e pa merituar!