Kampioni i botës në mundje që nderoi Shqipërinë në Beograd Zelimkhan Abakarov është pritur sot në bashkinë e Tiranës nga kryetari Erion Veliaj. Sportistit i është dhënë në shenjë mirënjohje medalje e mirënjohjes së qytetit, ndërsa i është premtuar që shumë shpejt do bashkohet me familjen në Tiranë.
“Deri dje ishte Shqipëria që braktisej, sot është Shqipëria që adoptohet. Unë kam një medalje modeste, të vogël, nuk është aq e çmuar sa ajo e Botës, por është një mirënjohje që e jep qyteti, që ndihet shumë krenar. Historia e Zelimkhanit është si ajo e Luizës, Erkandit dhe Brikenit, të cilët mbështeten nga Tirana,”-u shpreh Erion Veliaj.
Zelimkhan Abakarov është një sportist nga Çeçenia, i cili prej gati dy vitesh garon për flamurin kuqezi. Ai jeton së bashku me të atin në vendin tonë, ndërsa shumë shpejt pritet të bashkohet me bashkëshorten dhe fëmijën 2-vjeçar.