Autori Alfred Kazanxhiu

Kamëz/ Dhunoi barbarisht fëmijën 3-vjeçar të gruas, njerku mbyllet në qeli nga Apeli

13 Maj 2020, 17:07| Përditesimi: 13 Maj 2020, 18:33

  • Share

TIRANË- Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur të mos lirojë dhe të mbyllë në qeli Alfred Kazanxhiun, njerkun që keqtrajtoi fëmijën e gruas së tij. Vendimi për miratimin e masës së “arrestit në burg” për Kazanxhiun është dhënë ditën e djeshme nga gjykata e Apelit. Për shkak të dhunës familjare të kryer nga njerku, fëmija 3 vjeçar i shtrua në spitalin Pediatrik në QSUT, pasi kishte marrë plagë në kokë dhe thyer disa brinjë.  Vogëlushi u dërgua më 24 prill në orën 12.00 në Spitalin e Traumës nga nëna dhe bashkëjetuesi i saj, ndërsa sipas mjekëve gjendja ishte shumë e rëndë me shenja dhune dhe fraktura në gjithë trupin. Më tej e kanë dërguar për trajtim të specializuar tek pediatria në QSUT.

Sipas mjekëve, fëmija është me aparate të vendosura për monitorimin e oksigjenit dhe frekuencës kardiake. Nga dëshmia e mjekes që është kujdesur e para për të voglin, 3-vjeçari i është shprehur: “…Më rrahu mami dhe babi..”. “…ankohej për dhimbje, kërkonte mamanë e tij dhe qante vazhdimisht…”-është shprehur mjekja. Gruaja, A.Hoxha ndodhej tek fqinjët, ku prej disa muajsh punonte në familjen e tyre për pastrim dhe për t’u kujdesur për vajzën e tyre invalide. Prej dy muajsh, A.Hoxha dhe bashkëjetuesi Alfred Kazanxhi jetonin me qira në një apartament në lagjen “Bulevardi Blu” në Kamëz, ndërsa më herët kishin jetuar në zonën e “Ali Demit” në Tiranë.

“Rreth orës 11:00 kam dalë nga shtëpia dhe kam shkuar të marr bukë dhe qumësht tek furra në institutin bujqësor dhe e lashë fëmijën me bashkëjetuesin. Ndërkohë që po bëja pazarin më ka marrë në telefon Alfredi, ku më tha se djali kishte rënë nga divani dhe nuk merrte dhe nuk jepte dhe menjëherë kam shkuar në banesë dhe sa hyra pashë në mes të dhomës ishin dy bidona me ujë dhe dera ishte e tërhequr por jo e mbyllur me çelës, menjëherë zbrita poshtë dhe pashë se para pallatit kishte një grumbull njerëzisht dhe njëra nga komshiet më tha se kisha djalin aty dhe po e mbante Alfredi në krah dhe e mora menjëherë. Ai vetëm rënkonte. Ka ardhur ambulanca që e ka njoftuar Alfredi dhe bashkë me djalin shkova në spital. Djali kishte hemorragji dhe mpiksje gjaku në kokë.  Kur e pyeta Alfredin çfarë kishte ndodhur më tha se kishte qenë në banjo dhe kur doli kishte parë se djali ishte shtrirë në dysheme dhe pa ndjenja, ku i kishte hequr bluzën dhe i kishte hedhur ujë në trup pasi ai nuk reagonte”, ka thënë A.Hoxha para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?