Kancelari gjerman Olaf Scholz tha se ishte i befasuar pozitivisht nga telefonata e tij me Donald Trump pas rizgjedhjes së republikanit si president i SHBA, më 5 Nëntor 2024.
“Ishte, ndoshta çuditërisht, një bisedë shumë e detajuar dhe e mirë me presidentin e zgjedhur të SHBA-së”, tha Scholz në një intervistë për Süddeutsche Zeitung, të publikuar të premten (15 Nëntor 2024).
Scholz tregoi se gjatë telefonatës me Trump ata folën "gjatë për Ukrainën".
Ndërsa theksoi se do të ishte "e papërshtatshme" të zbuloheshin detajet e bisedës së tyre, Scholz shtoi se kishte përshtypjen se Trump ka një pozicion ndryshe nga se përceptohet në Europë, lidhur me situatën në mbarë botën.
Po ashtu, të premten që lamë pas, Scholz zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin për rreth një orë, duke shënuar kështu komunikimin e parë të drejtpërdrejtë midis dy liderëve në gati dy vjet, sipas raporteve të mediave gjermane.
I pyetur në intervistën e Süddeutsche Zeitung nëse ai ka frikë nga një marrëveshje të dëmshme për Ukrainën, midis Trump dhe Putin, Scholz u përgjigj se "nuk kishte asnjë tregues për këtë në bisedën" me presidentin e sapo zgjedhur republican.
Gjithashtu Scholz theksoi se Putini nuk i ka arritur qëllimet e tij të shpallura në pushtimin e Ukrainës pasi Rusia nuk ka arritur të pushtojë të gjithë vendin, ndërsa NATO ka fituar dy anëtarë, Finlandën dhe Suedinë, dhe se tashmë aleanca "është më e fortë se kurrë".