Politikë

Kandidati i PD në Fier, Kapllanaj për Report Tv: Shumë të majtë nuk e votojnë Ramën, zhgënjimi ka vajtur ku s’mban më

21 Prill 2021, 10:10| Përditesimi: 21 Prill 2021, 10:13

  • Share

Kandidati për deputeti i PD-së në qarkun e Fierit, Agron Kapllanaj në një intervistë për Report Tv tha se më 25 prill fitorja do të jetë e sigurisht pasi ka shumë socialistë që janë zhgënjyer në këto 8 vite qeverisje nga Rama. Kapllanaj shprehet se gjendja ka vajtuar atje ku nuk shkon më, por se fitorja e PD-së nuk do të bazohet në dështimet dhe premtimet e pambajtura të Edi Ramës, pro me programin dhe vizionin që prezanton Basha për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Lexoni intervistën e plotë

Ju kandidoni për herë të parë si kandidat në Mallakastër. Ku është bazuar fushata juaj elektorale, duke qenë se e njihni mirë zonën, pasi keni qenë edhe kryetar i Bashkisë së Mallakastrës.

Unë kandidoj për herë të parë si kandidat për deputet në fakt, por është hera e katërt që futem në garë se dy-tri herët e tjera kam qenë si kandidat për kryetar të pushtetit vendor dhe kam fituar tri herë dhe kjo është hera e katërt. Sigurisht, duke qenë se kam qenë drejtues i pushtetit vendor, edhe fushata ime këtë radhë është bazuar te njohuritë e mia të zonës, te njohuritë e mia në të gjitha problematikat që ka Mallakastra. Më 2015 mua, qytetarët mallakastriotë më besuan që të drejtoja Bashkinë e Mallakastrës dhe unë gjatë këtyre 4 viteve kam punuar, i kam bërë të gjitha ato detyrimet që më takonin t’i bëja si kryetar Bashkie dhe në fund të 4-vjeçarit nuk m’u dha mundësia që të ballafaqohesha me qytetarët e mi për arsyet që tashmë dihen se cilat janë. Dhe e ndieja si detyrim, si obligim që të dilja të ballafaqohesha me qytetarët e mi dhe ja ku m’u dha rasti sot, afërsisht dy vite pasi jam larguar si kryetar Bashkie, për t’u ballafaquar me ta dhe për të parë edhe një herë nga afër hallet dhe problemet e tyre. Kështu që unë i di problemet e tyre, i di hallet e tyre, di se ku janë mangësitë dhe ku duhet ndërhyrë nga pushteti qendror dhe di aty ku nuk mund të ndërhyjë pushteti vendor dhe pa diskutim si deputet do të mund të zgjidh problemet e tyre, pasi deputeti ka më shumë hapësira. Është pushteti qendror ai që ka më shumë hapësira për të zgjidhur hallet dhe problemet e qytetarëve të Mallkastrës.

Atëherë ju keni premtuar, midis të tjerave, edhe çështjen e naftëtarëve.

Sigurisht që në Mallakastër, përveç punëve të bujqësisë, është dhe rafineria e naftës, pasi Mallakastra është zonë naftënxjerrëse, por edhe naftëpërpunuese. Kështu që problemi më kryesor sidomos i qytetit të Ballshit dhe i rrethinave, është uzina e naftës, uzinë e cila ka kohë që është ndalur dhe për më tepër, punonjësit e saj janë në rrugë, janë të papunë, janë të pashpresë, me afërsisht 16 muaj paga të prapambetura të pamarra. Gjatë këtyre kohëve ne kemi kontaktuar me naftëtarët, u kemi ndenjur afër atyre dhe u kemi premtuar se me ardhjen në pushtet të PD-së problemet e tyre do të marrin fund dhe pagat e prapambetura do të paguhen. Këtë premtim ata e kanë marrë nga kryetari i PD-së, kryeministri i ardhshëm z. Basha dhe ky është një premtim që do të mbahet prej tij dhe sigurisht që ata do të marrin pagat dhe ajo uzinë, sipas premtimit që ka bërë z. Basha, do të gjejë një investitor serioz që do të marrë përsipër të investojë, por të ketë edhe mbështetjen dhe suportin e shtetit. Sigurisht që sipërmarrësi privat duhet të ketë edhe detyrimet e veta ndaj punonjësve dhe ndaj mjedisit të Mallakatrës.

Atëherë, PD-ja jo vetëm në Mallakastër, por edhe më gjerë, është shprehur se fitorja është e sigurt. Pra, edhe ju në Mallakastër jeni shprehur se fitorja e PD-së këtu është e sigurt. I thatë edhe pak më parë ca gjëra, por ku e mbështesni këtë premtim ndaj elektoratit që do të fitoni dhe pak a shumë këto premtimet që keni bërë për të realizuar objetivat.

E para, pyetja që i bëj çdo mallakastrioti është se, a ka mbajtur ndonjë premtim Edi Rama nga ato që premtoi në 2013-n dhe përgjigjja është jo. Pra mbi të gjitha, Edi Rama ka tradhtuar kauzën, ka tradhtuar qytetarët e vet, pasi ndryshe premtoi dhe ndryshe bëri. Nuk ka mbajtur asnjë premtim, qoftë për mallakastriotët dhe qoftë edhe për të gjithë shqiptarët. Tha se do të ulte çmimin e energjisë elektrike por e rriti, tha se do të ulte çmimin e karburantit por e rriti, tha se do të rriste ndihmën ekonomike por e uli, tha se do të kishte shëndetësi falas por sot po të shkosh në spital i gjallë kthehesh i vdekur. Pra këto janë ato që qytetarët mallakastriotë i dinë, i prekin çdo ditë dhe janë bashkëvuajtës, si të majtë dhe të djathtë, sepse këto nuk janë kusure që i vuajnë vetëm të djathtët. Në fakt Edi Rama na e ka bërë më të lehtë fushatën, na e ka bërë më të lehtë edhe fitoren me sjelljen e vet dhe me premtimet e pambajtura. Por sigurisht që ne nuk bazohemi te dështimet e Edi Ramës. Ne bazohemi te programi që ka PD-ja për të qeverisur në 4 vitet e ardhshme, një program i detajuar që prek të gjitha shtresat, nga fëmija e porsalindur dhe deri te mosha e tretë. Dhe në fakt ky do të jetë programi që do të zbatohet nga PD-ja me Lulzim Bashën kryeministër dhe do të jetë një qeveri e cila do të kujdeset për shqiptarët, do të kujdeset për vendin e vet dhe nuk do të kujdeset për një grusht njerëzish, të cilët fusin në xhepa dhe përfitojnë në mënyrë abuzive të gjithë lekët dhe taksat e taksapaguesve shqiptarë dhe në Mallakastër dhe gjithandej nuk shohim që të bëhet asnjë gjë. Pra kjo do të marrë fund më 25 prill dhe unë këtë e shoh në të gjithë Mallakastrën ku bëj takime, por edhe përtej Mallakastrës kam pasur takime. Shoh një entuziazëm, shoh një padurim te njerëzit të cilët presin që të vijë data 25 prill dhe të votojnë. Janë shumë të majtë të cilët nuk e votojnë më Edi Ramën, pasi zhgënjimi ka vajtur aty ku s’mban më. Dhe fjala që mbizotëron në çdo takim që unë bëj në Mallakastër nga qytetarët, pa e filluar madje takimin, më thonë: ka vajtur ku s’mban më. Pra do të thotë që kjo qeveri e ka çuar popullin të përdorë fjalën ka vajtur tek s’mban më. Dhe në fakt nuk është kjo ajo që një qeveri duhet të bëjë, ta çojë popullin aty ku s’mban më, se përtej asaj që ka vajtur tek s’mban më, çdo familje dhe çdo familjar kalon në ekstrem. Kjo pra është ajo që qeveria e ardhshme duhet të korrigjojë dhe duhet të bëjë dhe duhet të punojë për qytetarët dhe duhet të punojë për shqiptarët që të mos ikin të rinjtë nga ky vend, të mos ikin shqiptarët, por ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në këtë vend. Dhe e ka detyrim qeveria, e kemi detyrim ne, e kam unë detyrim si deputet i ardhshëm i Parlamentit të Shqipërisë sepse në fund të fundit, kontrata që lidh me qytetarët e mi kjo është, të çoj zërin e tyre në parlament, të flas për ta, të kërkoj për ta, të qaj hallet e tyre dhe sigurisht t’u gjendem në çdo problem e në çdo hall që kanë qytetarët e Mallakastrës.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • zaimi: 21/04/2021 21:50

    Zhgenjimi me i madh dhe i pakrahasuar me asnje tjeter eshte per ju o plehrat dhe kriminelet e pd-se...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?