Cili është niveli i thithjes së kapaciteteve shkencore, me grada edhe tituj shkencorë në institucionet politike, në ministri apo kabinete aktualisht? Sa profesorë, doktorë janë ministra, këshilltarë apo nëpër borde? Deri më tani, sipas sondazheve numri i këtyre intelektualëve, të cilët japin kontributin e tyre në institucionet politike është më pak se 5 për qind.
Kjo situatë mendohet të ndryshojë pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet kuvendit të Shqipërisë edhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademiku Vasil Tole, njëkohësisht edhe sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave, rrëfen për kamerën e “Report Tv”, se çfarë ka për qëllim nënshkrimi i kësaj marrëveshje.
“Së pari, duhet që ta përshëndesim këtë hapje të Kuvendit të Shqipërisë. Është një trend Europian që institucionet e politikës, në mënyrë të veçantë të vendimmarrjes publike, siç është Kuvendi që ndikon në jetën qytetare hapet për botën akademike dhe rrjetin e universiteteve publike edhe private të vendit.
Them se është trend Europian, se edhe dokumentet e fundit politike që kemi nënshkruar edhe pranuar si Republikë e Shqipërisë, kam parasysh procesin e Berlinit, pra integrimin e vendeve të Ballkanit perëndimor kërkon që të ndërtohen ura komunikimi mes shkencës dhe politikës dhe anasjelltas.
Për të ngritur një dialog të institucionalizuar, që do të ndikojë në rritjen e cilësisë së vendimmarrjes publike, në këtë rast të kuvendit. Së dyti, do të ndikojë në atë rast që ne e quajmë shkencorizim i ligjeve. Niveli i standardit të ligjeve edhe akteve të prodhuara të jetë në maksimum i lartë, sepse ligjet janë në fusha të caktuara dhe fushat e caktuara kërkojnë ekspertizë të lartë akademike edhe shkencore.
Por, edhe në elementë të tjerë që ne e konsiderojmë diplomacia shkencore, që pjesëmarrja akademikëve të jetë jo vetëm e pranishme në jetën e kuvendit. Në rastin tonë kemi propozuar dhe është pranuar që pranë kryesisë së vendit të funksionojë një bord këshillimor i Akademisë së Shkencave. Apo në rastin e diplomacisë shkencore, ku pjesë e delegacioneve, apo pjesë e diskutimeve publike me interes kombëtar të jenë edhe akademikët e shquar të vendit, sepse ata i shërbejnë më mirë qëllimit të përbashkët, që është paraqitja ndërkombëtare e Shqipërisë”.Vasil Tole, akademik
Si ka qenë deri më tani në institucione ky përfaqësim? Sa mendohet që do të zbatohet?
“Sigurisht që nuk është një optimizëm pa arsye. Sepse, deri tani ka qenë sipas rastit apo sipas vullnetit të një kryetari komisioni për të bërë ekspertizat që kërkohen, por nga një marrëdhënie empirike deri tek një marrëdhënie e institucionalizuar është një hendek i madh, që mbushet përmes këtyre akteve. Së pari, në radhë të parë të japin shpresë se diçka do ndryshojë edhe së dyti, të japin shpresë që të kërkojmë zbatimin e tij, edhe e kemi derën hapur. Kur thashë fjalën hapje, do të thotë që hapja bëhet me marrëveshje të përbashkët, që i rrit peshën institucionale të Kuvendit dhe ne na jep kredibilitet, sepse edhe institucionet tona funksionojnë si institucione prestigji, institucione marke. Së dyti, ndikojmë për mirë në vendimmarrjen publike. Ligjet, shërbimet që do t’i ofrohen komunitetit do të jenë të dakordësuara dhe me cilësi shumë të lartë”.
Institucionalizimi i dialogut ndërveprues, shkencë-politikë midis veprimtarisë parlamentare dhe asaj akademike...
“Kur them diplomaci shkencore dua që ta reduktojë në një element të caktuar. Dihet se Kuvendi i Shqipërisë edhe qeveria ka një jetë aktive, përsa i përket integrimit të Shqipërisë. Dhe çështjet që diskutohen në tavolinat edhe në mbledhjet e rëndësishme ndërkombëtare për integrimin e Shqipërisë varjojnë nga të njëjta fusha, nga ekonomia, nga industria, arti, shkenca etj. Mendoj se pjesëmarrja e akademikëve, që janë ngritur deri në majë të këtij titulli për shkak të rëndesës së mendimit të tyre është e domosdoshme qoftë edhe kur diskutohen këto çështje në delegacionet përkatëse apo në një fazë paraprake kur përgatiten dosjet, takimet. Gjëra, të cilat janë i bindur që do sjellin një rezultat të ri, sepse në fund të fundit, bota ku ne duam që të integrohemi kështu sillet.
Po marrëveshja me universitetet private edhe publike, çfarë synon?
“Këto marrëveshje janë interesante se tregojnë gjithashtu hapjen, nuk paragjykojnë nivelin e institucionit. Në raport me universitete kjo marrëdhënie e kuvendit është në dy faza. Së pari është në fazën e ekspertizës, pranë universitetit ashtu si pranë akademisë së shkencave zhvillojnë veprimtarinë e tyre kapacitete intelektuale të mendimit shkencor. Pra në nivelin e konsultimit me stafet e profesoriatit edhe pedagogët. Edhe aspekti tjetër është përfitimi që do kenë studentët të cilët kanë një fazë shumë interesante në rritjen e tyre profesionale që quhet faza e punësimit. Kuvendi në këtë rast ofrohet që të hapet si institucion për ta. Për të bërë praktikën e punës etj. Por një mundësi më shumë është edhe Biblioteka e Kuvendit që është një ndër më të mirat në Shqipëri”.
Në bord me akademikë pranë Kuvendit të Shqipërisë?
“Kjo është dëshirë e përbashkët që ne të krijojmë një mekanizëm këshillimor, sepse kuvendi është indipendent në veprimtarinë e tij, që sa herë që të ketë çështje me interes që ata kanë dëshirë të konsultohet me mendimin akademik. Neni katër i kësaj marrëveshje na jep mundësinë që të ngrihet ky rang këshillimor edhe ne do të shikojmë rast pas rasti sesi do të përdoret, sepse ka mundësi që çështje të caktuara të kërkojnë formate të caktuara të këtij bordi. Jo një bord të përhershëm, por që ngrihet sipas temave që interesojnë kuvendit për të diskutuar. Niveli i dytë i bashkëpunimit është në nivelin e komisioneve, pasi komisionet janë motori i punës së kuvendit, aty ku ne sigurisht edhe përsa i përket kësaj marrëveshje garantojmë dhënien e ekspertizës sonë intelektuale”.
Po, me miratimin e projektligjit të Akademisë së Shkencave në Kuvend, çfarë po ndodh?
“Akademia po ndjek linjën e zbatimit të porosisë së kryeministrit, për këtë gjë grupi i punës është mbledhur. Të hënën do të ketë një takim të grupit të punës me asamblenë për këtë zhvillim. Ato elemente që kryeministri Edi Rama i ka konsideruar të rëndësishme si bazë e kësaj reforme të marrin edhe njëherë dakordësinë e asamblesë dhe të shihet, se çfarë propozimesh alternativa apo shtesa të minutës së fundit mund të kenë për të përmbyllur këtë proces që është në prag të aprovimit nga Këshilli i Ministrave”.
Tani mbetet vetëm për t’u parë se sa do të jetë pjesëmarrja konkrete e mendimit shkencor shqiptar në kodifikimin e së drejtës në formën e këshillimit, oponencës dhe relacioneve, si dhe përmes faktorizimit të drejtpërdrejtë të botës akademike në hartimin e akteve ligjore.
Vendim per tu pergezuar. Problemi qendron: sa akademik te vertet kan ngelur te akademia e shkencave?? Miqesia dhe nepotizmi e kane i kane shtrire tentakulat edhe ketu.
PërgjigjuPo c"i duhen akademiket politikes,apo ti cjerri masken ....????!!!!Mire i ka shpellaret dhe druvaret
Përgjigju