Hetimet për zbulimin origjinës së 3.4 milion euro tashmë janë shtrirë në tre shtete, Shqipëri, Belgjikë dhe Britaninë e Madhe. Së fundi Britania është mobilizuar në kryerjen e hetimeve me qëllim zbulimin e të dhënave se si mbërritën në Shqipëri 3.4 milion euro, të fshehura në dyert e një “Toyota Yaris”. Kjo pasi njëri nga kushërinjtë Vladi, Elvisi dy vite më parë është arrestuar në Londër për përfshirje në një grup kriminal i specializuar në trafikun e kokainës.
Emri i Elvis Vladit është pjesë e një dosje gjyqësore për një grup të organizuar kriminal shqiptarësh të përfshirë të tregtinë e kokainës. Ky grup kriminal në vitin 2016 do të dënohej me një total dënimesh prej 50 vite burg. Për këtë çështje dy prokurorë shqiptarë, kanë shkuar në muajin dhjetor 2018 në Belgjikë duke marrë kontakt me palën Belge dhe kanë kërkuar informacion mbi lëvizjet e dy kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi. Dy kushërinjtë që dyshohet se u përket sasia e 3.4 milion euro e sekuestruar në Durrës, momentalisht janë shpallur në kërkim, por nga të dhënat e prokurorisë Alfred Vladi ndodhet në Tiranë dhe herë pas here dyshohet se shoqërohet me efektivë të policisë.
Nga sa mësohet qëllimi i kësaj vizite ishte për të identifikuar, lokalizuar dhe pyetur personat që kanë shitur 8 automjetet e sekuestruara në portin e Durrësit.
Më konkretisht është kërkuar informacion lidhur me pronarin e “Toyota Yaris” aty ku dhe ishin fshehur 3.4 milion euro, duke ju kërkuar ndihmë palës belge që ky person të gjendet dhe të pyetet lidhur me shitjen e makinës. Ka shumë dyshime se makina “Toyota Yaris“ është blerë nga Alfred Vladi dhe më pas në dyert e makinës është fshehur sasia e parave prej 3.4 milion euro, duke u nisur me pas në Shqipëri së bashku me 7 automjete të tjera që hsin ngarkuar në një kamion tip “Bizar”.
I pari që nxori emrin e Alfred Vladit në prokurori ishte Alban Mollaymeri. I pyetur në cilësinë e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime Alban Mollaymeri deklaron se ka një aktivitet privat servis për makina. Ai deklaron se disa muaj më parë ka porositur disa makina të tipit “Toyota”, nëpërmjet njeriut të tij që quhet Alfred Vladi nga Tirana. Këto makina ai së bashku me Alfredin ai i gjente në internet dhe Alfredi i porositi jashtë shqipërisë. Këto makina që kishin porositur kanë ardhur dhe ai ka shkuar në Durrës, për të bërë zhdoganimin e tyre. Nga kqyrja e telefonave të këtij personi ka rezultuar se Mollaymeri ka komunikuar me Alfred Vladin, menjëherë sapo është vendosur bllokimi i automjeteve.
Ndërkohë që Mollaymeri, në këtë rast ka pohuar se nuk ka qenë ai porositësi i makinave por Alfred Vladi. Por nga verifikimi i dokumentacionit, “Toyota Auris” ekziston se është porositur nga Mollaymeri.