Katër muaj që demontuan Albin Kurtin

30 Janar 2020, 19:00| Përditesimi: 31 Janar 2020, 20:36

  • Share

Pas një fushate të vështirë dhe të pështirë bisedimesh katër mujore mes dy partive kryesore, Albin Kurti më në fund vendosi të dorëzojë mandatin në Kuvend, për të vazhduar betejën si opozitar, nëse mandatari pasardhës i qeverisë, Isa Mustafa, arrin të krijojë qeverinë me partitë e tjera. Shanset që Kuvendi të votojë një qeveri në pakicë për të janë thuajse zero, pa llogaritur cinizmin ekstrem të LDK.

Kjo gjë ndodhi me postin e kryetarit të Kuvendit, kur u votua Glauk Konjufca pa marrëveshje, por LDK e votoi, me qëllim që t’i jepte shans vetes dhe partive të tjera të formonin Kuvendin, i cili është kushti bazë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të reja, në rast të dështimit të qeverisë.

Po çfarë e ndali Isa Mustafën të mbështesë Albin Kurtin?

Pas katër muajsh, shikohet qartë se Isa Mustafa hyri në bisedime të gjata dhe të vështira, duke i lënë kohë vetes për të çmontuar imazhin politik fallco të Albin Kurtit.

Beteja katër mujore e Isa Mustafës kundër Albin Kurtit, është ndoshta hakmarrja më e ftohtë, që një lider politik në Kosovë ka ushtruar ndaj një rivali të vet, i cili e ka fyer atë kur ka qenë kryeministër përmes një opozite brutale, dhe shpeshherë jashtë çdo kornize politike.

Fushata e paqes katër mujore mes Albin Kurtit e Isa Mustafës, është në të vërtetë beteja më e hidhur e Isa Mustafës ndaj Albin Kurtit, pasi jo vetëm që e detyroi të dorëzohet, por e detyroi të shkelë shumë nga parimet për të cilat ai predikonte modelin e një politikani të pakompromis.

Albin Kurti u shfaq për katër muaj rresht në sytë e qytetarëve të Kosovës, duke negociuar poste ministrash, zgjerim kabineti, oferta për president, marrje dhe lënie ministrish, e deri tek hartime pozitive për Rugovën dhe ish- drejtues të vrarë të LDK, nga krahu i luftës, për të cilët Albin Kurti nuk ka shfaqur kurrë më parë, as ndonjë ndjenjë respekti, dhe as ka dënuar kurrë vrasjet e tyre.

Isa Mustafa e detyroi Albin Kurtin të bëhet dhe rugovist, dhe PANI-ist, dhe demokrat, dhe pro-Perëndimor, në një betejë memece, ku më shumë flisnin veprimet e Kurtit, se sa fjalët e Isa Mustafës.

Ai i provoi opinionit publik, se nuk është një betejë mes së resë dhe të vjetrës, por një betejë e disa të rinjëve që duan t’u zënë vendin të vjetërve për të njëjtat qëllime, dhe kjo është goditja më e madhe që mori imazhi i Kurtit në këtë fushatë bombardimesh pa zhurmë këto katër muaj.

Tani më 3 shkurt, Albin Kurti do paraqitet para Kuvendit për të votuar qeverinë që do shpallë vetë, pa marrëveshje me LDK.

Natyrisht që do të rrëzohet. Këtë besoj se dëshiron dhe vetë ai.

Nuk besoj që Isa Mustafa të jetë aq mizor, sa t’ia votojë dhe qeverinë në pakicë, duke e kthyer në një lodër në duart e tij, për ta rrëzuar kur të dëshirojë. Është sikur ta vrasësh e ta lësh pa varrosur hasmin tënd.

B.K.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • O tej: 30/01/2020 23:18

    Hajt suxhuk Kosove me shumic

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?