Katër veta në një tryezë, pa llogaritur sekretin e Ramës me Damianin

3 Qershor 2020, 20:46| Përditesimi: 3 Qershor 2020, 20:48

  • Share

Që të kuptosh një kryeministër duhet të kesh qenë së paku një herë kryeministër. Të jesh ulur qoftë dhe një herë të vetme në karrigen e madhe që i bën të gjithë të tjerët të duken të vegjël. Për të shpjeguar fjalorin, mënyrën e sjelljes, qëndrimet, sulmin dhe mbrojtjen, miqësitë, armiqësitë, njohjen e të keqes dhe mirënjohjen e munguar, interesat, projeksionet për të ardhmen dhe rindërtimin vetjak të së shkuarës, tenderimet, raportin me reformat dhe marrëdhëniet me të pasurit apo të mjerët e vendit dhe kështu me radhë, pra, për të shpjeguar kryeministrat, duhet hyrë nën lëkurën e tyre. Dhe, meqenëse gardëroba e një kryeministri është e pafundme, edhe njohja, gjykimi, paragjykimi apo dhe parashikueshmëria për sjelljen e tij, ka mundësi të pafundme shpjegimesh. Që mund të jenë të gjitha të vërteta, edhe në rastin kur janë totalisht kundërthënëse me njëra-tjetrën.

Një krahasim deklaratash dhe qëndrimesh për reformën zgjedhore, në skajet e tetë vjetëve, një herë në 2012-n dhe tani në 2020-n, ndërmjet Edi Ramës dhe paraardhësit e tij në zyrën e kryeministrit, i nxjerr pothuaj identike qëndrimet e tyre. Në të dy rastet, përjashto nuancat stilistikore në të shprehur, edhe Rama i sotëm, edhe Berisha i djeshëm, u kanë afruar opozitave respektive të njëjtën “siguri” se reforma do të bëhet me konsensus. Se opozita është vendimmarrje. Se pushteti do të afrojë të gjitha garancitë e dukshme për mëtonjësit e pushtetit. Se është prioritet absolut për qeverinë që të sigurojë një proces të drejtë, transparent e të ndershëm. Se në fillim e fund të gjithçkaje, gjithë reforma do të bëhet sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it. Ky është qëndrimi i pandryshueshëm i kryeministrave përpara çdo lloj zgjedhjesh. Formalisht korrekt. Praktikisht i matur. Formalisht i saktë deri në lebeti, por i frustruar marrëzisht nga mosbesimi, dyshimi dhe paranojat.

Për të kuptuar nuancat dhe qëndrimin e tyre real mbi institucionin e zgjedhjeve, nuk duhet dëgjuar se çfarë thotë kryeministri që hyn në garë. Duhej lexuar Oert Bylykbashi dje, për llogari të Sali Berishës, dhe duhet shpjeguar Damian Gjiknuri sot, për llogari të Edi Ramës. Të ngjashëm në sjellje, të afërt në debat, të njëjtë në zanat, Bylykbashi dhe Gjikuri kanë një histori bashkëpunimi në të shkuarën, që dëshmon se çfarë do të ndodhë në mos në orët e afërme, në shumë pak ditët në vijim, me reformën zgjedhore. Nga sjellja e tyre do të identifikohet vullneti i Lulzim Bashës, si kandidat për kryeministër dhe dëshirat e Edi Ramës, si ripremtim për kryeministër tris. Nëse Bylykbashi flet për vija të kuqe në elemente të njëpasnjëshme të reformës dhe nëse Gjiknuri përgjigjet për pamundësinë për të rivendosur kushte pas plotësimit të parakushteve, qoftë njëri, qoftë tjetri, janë lakmuesi i asaj që po ndodh në një ambient acid, plot me paragjykime dhe vota brohoritëse në parlament. Me aktorë që luajnë jashtë skene, me figurantë që duken në foltore dhe me vullnete “kundërshtarësh” që janë më afër se kurrë, edhe kur duket se ndahen në llogore lufte. Mbi të gjitha, me një lojë që nuk është fare ashtu siç duket.

Në momentin e firmosjes së konsensusit, që edhe kësaj here do t’i lërë të pakënaqura të gjitha partitë e tjera, me përjashtim të PS-së dhe PD-së, Basha do të thotë se luftoi deri në fund, por ky ishte maksimumi që mund të merrte, ndërsa Rama do të pohojë se afroi konsensusin më të madh të mundshëm, por nuk mund të përjashtonte vullnetin e PD-së, si partia më e madhe moralisht e opozitës. Edhe njëri, edhe tjetri do t’i bëjnë kështu një shërbim të radhës humorit të atyre që janë të destinuar të dëmtohen nga dy të mëdhenjtë, qoftë kur ata u sillen si aleatë, qoftë kur i trajtojnë si rivalë. Dhe që ende duan të besojnë atë që do të ndodhë. Bëjnë apo jo marrëveshje, takohen në tryezë apo bëjnë “skype” nga emisione televizive, mallkohen apo miklohen, Rama e Basha janë të përcaktuar për një sistem bipolar të politikës. Më kusht që Rama të mos i lejojë gjithë armiqtë e tij të bashkohen në një front unik kundër gjatë zgjedhjeve dhe Basha të mos e quajë Lanën si Rubikonin e tij dhe të harrojë të ruhet nga miqtë e vjetër dhe armiqtë e rinj.

Për të kuptuar lojën e kryeministrave duhet të kesh qenë një herë kryeministër. Ilir Meta, për shembull, dy herë kryeministër, e di shumë më mirë se shumëkush tjetër se, njëlloj si në 2017-n, bipolariteti është kurthi që rrezikon ish-partinë e tij. Edhe pse në situata të ndryshme, oferta e Berishës në 2013-n për një mandat të tretë dhe oferta e Edi Ramës për një të tillë vitin e ardhshëm, në thelb janë të ngjashme. I pari pranoi të qeveriste edhe me Kaç Islamin, i dyti nuk do ta refuzonte si logjikë as bashkëqeverisjen me Lul Bashën. Kryetari i PD-së, fare papritur, vuri dhe më pas hoqi një nga vijat e kuqe të betejës e të betimit – Damiani i Ramës është në tryezë. Sepse në politikë dhe vetë politika është arsye. Edhe kur ngjan e pamundur. Edhe kur kujtohet titulli i perifrazuar i një romani të famshëm, shkruar në anglishte vite më parë: “Njeriu ynë në Tiranë”.

Pjesa tjetër është histori shqiptare. Modelja K. K. mbushi 20 e ca vjeç dhe nuk është më me VIP-in R. R, kurse modelja R. R. mallkon të gjithë ata që nuk besojnë se është gocë shtëpie. Deputeti M. M. u kujton manekinëve në parlament të mos harrojnë të veshin bre..kë, balerina K. K. tregon se nuk e kishte për kësmet të ishte në lidhje, astrologia M. Sh. thotë se Gaforrja (Rama), ka Jupiterin përballë dhe pas datës 21 qershor do të ketë rikuperime të mëdha, Binjakët, (Basha), po pas datës 21 qershor, do të kenë fokusim në çështje ekonomike, ndërsa një fëmije të palindur ende, i premtohen tri mama njëherësh. Pandemia është harruar. Kafet e lagjes janë të gjitha të hapura. Kurioziteti se çfarë ndodhi me një minorene të mjerë në periferi të Tiranës, vetëm 15 vjeç, është çarçafi i palavdishëm nën të cilin mbulohen të gjithë për të fshehur të vërtetën e hidhur: askush nuk është në vendin e vet! Gjithkush i gjykon kryeministrat dhe ëndërron të jetë kryeministër, i bindur se mund të shpëtojë gjithë botën, nëse do të ishte vetëm 24 orë në vendin e kryeministrit të radhës.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?