Në çdo mejhane katundi të Shqipërisë, mund të gjesh disa "filozofë" që, duke gjerbur kafenë e shoqëruar me një gotë raki, thurin teori konspiracioni për mosshtrimin e një rrugëze ose për mosrregullimin e ujësjellësit të katundit të tyre. Dikush thotë se, deputeti i zonës së tyre nuk është i aftë e dikush se është i korruptuar (ose të dyja). Dikush tjetër thotë se, zyrtarët lokalë janë të paaftë e dikush se janë të korruptuar (ose të dyja). Një më i zgjuar thotë se ka një bashkëpunim të fshehtë mes të mësipërmve, për ta lënë me kast katundin në gjendjen aktuale, e kështu me radhë. Por asnjëri nuk e thotë copë se, qeverisë qendrore as që i bie ndërmend për katundin e tyre të humbur, sepse asaj i këndojnë qindra kumuri të tjera në kokë.
Në mënyrë të ngjashme, vendimi i BE-së për fillimin e negociatave me Shqipërinë në qershorin e 2019-ës, po diskutohet e do të diskutohet gjatë në këtë katundin tonë periferik, ndërkohë që në kryeqytetet europiane këndojnë qindra kumuri të tjera, që po vënë në diskutim vetë ekzistencën e BE-së. Në diskutimet e zjarrta të politikanëve europianë në Bruksel (rreth reformimit të BE-së, rreth krizës së refugjatëve, etj.), marrja e vendimit për shtyrjen e negociatave me Shqipërinë për vitin tjetër, ka zënë vetëm një fraksion të vogël të kohës. Shqipërisë iu tha të vazhdonte reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, edhe pse teknokratët e Komisionit Europian kishin deklaruar në raportin e tyre se, ajo i kishte përmbushur kushtet që sot për fillimin e negociatave.
Po, t'i kthehemi historisë së anëtarësimit në BE të vendeve të tjera ballkanike, Greqia nuk i kishte plotësuar kushtet për anëtarësim kur u pranua në gjirin e BE-së (hapja e petëve të lakrorit të korruptuar grek gjatë krizës së fundit financiare, e vërtetoi këtë gjë). Aq më pak i kishin plotësuar kushtet Bullgaria e Rumania, që ishin të korruptuara deri në palcë e që shërbenin si furnizuesit kryesorë të prostitutave dhe të heroinës afgane për Europën. Por në kohën që BE-ja u zgjerua në Ballkan, në kryeqytetet europiane mbizotëronin forcat centripete e jo ato centrifugale. Sot, presidenti francez Makron nuk do asnjë hap drejt zgjerimit deri në qershor 2019, sepse mendon që një hap i tillë do të shërbente si karburant elektoral për partitë ekstremiste, para zgjedhjeve për Parlamentin Europian. Një rritje e numrit të deputetëve ekstremistë në këtë parlament, do ta vështirësonte reformimin e brendshëm të BE-së, që është objektivi kryesor i presidencës Makron.
Kancelaria gjermane Merkel nuk po lobon më fuqishëm për zgjerimin e BE-së në Ballkan, sepse po përballet me një krizë të brendshme politike. Horst Seehofer, aleati i saj bavarez i CSU-së, ka kërcënuar për rrëzimin e qeverisë, në qoftë se kancelaria nuk i vë fre "invazionit" nga jugu. Partia e tij rrezikon të mos i fitojë zgjedhjet e tetorit në Bavari, ngaqë janë forcuar partitë ekstremiste, të cilat kanë si kalë beteje pikërisht "invazionin" nga jugu. Qeveritë holandeze dhe daneze janë kundër hapave për zgjerimin e BE-së, sepse mbahen në këmbë nga votat parlamentare të partive ekstremiste, të cilat synojnë ta zvogëlojë BE-në, e jo ta zgjerojnë atë.
Qeveria aktuale italiane nuk është më promotore kryesore e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, sepse ajo është formuar nga dy parti ekstremiste, të cilat vënë në diskutim vetë praninë e Italisë në BE dhe në Eurozonë. E vetmja avokate e fortë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, mbetet Greqia (sidomos pas marrëveshjes për ndarjen e detit), por ajo s'ka këllqe të ndikojë në vendimmarrjen europiane. Asaj ende i dridhen gjunjët nga kriza e thellë financiare, që e çoi në buzë të greminës së falimentimit.
Me pak fjalë, kur në Europë ziejnë forcat centrifugale që venë në rrezik vetë ekzistencën e BE-së, nuk mund të presësh që të ketë oreks për zgjerimin e saj. Sidoqoftë, në katundin tonë Tiranë, do të ziejnë debatet mbi arsyet e shtyrjes së negociatave për qershorin tjetër, të fokusuara në ato që ka bërë ose s'ka bërë Edi Rama dhe në ato që ka bërë ose s'ka bërë Lulzim Basha. Në fakt, si njëri edhe tjetri, vetëm çelësat e kashtës kanë patur në lidhje me vendimin për shtyrjen e negociatave deri në qershorin tjetër. Në qoftë se do të kishte mbizotëruar tjetër klimë politike në kryeqytetet europiane, rekomandimi pozitiv i Komisionit Europian do të kishte qenë më se i mjaftueshëm, që ministrat e jashtëm të BE-së të kishin hapur që sot, dritën jeshile të negociatave. /Albanian Free Press